Nga Oerd Bylykbashi
Ju kujtohet (shihni fotot) kur Edi Rama vuri si barrikadë të gjithë deputetët e PS për të mbrojtur nga prishja pallatin e kunatit të një deputeti të tij, Dash Pezës, pas Hotel Tirana? Autoritetet konstatuan se pallati ishte ndërtuar në shkelje të ligjit me leje të Ramës duke zaptuar prone publike, një rrugë. Deputetët bllokuan policinë dhe INUK (INUK i Ramës sot ta prish pronën me dinamit) dhe nuk lejuan që ta prishnin. Interesi privat i Ramës dominoi mbi interesin publik.
Sot janë artistët e teatrit që janë bërë barrikadë ndaj prishjes nga Rama të një objekti jo thjeshtë publik, por vetë Teatrit Kombëtar, vetëm e vetëm që të grabisin pronen publike në bashkëpunim me një privat, të ndërtojnë kulla në qendër të Tiranës me çmimin më të lartë të mundshëm në Tiranë e të ndajnë qindra miliona fitim mes tyre. Por Ramën dhe Veliajn e tij nuk i ndalon dot kjo.
Interesi i tyre privat përsëri dominon mbi interesin publik. Ku janë deputetët e PS-s, morali dhe nderi i tyre që Rama i përdori si thasë me rërë për barrikadë për të mbrojtur një interes privat të paligjshëm? E dimë që për interes të tij, Rama artin e përdor për rrogoz dhe e shkel me këmbë. Siç bëri në 2002 kur u tall me artisten e madhe Violeta Manushi, vetëm që të denigronte Teatrin Kombëtar që donte ta prishte që atëherë (por asokohe e ndali Kryeministri Pandeli Majko i cili sot nuk e ndal dot më...)
Të bësh një ligj për interes të një personi është antikushtetuese, por të gjithë e dimë se për Ramën Kushtetuta ka vlerën e një kartpecete, sa kohë që Rama gardianin e saj, gjykatën Kushtetuese e ka mbyllur dhe kthyer në një rraqe me atë Reformën në Drejtësi që ai na e shet për sukses unik (pika që s'i bie!!).
Akti i fundit i kësaj rreckërie, është votimi nga Teatri i Kukullave për të miratuar ligjin rrecke për prishjen e teatrit e për të ndërtuar Teatrin e Kullave. Jo ai teatër kukullash ku për drejtor ka vënë një djalosh militant fanatik të prishjes së Teatrit Kombëtar e që u jep mend artistëve që themeluan teatrin shqiptar. E kam fjalën për Parlamentin që e ka mbushur me deputetë marioneta që ngritën dorën dje sapo u tërhoqi fijen Rama (jam i bindur që disa nuk kane qenë asnjëherë në Teatrin Kombëtar e do të vdesin pa qenë asnjëherë aty. Ata janë të bindur se shefi i tyre që i di më mirë këto punët e artit. Ç'u duhet atyre?!)
Rama ose bën ligj për interesat e tij, ose kur ligji e bie ndesh, e shkel me këmbë dhe e gris. Këto foto janë prova e sharlatanizmit, pafytyrësisë dhe makutërisë së tij kriminale, por edhe e turpit të deputetëve të tij dje dhe sot.
P.s: Se harrova, disa do të hyjnë gjithsesi në burg, se Kodi Penal ka disa nene që janë më fleksibel se ligji rrecke i Ramës për prishjen e teatrit.
Gjynah kush vë firma...