Nga Luçiano Boçi
Në Shqipëri ligji nuk është më, as moral dhe as parim, apo normë juridike dhe shteti i së drejtës tek ne po ndjek një trajektore tërësisht të zhdrejtë, i zhveshur plotësisht nga institucionet dhe gjykatat.
Ligji vetë është shndërruar nga Rama në një normë rrëmbyese, amoralitet publik dhe ndjek parimet e përfitimit ekonomiko-kriminal të kastës.
Reforma në drejtësi pësoi “përkthime” e vendime antikushtetuese monstruoze, vetëm e vetëm të arrihej kapja e drejtësisë.
Kodi i procedurës penale, me një të rëne të lapsit, shndërrohet në një paragraf të tij për ekstradimin në Kod apenal, vetëm e vetëm për të nderuar pashallarët e krimit.
VKM-ja e Shkurtit 2017, për krijimin e AKCESK-ut, me një paragraf “fare të thjeshtë” i njeh të drejtën autoriteteve publike (Ministritë, Drejtoritë, Kryeministri) që nëpërmjet AKEP-it, të mbyllin aksesin për çdo media online.
Projektligji personal i Ramës, për shembjen absurde të Teatrit Kombëtar dhe sanksionimin e grabitjes e pronës publike për të ndërtuar kullat personale e të klientëve, zgjedh kush do ndërtojë, çfarë grabitet, kush projekt fiton dhe hedh në erë trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit.
Sikur të mos mjaftonin këto, vjen një tjetër propozim i Ramës, i cili kërkon të deformojë “Ligjin për mediat audiovizive” në disa nene thelbësore të tij.
Me këto ndryshime kërkohet që fillimisht 30% e më pas 50% e parave që publiku paguan si tarifë fikse për aparatet televizive, tek RTSH, ti kalojë nëpërmjet Fondit të transmetimeve, televizioneve private klienteliste te Ramës.
Bëhet fjalë për miliona euro që i merren publikut dhe i kalojnë klientëve specifikë.
Pazar ligjor dhe makutëri politike në dëm të interesit publik, krejtësisht antikushtetuese.
Në mënyrë cinike në raportin e ndryshimeve theksohet se këto financime publike të televizioneve private me demek do rrisin pavarësinë e lirinë e këtyre mediave.
Ndërkohë që ai i cili ia rrëmben një enti publik paratë për t’ia dhënë privatit është vetë kryetari i PS.
Në këtë projekt e kishin burimin dhe propozimet e fundit alla-Beqaj që u bënë në Komisionin e medias nga deputetët e majtë, për rritjen e tarifës së qytetarëve dhe që njerëzit të paguanin jo më për një, por për çdo aparat TV në shtëpi.
Kështu përdhoset ligji në Shqipëri.