Minjtë janë ringjallur

E Enjte, 19 July 2018 15:17

Nga Luan Rama/

Disa syresh i kam parë shumë vite më parë. Ndonjë edhe e kam njohur, po pavarësisht faktit në i kam njohur apo jo, të gjithë kishin diçka të ngjashme; përbashkuese dhe identifikuese po aq në raport me të tjerët. Kishin “Bllokun”, prej, edhe nga morën nofkën identifikuese “Bllokmenë”, një kompozitë gjysmë shqip e gjysmë anglisht.

-Si nuk e kuptuan dreqi t’a marrë që rrokullisja drejt theqafjes do t’i merrte edhe ata përpara me gjithë “Bllokun” e tyre, e të paktën të mos ishin bërë pengesë?!- pyesnim shpesh njëri-tjetrin ne të “Zërit të Popullit”, në atë dhjetorin e fundit të rregjimit komunist të 1990-ës, pa marrë përgjigje prej askujt!

Sepse në fakt nuk kishte mbetur më askush!

Të gjithë kishin ikur, kishin ikur bashkë me “Bllokun” e tyre e ishin fshehur!
Kishim mbetur vetëm ne, gazetarët e “Zërit të Popullit” pikëlidhja e vetme mes udhëheqjes që nuk ishte dhe mijëra të tjerëve në bazë, komunistëve intelektualë, punëtorë, kooperativistë, veteranë, pensionistë!…

Nuk qe e lehtë! Ishte shumë e vështirë! 27-vjet më parë, të zgjidhje të ishe socialist, ngjante pothuaj si një herezi! Ishte njësoj si të vetëzgjidhje lançimin e të pranoje ferrin, të pranoje barrën e mëkatit që nuk e kishe kryer!

Të dilje si socialist rrugëve të Tiranës, pa folur për Shkodrën, Tropojën, Laçin apo qoftë edhe Durrësin, Elbasanin e gjetiu, duhej të merrje parasysh që do të kaloje nëpër një kalvar fyerjesh, sharjesh, kërcënimesh e kanosjesh, për të cilat po t’u flasësh sot atyre që kanë lindur në ato vite, mund të të marrin për të marrë!

Por,kështu ka qenë e kështu ka ngjarë! Ndër ne, në këtë sallë të Kuvendit ka ende dëshmitarë të atyre kohëve; sharës e të sharë, kanosës e të kanosur, dhunues e të dhunuar!

Lëvizja e Dhjetorit 1990, duke rrëzuar nga pushteti Partinë e Punës, mbylli edhe epokën e saj e i çeli udhë ndryshimit të sistemeve!

Partia Demokratike erdhi në pushtet.
Partia e Punës, e mbetur pa udhëheqje, identifikohej me bllokmenët byroistë, paçka se edhe ata e kishin braktisur partinë së cilës i qenë bërë udhëmbyllës!
Ata që kishin vdekur i nxorrën nga varret, ndërsa të mbeturit gjallë i përzunë nga Blloku e më pas edhe i burgosën!

Po ndërsa Blloku iu kthye qytetit e qytetaret mund të shkelnin në të, bllokmenët, jo vetëm etërit, por të gjithë, edhe fëmijët e tyre, djemtë, vajzat, nuset, dhëndurët, nipër e mbesa e gjithë ç’qenë, u gjendën në udhëkryq e mes dy zjarresh; nga njëra anë e djathta që i urrente e i fajësonte për çdo gjë, e nga ana tjetër, vetë partia e tyre e lënë e braktisur e nën peshën e akuzave, nën refrenin “komunistët në litar”, e gjente të keqen po tek ata, tek bllokmenët!

Gjithësesi, gjithçka duhej bërë! Mbi të gjitha duhej shpëtuar vendi, nuk duhej lënë të shkonte në kaos dhe anarshi!

Dukej mision i pamundur, por ia dolëm.
Ia dolëm të fitojmë sfidën e kohës me të shkuarën, e të sfidonim të ardhmen!
Partia Socialiste lindi si shpresë dhe shumë shpejt u bë alternativë qytetare e një kohe tjetër, e kohës në liri!

Por, nuk dua të merrem sot me historinë e lindjes së Partisë Socialiste!
Gjetiu e kam fjalën!

E më konkretisht, dua të merrem pak me Bllokun, jo si kastën e udhëheqjes së Partisë së Punës.
As me bllokun si territor apo si hapsirë publike në qytetin tim mbushur me kontraste; në qytetin tim të cilit qeveria do që t’i prishë teatrin e historisë qytetare, pasi i ka prishur më parë “Sheshin Skëndërbej” e bulevardin që dikur “ngacmonte” kronikanët e huaj të shpreheshin për të “Bulevardin pa qytet”!

Jo, sot do të flas për Bllokun “institucion”, për Bllokun si fenomen psikosocial e politiko-qeverisës.

Gjatë gjithë viteve në opozitën e parë të Partisë Socialiste, askush, asnjë, asnjë i vetëm prej ish-udhëheqësve a të afërmve të tyre nuk shkeli as edhe një herë të vetme në zyrat e “Zërit të Popullit” për të na parë si ishim e ku punonim apo qoftë edhe për të na thënë një fjalë të vetme, si shenjë solidariteti në atë kohë terrori, e ku edhe ne gazetarët e “Zërit të Populli” si të gjithë socialistët e thjeshtë identifikoheshim padrejtësisht me ta, shaheshim për ta, urreheshim për ta, burgoseshim për ta!

Nuk u panë as në Partinë Socialiste, as qoftë edhe për t’u dukur një herë të vetme në oborrin e saj, se për komisionerë a numërues në qendrat e votimit as që mund të mendohej!

Ikën të gjithë, u fshehën e u zhdukën! Si minjtë kur ndjejnë tërmetin!

U zhdukën dje, për t’u ringjallur sot e për të na u shfaqur si “Hibrid”, si minjtë e Dino Buxatit, në “Familjen që e gllabëruan minjtë”.

“Një verë e largët (tregon ai),shumë kohë para luftës – ishte hera e dytë që shkoja si mik në shtëpinë e Koriove – më solli në mendje këtë skenë: isha ngjitur në dhomën e fundit të katit të dytë, ajo me dritaret nga oborri, e po shtrihesha të flija.

Dëgjova papritur një zhurmë të vogël, një gërvishtje në fund të derës. Shkova ta hap. Një miush i vogël shkau mes këmbëve të mia, mespërmes dhomës, dhe u fsheh poshtë komosë. Iku me një vrap të ngathët, aq sa mund t’a kisha shkelur me këmbë, po të doja. Por ishte i këndshëm dhe i brishtë.

Fare pa ndonjë qëllim, të nesërmen ia përmenda Xhovanit ( të zotit të shtëpisë).

-Aha, po, – tha ai pa i dhënë rëndësi, – qëllon që del ndonjë mi nëpër shtëpi.

Kaloi një vit. Sapo futem në vilë, shoh dy mace të mëdha, me një gjallëri befasuese: mace me vija, muskulaturë prej atletësh, me gëzofin që u shkëlqen si atyre maceve që ushqehen me minj.

-Qenkeni vendosur, më në fund. Kushedi sa e mbushin barkun! S’kanë për të vuajtur për minj këtu.

-Jo, përkundrazi. Rrallë hanë minj, me raste. Po të jetonin vetëm me minj ato…

-I shoh shumë të shëndetshme.

-Po, janë mirë, s’u mungon shëndeti. Kanë gjithë të mirat e Perëndisë në kuzhinë.

Kaloi dhe një vit tjetër, dhe kur futem në vilë për pushimet e zakonshme, dy macet më dalin sërish përpara. S’duken më të shëndetshme e të shkathëta, por të dobësuara, kockë e lëkurë, të drobitura. Nuk rendin më nga njëra dhomë në tjetrën. Përkundrazi, rrinë gjithnjë nëpër këmbët e të zotëve, si të përgjumura, pa dashur të marrin asnjë nismë. I pyes:

-Janë sëmurë? Pse janë kaq të plogështa? Nuk kanë më minj për të ngrënë?

-E gjete! –tha Xhovani Korio me gjallëri, e pastaj qeshi me të madhe – kanë varur turinjtë që kur s’ka më minj shtëpia. S’u ka mbetur as fara!

Më pas, Xhorxho, djali më i madh, më merr veç e më thotë me pamje komplotisti:

-E di si është e vërteta? Kanë frikë!

-Kush ka frikë?

-Macet, kanë frikë! Babai s’do që ta përmendim fare. E bezdis kjo bisedë. Por është e sigurt që macet kanë frikë.

Brenda një viti, nga dhjetë që ishin, ato kafshë të ndyra janë bërë me qindra… e s’janë më ata miushët e atëhershëm. Janë si tigra. Më të mëdhenj se një urith, me gëzof të neveritshëm e të zi. Macet s’dinë t’i kapin!

Dhe vitin tjetër, që nga nata e parë, dëgjova një zhurmë të llahtarshme sipër tavanit të dhomës sime, sikur vraponin njerëz. Dhe e dija mirë që sipër s’kishte njeri, se aty ishte vetëm papafingoja e pabanueshme, plot me mobilie e arka të vjetra.

-Duket si këmbësori! – them me vete – Do të jenë bërë shumë të mëdhenj ata minj.

Këtë zhurmë dëgjoja, derisa më zuri gjumi. Të nesërmen, pyes në tavolinë:

-S’do të bëni gjë për këta minjtë? Po bënin namin mbrëmë mbi tavan.

Xhovani më sheh me fytyrë të habitur.

-Minjtë?! Për çfarë minjsh e ke fjalën? Falë Zotit, s’kemi më asnjë mi në shtëpi.

Edhe prindërit e Xhovanit, pleqtë që po rrinin në sallon, më thonë:

-Çfarë minjsh thua! Do t’i kesh parë në ëndërr, i dashur.

Mos e beso babanë. Ato që dëgjove ishin minj, e ndonjëherë as neve s’na zë gjumi. Veç t’i shohësh, janë përbindësha! Të zinj sterrë, me qimet që u ngrihen si gjemba. Dhe macet, sa për dijeni, i përzunë minjtë… ndodhi natën. S’kishim as dy orë që na kishte zënë gjumi, dhe na zgjuan mjaullimat e tmerrshme! Zbritëm poshtë, por macet s’dukeshin gjëkundi. Gjetëm vetëm tufa qimesh e njolla gjaku gjithandej.

-Po si nuk merrni masa? Çarqe! Helme! S’e kuptoj si nuk shqetësohet yt atë!

-Po si jo! I është bërë makth. Por tani ka frikë dhe ai, e thotë që më mirë të mos i provokojmë, se do të ishte më keq. Thotë që s’do të shërbente për asgjë, se tashmë janë shtuar shumë. Thotë që e vetmja zgjidhje është t’i vësh flakën gjithë shtëpisë. E di çfarë thotë tjetër? Është qesharake vetëm ta mendosh. Thotë që s’ia vlen t’u dalim kundër.

-Kujt t’u dilni kundër?

-Atyre, pra! Minjve!

Minjtë janë të gjithë njësoj!

Edhe minjtë e tregimit të Buzzatit, edhe minjtë e kanaleve, edhe minjtë e ugareve, edhe ato të “Bllokut”, po, po, edhe ato të “Bllokut” njësoj janë!

Pra, minj, edhe pse minj – hibrid,në fund të fundit minj janë!

Ata miushët e dikurshëm, ata që nuk qenë të zot të thonin një fjalë e të mbronin baballarët e tyre, kanë rilindur e janë rikthyer. Janë rikthyer si “Hibrid”!

-Ku janë?!…
I gjeni kudo mes nesh; janë ministra, deputetë, këshilltarë, drejtorë, ambasadorë!
Gjithkund, kudo!
Kanë rilindur! Sepse edhe minjtë rilindin! Rilindja e minjve!

Përgjigjja është e thjeshtë, tmerrësisht e dhimbshme në të vërtetën e vet!

“Plaku Ziso Vangjeli gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Historian dhe ushtarak punoi në Paris, pastaj në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej në Shqipëri,na dëshmon në një prej librave të tij shkrimtari Visar Zhiti. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog. Ja fali shtetit gjithë bibliotekën e tij, por përfundon në burg.

– Kur të bjerë “komunizma”, – thosh – se do të bjerë “patjetër”, ne do të vuajmë më pas me dekada prej hibridit… Bijtë e të kuqve do të vijojnë etërit. Ajo përzjerje zelli dhe inati, herë i fshehtë e herë i hapur për etërit e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë dhe më të liq.

Nga kundërshtarët e tyre që i urrejnë për vdekje, do të vjedhin idetë, projektet dhe deri dhe sloganet e do t’i propagandojnë më mizorisht për t’i vënë ata në jetë, gjoja si amanete. Dhe do të kërkojnë me çdo çmim zhdukjen e të zotërve të këtyre ideve. Do të kërkojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj të kuq dhe kundërshtarët do t’i durojnë sa për sfond.

Do të kërkojnë të bëhën ata pronarë dhe që të mbrohen do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e rroposën ose e luftuan gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, janë të papërvojë. Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Gjatë, mjaft gjatë. Hibridët janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata.

Do të jetë më keq ca kohë e njerëzit do të mendojnë diktaturën si zgjidhje. Burg i detyruar. Liri e detyruar. Kaos dhe llum. Pra, pas dënimit me burg, populli do të dënohet me liri qorre. Liria qorre është dënim. Se ne nuk do të dimë ç’t’i bëjmë asaj si një gjëje të tepërt. Do ta përdhunojmë si barbarët. Unë nuk do të jem atëhere. Ju do të jeni: Mbaje mend dhe kujtomë. S’ke Ç’bën, jo. Veç kujtomë mua, plakun.
…nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut!”

Minjtë janë ringjallur!…

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...