Nga Bujar Nishani
Një angazhim publik i Ministrit të ri të Brendshëm të Italisë fqinje, për t'i shpallur luftë pa kompromis Mafias, krimit të organizuar, skafistëve, trafikantëve të drogës dhe vajzave të pambrojtura, vrasësve dhe hajdutëve në Itali, përçoi një mesazh shprese edhe në Shqipëri.
Si vend fqinj me Italinë, Mafia, krimi organizuar, trafikantët, vrasësit, hajdutët, në Shqipëri kanë bërë lidhjen e ngushtë me bashkëpunëtorët e tyre përtej Adriatikut.
4 familje mafioze, mbi 40 grupe te krimit të organizuar, qindra anëtarë të grupeve kriminale, qindra hajdutë e grabitës shtëpish, pronash, pasurish e bisnesesh të shqiptarëve raportohen tani zyrtarisht në Shqipëri.
Kjo politikë e re e Qeverisë së re Italiane duhet të kishte marrë solidaritetin e menjëhershëm të qeverisë në Shqipëri. Ajo heshti, u fsheh, u tulat. Kuptohet! Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Por ajo nuk u ndal veç në heshtjen e saj.
Lideri opozitës demonstroi përgjegjësinë dhe konfirmoi modelin e alternativës së qeverisjes së ardhshme. Luftë pa kompromis kundër Mafias, krimit të organizuar, skafistëve, oligarkëve, trafikantëve, hajdutëve.
Tronditja e parë erdhi ! Qeveritarë e oborrtarë të modelit “narkos” u vërsulën mbi opozitën dhe liderin e saj me shantazhe dhe kërcënime. Më në fund një shenjë e mirë edhe në Shqipëri! Të inkriminuarit e humbën toruan dhe qetësinë e shtirur. Kanë filluar të mendojnë pak dhe për nesër.
Shqipëria, nuk është rasti i parë ku Mafia dhe paratë e pista të drogës kanë blerë pjesë të politikës, pjesë të shtetit, pjesë të drejtësisë, pjesë të medias, pjesë nga gjithçka. Opozita dhe lideri i saj duhet tu konfirmojnë çdo ditë pa u lodhur shqiptarëve se : që nga dita e parë e qeverisjes së tyre do ndjekin në çdo vrimë paranë e zezë të krimit, pa marrë parasysh se në çfarë pjese të shoqërisë shqiptare ajo është përlyer. Shqiptarët e dinë se krimi dhe paraja e pisët e tij, janë varfëria e tyre e përditshme. (padyshim shkëlqimi i zi i të inkriminuarve prej saj) !