Nga Jorida Tabaku
Të nderuar qytetarë dhe artistë që keni protestuar mbi pesë muaj në dyert e Teatrit që sot duan ta prishin, unë jam e sigurt që sot është vetëm fillimi.
Jam e sigurt që në shkurt kur këta nisën idenë, ishte vetëm filmi. Dhe sot është vetëm fillimi i kësaj beteje. Në vitin 1938-ën, kur kryebashkiaku i parë i Tiranës Servet Libohova e shiti pronën, e shiti me qëllimin që ai të ishte një institucion publik.
E shiti pothuajse sa 5% e parave në qarkullim. E shiti vetëm që të ishte një Teatër.
Po këta nuk pyesin, as për Ligjin, as për Kushtetutën. Nuk pyesin as për marrëdhënien e pronës, nuk pyesin as për amanetin e pronës, nuk pyesin as për trashëgimi, nuk pyesin për asgjë në këtë vend. Unë jam e sigurt që ashtu si në komisionet Parlamentare do të bëheni gardh dhe do të mbroni këtë projektligj të turpshëm sot.
Jam e sigurt që asgjë nuk do t’ju ndalë të silleni më keq se pushtuesit në këtë vend, mbi trojet publike dhe mbi trojet private. Ju shoh që arsyeja ju ka zënë sytë. E shoh që nuk kuptoni asgjë. Dje propaganda e Bashkisë Tiranë shkoi me vrap zjarrfikësin për të parë a ishte shembur teatri.
A shkoi të shohë dikush se çfarë ndodhi me kullën e Tiranës?
A ka parë dikush nga Bashkia që të kontrollojnë në institucione të tjera?
Çdo gjë në këtë vend përdoret për propagandë.
Tërmeti u përdor vetëm për propagandë.
Që të gjithë e kanë parasysh Tiranën e vjetër.
Që të gjithë e dinë ku ishte Kinema “17 Nëntori”. Ku është sot?
Që të gjithë e dinë ku ishte Milenium, ku është sot?
Që të gjithë e dinë Pazarin e Vjetër të Tiranës. Ku është sot?
Ku është Stadiumi sot? Ajo do të ndodhë edhe nesër me Teatrin.
Kjo ka nisur në nëntor të 1944-ës, me vrasjen e intelektualëve të Tiranës. Ka nisur me vrasjen e çdo identiteti që ka pasur qyteti. Ka nisur me shkrumbimin e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti, ka nisur me identitetin e këtij qyteti, që doni ta fshini, ashtu siç doni të bëni me këtë ligj. Ashtu siç doni të bëni me Teatrin. Shumë e thjeshtë. Nuk kam fjalë që të shpjegoj as shkeljen e Ligjit, as shkeljen e Kushtetutës, as procedurën që nuk ka absolutisht asgjë ligjore. Është shumë e thjeshtë. Vjen dikush, bën një propozim dhe ngrihet një shtet i tërë, mbledh parlamentin, për ta kthyer në zyrë tenderash. Në zyrë koncesionesh. Po turp keni? Po për pronën private, pronën publike, turp keni? Unë më shumë se të gjithë e di se sa rëndësi ka që të zhvillohet prona.
Kam luftuar për 5 vjet këtu në Parlament dhe në Gjykatë Kushtetuese, kam luftuar edhe me banorët e njësisë sime administrative që prona e tyre të zhvillohet.
Më shumë se kushdo, unë dhe familja ime kemi vuajtur regjimin e Enver Hoxhës dhe të Edi Ramës, në vjedhjen e pronës. Ju nuk keni lënë qytetarë të këtij vendi të ndërtojë, nuk keni lënë ata që kanë të drejtën e tyre të pronës, e sot po merrni një pronë publike dhe e falni si plaçkë. Sot po bëheni gardh për vjedhjen dhe abuzimin.
Nuk e kuptoj dot se si mund të ngrini sot kartonët. Partia Demokratike mund të ketë bërë shumë gabime për pronën, por jam e sigurt që kurrë partia ime nuk do të më vendosë në pozitë të votoj ashtu siç do të votoni ju sot. Kurrë partia ime nuk do të më detyrojë që të votoj për prishjen e identitetit të qytetit, siç do të bëni ju sot. Për të falur 5 mijë e 500 m2, siç po bëni ju sot. Dëgjova Ministrin e Financave të cilit doja t’i ktheja një përgjigje me seriozitet e t’i thoja, se ku çalonte projekti. Faktin që shkel
- 1. Ligjin e koncesioneve
- 2. Ligjin e prokurimeve Publike
- 3. Ligjin për Pushtetin Vendor, sepse po cënoni të drejtën dhe autoritetin e pushtetit vendor për të administruar pronën
- 4. Ligjin e Trashëgimisë Kulturore
Por në fakt ai është i njëjti kur tha se PPP-të i kushtojnë zero lek buxhetit të shtetit.
Aty, aty do të jetë Teatri. 1 mijë metra më pak, a më shumë. Vazhdojnë dhe japin justifikime për këtë projekt. Ky projekt përveç shkeljes së Kushtetutës dhe të paktën 4 ligjeve, shkel njëkohësisht edhe marrëveshjen e MSA-së. Sepse shkel konkurrencën e lirë në treg. Nenet 71 dhe 74 i MSA-së, shprehimisht thotë që nuk duhet dhënë asnjë ndihmë shtetërore, asnjë mbështetje në garë, kujtdo që do të konkurrojë në tregun e lirë. Në këtë rast po prishet konkurrenca në treg. Pse po prishet konkurrenca në treg?
Sepse këtë projekt në qoftë se do të e kishin bërë me tender ndërkombëtar, me garë të hapur a do të kishte kompani të tjera të cilat do të kishin konkurruar?
Po këtu po kthehet përjashtimi në normë. Këtu vjen një biznes nga rruga, bën një propozim dhe ngrihet qeveria dhe parlamenti. Ashtu siç u shpenzuan 178 milionë euro për inceneratorët, 0 lekë nga buxheti i shtetit, ashtu po falen, po grabiten 5500 metër katrorë publike, në qendër të Tiranës. 30 milionë euro me vlerën e asaj kohe e kishte shitur Servet Libohova dhe e kish blerë shteti italian. Sot kush e di sa miliona euro do të vlente ajo pronë? Sot kush e di sa miliona euro do të vlente po të shitej në tregun e lirë. Por ajo që ka më shumë rëndësi këtu është prishja e trashëgimisë dhe identitetit. Unë këtu mund të flas pafund për ato që kanë thënë aktorët dhe artistët atje. Në fakt disa prej nesh janë bërë pjesë edhe e protestës së tyre. Mund ta ngre zërin pafund edhe për pronarët e vjetër të Tiranës, të cilët po shkelen dhe nëpërkëmbën sot dhe nuk e gjejnë dot të drejtën e tyre. M und të flas pafund për vjedhjen dhe korrupsionin, për faktin që qeveria që rriti taksat 5 miliardë, nuk gjen dot 30 milionë për të restauruar një teatër. Mund të flasë pafund edhe për patetizmin, por jo sot. sot zgjedh që të flas për grabitjen e pronës publike. Në këtë parlament në vitin e fundit nuk ka ardhur pothuajse asnjë ligj. Nuk ka ardhur pothuajse asnjë ligj që bën ndryshime thelbësore. Kemi pasur institucione të pavarura që kanë raportuar këtu. Në fakt nuk kishin pse të raportonin fare këtu. kemi pasur marrëveshje të shkuara që i është shtyrë afati, por nuk kemi pasur një ligj që të vijë këtu dhe të mbështesë të varfrin, që të mbështesë të vobektin, një ligj që të rregullojë marrëdhëniet e pronës, një ligj që të ndihmojë atë që ka nevojë. Por jo! parlamenti mblidhet për të miratuar një ligj që sjell biznes. Praktika e ligjeve që vijnë me emra biznesmenësh në parlament duhet të marrë fund. Praktika e ligjeve që vijnë të porositura dhe nuk shkruhen në zyrat e shtetit duhet të marrë fund. Zyrtarët e shtetit që ishin këtu pak më parë dhe ministrat që kanë qenë në komisione nuk kanë pasur fjalë t’i përgjigjen, nuk dinë t’i përgjigjen, nuk e dinë çfarë ka në atë projektligj. Në qoftë se ky është projektligji që të gjithë e keni zgjedhur të votoni, të paktën ju të kërkoni informacion. Unë jam e sigurt që të gjithë ju nuk bini dakord me këtë. Jam e sigurt që ka edhe kolegë që dinë se çfarë po i ndodh Tiranës, çfarë po i ndodh pronës publike. Por të paktën mos votoni. Të paktën mos u bëni palë. Unë e di që ju do të vazhdoni ta shisni si një nga arritjet e mëdha Stadiumin, po ai është makabriteti më i madh i këtij qyteti. Ashtu do të jetë edhe teatri. Që të gjithë gjykohen nga veprat e tyre. Nuk gjykohen nga fjalët. Unë dua ta mbyll fjalën time me një shprehje të Italo Calvinos: “Mashtrimi nuk është kurrë në fjalë, por është në vepra”. E për ironi të fatit, vepra e fundit që po jepet atje në Teatrin Kombëtar është e një komedi e Mark Tuein; A vdiq ai? Jo teatri nuk ka vdekur dhe ne nuk kemi për ta lënë të vdesë. Qytetarët atje dhe ne këtu në Parlament do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur atë.