Nga Fatos Lubonja/ Ky i Reformës në Drejtësi ishte një dështim i paralajmëruar nga jo pak vetë, por më emblematiku mbetet paralajmërimi i Komisionit të Venecias pasi iu dërgua drafti: “Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tilla radikale (si procesi i rivlerësimit [vetingut F.L.]) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shtojnë mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmangin vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijojnë rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin”.
Provat se ka ndodhur pikërisht kështu janë të shumta. Madje, e kanë kaluar imagjinatën e komisionarëve të Venecias sepse askujt asokohe nuk do t’i shkonte mendja se “destabilizimi i punës së gjyqtarëve” do të arrinte deri aty sa vendi të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, se do të bllokohej shkolla e Magjistraturës etj.. Po ashtu, edhe për sa i përket kapjes, askush nuk e imagjinonte se në sajë të Reformës, do të kishim një Kryeprokurore si Arta Marku, që me veprimet dhe mosveprimet e saj po sillet si kamikaze e maxhorancës. (Mjaft të kesh parasysh mënyrën sesi u soll ndaj protestuesve të Kukësit apo rastin e vëllait të Xhafajt më një anë dhe heshtjen ndaj grabitjes që synohet t’i bëhet pronës publike te Teatri Kombëtar më anë tjetër).
Pikëpyetja që ngrihet është: si ka mundësi që ndërkombëtarët që u konsideruan si garanti i Reformës vazhdojnë ta mburrin si një punë të suksesshme dhe të këmbëngulin në vazhdimin e procesit të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama?
Sigurisht, nuk mund të futen të gjithë ndërkombëtarët në një thes dhe po ashtu nuk mund të gjesh një arsye të vetme për këtë, por po rreshtoj disa arsyeve që më duken më evidentet.
NDJENJA E SUPERIORITET
Duke ndjekur aktivitetin dhe deklaratat e ambasadores së BE, Vllahutin, apo të ambasadorit amerikan, Donald Lu, (që u ekspozuan si kampionët e reformës) ashtu sikurse edhe të disa funksionarëve të BE si Hann, nuk mund të mos konstatosh një pozicion prej sipërori që dikton dhe imponon zgjidhje, që për shqiptarët duhet të jenë të padiskutueshme. Asnjë dialog me shqiptarët e tjerë përveç maxhorancës nuk kemi parë të zhvillohet kur u vendos që të kryhej kjo reformë. U bë një punë nën rrogoz nga fondacioni Soros që ka vite tash më që nuk vepron si kundërpart i pushtetit, por si “levë e partisë” së Edi Ramës, që ndihmoi në përgatitjen e një drafti që nxirrte sheshit synimet e maxhorancës për ta vënë Drejtësinë në dorë të Qeverisë, për të cilin Vllahutin deklaroi se mund të votohej edhe pa miratimin e opozitës. Ky qëndrim prej sipërori që dikton dhe nuk dialogon e që bashkëpunon vetëm me ata që kanë pushtetin ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot të mos ngrejë asnjë dyshim të arsyeshëm tek këta ndërkombëtarë, me gjithë dështimin e prekshëm dhe me gjithë skandalet e përditshme të qeverisë së Edi Ramës, që tregojnë se kjo kategori politikanësh nuk ka asnjë lidhje me respektin ndaj drejtësisë dhe ligjit.
MOSNJOHJA DHE MANIPULIMI
Kur i shkruaja një njeriu të njohur se si ka mundësi që nuk reagon ambasadori italian Cotullo lidhur me atë që po ndodh me Teatrin (duke pasur parasysh jo vetëm shkeljet e Kushtetutës shqiptare e ato të ligjeve europiane, por edhe se bëhej fjalë për një trashëgimi kulturore që na lidh me Italinë e për të cilën Instituti Italian i Kulturës ka shpenzuar para për ta promovuar), m’u përgjigj: “Por, ai ndoshta nuk e di krejt historinë sepse ka ardhur në Shqipëri vetëm dy vjet më parë. Dhe ambasada nuk është selia e KGB, ku dihet gjithçka për të gjithë”. Pyetja që të vjen vetvetiu është: po atëherë, kur paskan një njohje kaq të cekët të realitetit shqiptar, përse mbështesin pa rezerva gjëra që kërkojnë një njohje shumë më të thellë sesa njohja e historisë së arkitekturës së Tiranës, siç është raporti i politikës me drejtësinë në Shqipëri?
Gjykoj se kjo nuk është vetëm çështje cektësie njohjeje, por edhe manipulimi. Tashmë dihet se ka një grup aktivistësh shqiptarë, dhe jo vetëm, që në një mënyrë ose në një tjetër, janë të kapur nga maxhoranca, kryesisht me forcën e lekut, e që nuk kanë punë tjetër, veçse të xhirojnë nëpër ambasada që të japin opinionin e tyre “të pavarur” në favor të qeverisë për çfarë ndodh në Shqipëri.
ZGJEDHJA IDEOLOGJIKE
Një arsye tjetër është edhe mbështetja apriori, pa asnjë mendim kritik, i partive të qendrës së majtë europiane që e konsiderojnë partinë e Edi Ramës si pjesë e familjes së saj europiane. Ka dy arsye për këtë mbështetje: së pari mosinformimi se PS nuk është një parti e majtë, por vegla më e paskrupullt e oligarkisë dhe ekonomisë kriminale, që ka katandisur në mjerim dhe dëshpërim shtresat më të brishta të vendit. Së dyti, fakti se edhe në Perëndim partitë e qendrës së majtë nuk e kanë më ndjeshmërinë që kanë pasur ndaj pjesës më të brishtë të popullsisë – çka ka shkaktuar edhe rënien e popullariteti të tyre. Përndryshe, Edi Rama nuk do të guxonte t’i mburrej publikisht Mateo Renzit se në Shqipëri nuk ka sindikata, si në Itali, prandaj investitorët italianë nuk duhet të tuten të vijnë këtu.
KONFLIKTI I INTERESAVE
Buon-sensi minimal të thotë se nuk është “fair” që ambasadorë që punojnë, të sjellin armët kimike apo muhaxhedinët në Shqipëri, apo biznese të vendeve të tyre, – për çka u duhet miratimi i maxhorancës dhe i qeverisë së krijuar prej saj, – të punojnë njëkohësisht edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, që normalisht do të duhet të ketë target kryesor pikërisht maxhorancën, pasi historia jonë tregon se zullumet më të mëdha në këtë vend i kanë bërë gjithmonë maxhorancat. Edhe nevoja e injorimit të këtij konflikti interesi i kanë bërë mjaft ambasadorë të rreshtohen “nga ana e forcës politike që kontrollon procesin” e Reformës në Drejtësi.
PUNA KORRUPTUESE E EDI RAMËS & CO
Fakti që nuk kemi prova evidente për korruptimin e ndërkombëtarëve të caktuar të përfshirë në mbështetjen e Reformës në Drejtësi – ndonëse rasti i vilës së Vllahutin në Rolling Hills apo ndërhyrja e Lu në Prokurorinë shqiptare për Bankers Petrolium janë tejet të dyshimta – nuk na pengon ta ngremë hipotezën e korruptimi të ndërkombëtarëve, duke pasur parasysh se ka tashmë prova të shumta se politikat e rilindësve të Ramës janë gjerësisht dhe thellësisht të bazuara në blerjen dhe korruptimin e njerëzve si brenda dhe jashtë vendit. Për gjithë sa thashë, gjykoj se ndërkombëtarët e përfshirë në këtë të ashtuquajtur Reformë në Drejtësi nuk duhen konsideruar më si shpresë e zgjidhjes së problemit të krijuar, por si pjesë e këtij problemi.
/Panorama/