Nga Bujar Nishani
Vendet anëtare të BE refuzuan për të dytën herë propozimin e Komisioni për hapjen e Negociatave (bisedimeve) për anëtarësim në BE të Shqipërisë.
Ashtu siç bënë ekzaktësisht në 2016 kur përshëndetën arritjet e Shqipërisë (korrektësi diplomatike e politike), deklaruan mot-à-mot dhe tashmë se pa luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, vendosur shtetin ligjor, zgjedhje të lira e të ndershme, nuk hapim Negociatat.
Qeveria dhe shërbyesit e saj të paguar u turrën të gënjejnë pa turp si në çdo skandal të këtyre pesë viteve.
Do të ishte krejt pa vlerë dhe irracionale që opozita dhe shqiptarët e ndershëm të merreshin dhe harxhonin energji dhe kohë për të përgënjeshtruar gënjeshtarët !
Gënjeshtari nuk përgënjeshtrohet por veç diskretitohet.
Tashmë ndër ne, gënjeshtarët nuk e hanë më turpin me bukë por e gëlltisin me hare e çakërrqejf duke pirë kupa me verë të shtrenjtë.
Realiteti është fare i thjeshtë : Evropa i dha ca detyra shtesë Shqipërisë për ti bërë deri në vitin e ardhshëm, kur do të shqyrtojë edhe njëherë propozimin e Komisionit, nëse këto detyra janë përmbushur apo jo, nga Shqipëria.
Zor shumë, do të jetë të përmbushen këto detyra, sepse është pikërisht ajo që ka përgjegjësinë kryesore, QEVERIA, që e pengon Shqipërinë ti përmbushë këto detyra.
Nuk është fare e vlefshme që të merremi me përgënjeshtrimin e gënjeshtarëve, sepse vetëm fakti që gënjejnë, tregon se janë zënë në faj dhe janë ndëshkuar.
Ky vendim i BE ka në fakt dy lajme.
Një lajm të KEQ dhe një lajm të MIRE.
Lajmi i KEQ është shtyrja e shqyrtimit të vendimit nëse Shqipëria do hapë negociatat pas 2019 ?
Lajmi i MIRE është që Këshilli Evropian, lidershipi i Evropës doli në krah të qytetarëve, të popullit shqiptar dhe jo Qeverisë së Tiranës.
Në rastin e hapjes së Negociatave, ai është një vlerësim për suksesin e reformave, vlerësim për standardet që janë arritur dhe funksionojnë e kështu që natyrshëm është vleresim edhe për qeverinë që ka bërë të mundur ato si më sipër.
Fakti që nuk u hapën është tregues i vleresimit negativ për realitetin, standardet dmth menaxhimin e keq të punëve, pra të Qeverisë.
Por shqiptarëve, ju konfirmuan se e ardhmja e tyre është padiskutim në Evropë ashtu siç dhe i pranuan vite më parë të udhëtonin pa viza në çdo cep të saj.
Me gënjeshtarët nuk duhet të lodhemi për ti përgënjeshtruar tek spekullojnë deri në perversitet kur thonë se u vendos të nisim “punën pregatitore” !!!
Puna pregatitore ka nisur që me miratimin e Marrveshjes së Stabilizim Asociimit, qysh me 1 prill 2009, o mashtrues, boll u tallët me shqiptaret !
Ne nuk duhet të konsumojmë kohën me përgënjeshtrimin e gënjeshtarëve qeveritarë tek thonë se fajin e kanë skeptikët dhe ekstremistët populist në Evropë.
Në kohën kur u liberalizuan vizat dhe u mor statusi “Kandidat”, ishte e njëjta situatë politike në Evropë, me shumë kundërshtar.
Madje lëvizja pa viza, ishte një vendim edhe me më shumë peshë e ndikim konkret në Evropë sesa hapja e Negociatave (bisedimeve), por nuk u bllokua dot.
Nuk janë skeptikët evropian por zullumet dhe modeli i një pushteti të korruptuar dhe inkriminuar në Shqipëri.
Është krimi i organizuar që kjo qeveri implantoi në vendin e vet, virusi i të cilit po i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe po inkubohet dhe ndër vendet evropiane.
Nuk janë skeptikët, o llustraxhinj të dalë boje, por dhjetra e dhjetra kambana evropiane, më e fundit vetë gazeta “Liberation” e të majtës franceze tek thotë se : “Është e vërtetë që nga ana tjetër e kufirit (Shqipëria) pretendojnë se hashashi që kapet në Itali është i vjetër, prodhim i viteve të kaluara, por ne i kemi bërë analizat këtu dhe prodhimi i tij nuk daton më shumë se gjashtë muaj”, thotë Liberation.
Sipas Gjeneralit Altiero në Itali, ndër vite është kapur drogë që vjen nga Shqipëria: “860 kg në 2015, 13,9 ton në 2016, 34,9 ton në 2017 dhe afërsisht 10 ton gjatë muajve të parë të 2018”.
Nuk janë skeptikët, por UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet), e cila teksa publikon para pak ditësh hartën globale të narkotrafikut, deklaron se Shqipëria është e përfshirë në rrugën e trafikimit të heroinës nga Azia, me origjinë nga Afganistani, që kalon përmes Turqisë dhe më pas i drejtohen Europës Perëndimore.
Ky është viti i tretë radhazi që Shqipëria përfshihet në raportin botëror të drogave.
Nuk janë skeptikët evropian por familjet mafioze që nuk preken dot nga kjo qeveri.
Ndaj kësaj qeverie i është vënë kushti që ti godasë ato. Ajo nuk e bën dot !
Janë grupet e organizuara kriminale që blejnë vota për qeverinë dhe qeveria që u dorëzon më pas atyre policinë e shtetit dhe paratë e buxhetit.
Ndaj kësaj qeverie i është vënë kushti i ri ti demontoj ato. Ajo nuk e bën dot.
Eshtë varfëria e shqiptarëve që thellohet dhe më pas përndiqen nga vendi i tyre rrugëve të kurbetit.
Ndaj kjo qeveri është me shpatulla për muri për të dënuar korrupsionin qeveritar dhe atë të oligarkëve të saj. Jo, nuk e bën dot !
Janë votat që vidhen në zgjedhje dhe antireforma e pushtetit lokal që ja hoqi pushtetin qytetarëve dhe ja fali “kumbarëve”, me një ndarje të turpshme elektorale që e paracakton njëanëshmërisht rezultatin e garës në tavolinë për 70% të njësive lokale e që shërbejnë për shantazh, intimidim e grabitje votash, më pas në zgjedhjet parlamentare.
Një antireformë që zëvendësoj të zgjedhurit me të emërtuarit e pushtetit njësoj si në çdo autokraci politike.
Ndaj kësaj qeverie ju vu kushti i ri për reformën zgjedhore. Ajo nuk e bën dot !
Nuk janë skeptikët evropian por modeli qeveritar shqiptar i ministri të brendshëm anëtar i grupit kriminal të trafikimit të drogës ose vëlla me trafikantin e drogës.
Ndaj kësaj qeverie i kërkohet të lejoj të funksionoj drejtësia mbi ministrat e saj të brendshëm. Ajo nuk e lejon atë !
Ndaj, unë besoj se nuk ja vlen që shqiptarët të konsumohen duke përgënjeshtruar gënjeshtarët.
Shqiptarët duhet të mblidhen e të vendosin se si ta çlirojnë rrugën e tyre drejt Evropës që zullumqarët ja janë bllokuar.
Unë besoj se shqiptarët e ndershëm do të mblidhen pareshtur sallave e kuvendeve në çdo qytet e komunë të vendit për ti diskretituar gënjeshtarët dhe për të vendosur se si të bëjnë realitet vullnetit dhe qëllimin e tyre, “E duam Shqipërinë në Evropë” !