Qëndrimi i Ish-kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike ndaj çështjes së Kosovës

E Enjte, 16 August 2018 17:56

Nga Mujë Buçpapaj

Hyrje

Ky libër është një përpjekje për të shpjeguar qëndrimet e PDSH-së dhe të lidërit  të saj Sali Berisha, ndaj çështjes së Kosovës dhe çështjes kombëtare në tërësi. Ai merr në analizë një periudhë kohore 9-vjeçare, duke filluar prej dhjetorit të vitit 1990-të, kohë e cila përkon me lindjen e Partisë Demokratike dhe bashkë më të edhe të shpresave të shqiptarëve për një identitet të ri kombëtar.

Në faqet e këtij libri do të gjeni angazhimet e jashtëzakonshme të Presidentit Berisha për të përballuar dhe kapërcyer trashëgiminë komuniste të shtetit të mëparshëm totalitar në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare, por dhe kontributin e Berishës për njohjen, parashtrimin dhe zgjidhjen e kësaj çështje, “si ndër më të rëndësishmet në dertiminimin që shfaqet në arkitekturën e sigurimit të Evropës së pasluftës së ftohtë”. Një vend dominant në këtë libër zënë qëndrimet e ish-presidentit Berisha ndaj UCK-së, si dhe ndaj lëvizjes çlirimtare në Kosovë në tërësi, prej fillimeve deri në mbarim të kësaj lufte në qershor të vitit 1999.

Me 12 korrik të këtij viti botova një artikull të gjatë me këtë temë në gazetën “Rilindja Demokratike”. Pas publikimit të tij, miqtë e mijë në Partinë Demokratike me sugjeruan që t’i zgjeroja ato shënime dhe t’i paraqisja në trajtën e një libri të plotë. Ky libër sado që i shkruar në një kohë rekord, është i bazuar në disa vite pune dhe shënimesh të vazhdueshme. Vetë qenia si gazetar i “Rilindjes Demokratike” dhe shtypit të kësaj partie për rreth një dekadë më ka dhënë mundësi të pa-parëseritshme për të ndjekur nga afër politikën e PD-së dhe të Berishës, si ndaj çështjeve të tjera edhe ndaj çështjes kombëtare, e cila për Berishën, siç del edhe në këtë libër, ka qenë dhe mbeten një prioritet.

Duke patur mbi tavolinë të punës qindra faqe të shkruara me shënime rreth qëndrimeve të Berishës ndaj çështjes së Kosovës, në takime me elektoratin shqiptar, politikanë të huaj, njerëz të UCK-së, refugjatë të luftës, aleatë dhe kundërshtues të fortë të çështjes tonë kombëtare, jam përpjekur të bëj një analizë sa më të paanshme.

Unë jam shumë mirënjohës kolegëve të mi të “Rilindjes Demokratike” për ndihmën që më kanë dhënë për sugjerimet  e tyre, të cilat kanë qenë një mbështetje e mirë për botimin e këtij libri, i cili u kushtohet të gjithëve atyre që luftuan dhe ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vështrim i përgjithshëm

  1. 1. Njohja e Republikës së Kosovës fillimi i përpjekjeve të mëdha për ndërkombëtarizmin e çështjes së saj

Vetëm për pak kohë pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe rikthimit të refugjatëve të luftës atje, shumëkush jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Perëndim është tejet i bindur se po të kishte qenë në krye të shtetit shqiptarë ish-presidenti Sali Berisha do ta kishte orientuar kombin e vet drejt një qëndrese kolektive kundrejt agresorëve serbë. Fakti që shqiptarët në Ballkan mbetën të paorganizuar dhe në ikje totale, duke përjashtuar një pjesë të konsiderueshme që u radhitën me luftëtarët e lirisë, flet qartë për atë se ata që erdhën në pushtet pas Berishës nuk kishin as vullnetin politik, por as edhe kurajën për të mbrojtur kombin e tyre nga barbaria serbe. Duke e parë në vështrimin historik qëndrimin e Berishës ndaj Kosovës është më konsekuenti i mbajtur nga politikanët shqiptarë qysh prej themelimit të shtiti shqiptar më 1912 e deri më sot.

Në përcaktimin e tij ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare në tërësi, siç duket kanë qenë formimi i tij kulturor, tradita familjare dhe shoqërore, origjina, si dhe koha kur ai ka dalë në skenën politike shqiptare, e cila lidhet me lëvizjet e mëdha të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi në fund të viteve 1980. Padyshim një rol të rëndësishëm në qëndrimin e tij të prerë ndaj Kosovës ka luajtur qenia e Berishës në krye të lëvizjes studentore antikomuniste, e cila kishte një orientim të qartë pro Kosovës. Ky orientim ndaj çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare në tërësi do të forcohej me zgjedhjen e Berishës kryetar i Partisë së parë opozitare në vend, e cila do ta shpallte çështjen kombëtare si çështje prioritare. Nuk do pyetje që zgjidhja e Berishës në mënyrë plebishitare si president i Shqipërisë në pranverën e vitit 1992 do të bënte që kryetari i ri i shtetit të ndiqte një kurs kombëtar në politikën e tij edhe për shkak se ai ishte zgjedhur në këtë post pa influencën e qarqeve të huaja me interesa të mëdha në Shqipëri, siç kishte ndodhur të paktën këto 50 vitet e fundit me krerët e shtetit shqiptarë. Sali Berisha ashtu siç rrëzoi diktaturën më të egër komuniste në Evropë, më po ato energji dhe kurajo do të orientonte vendin e tij drejt reformash thelbësore politik, ekonomike dhe institucionale, do të prishte edhe skemën e mëparshme të qëndrimit të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare në tërësi. Duke i dhënë asaj përmasat e nevojshme në politikën e shtetit të ri shqiptar. Qysh tani do të merrte fund politika e vjetër e shtetit komunist, e cila kishte rezultuar si një skemë e manipulimit dhe e përdorimit të çështjes së Kosovës për interesat e brendshme, të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit politik, e cila rezultonte me kompromise të njëpasnjëshme me jugosllavët ndaj çështjes së Kosovës. Sipas dokumenteve të publikuara pas vitit 1992  nga historianët e njohur Luan Malltezi dhe Ndreçi Plasari, ky kompromis shkon deri në tradhti të plotë ndaj Kosovës dhe çështjes tonë kombëtare në tërësi.

Ndryshe nga kjo histori lëpirjesh dhe kontradiktash  fallco mes Tiranës dhe Beogradit, e cila kishte flijuar gjatë 50 vjetëve interesin e rreth 3 milionë shqiptarëve në ish-Jugosllavi, në programin e parë të PDSH-së, të dhjetorit 1990-të,  vetë lideri Berisha do të insistonte që aty të përcaktohej qartë qëndrimi i kësaj force të re politike ndaj Kosovës.  Në programin  e parë të PDSH-së, thuhej shprehimisht se “populli shqiptar i Kosovës kishte të drejtë të vetëvendoste rreth të ardhmes së tij”, çfarë do të thoshte se pavarësia ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën. Gjatë këtyre nëntë vjetëve të PD-së dhe Berishës në politikën shqiptare, kjo linjë do të mbetej e pandryshuar. Ajo do të bëhej udhërrëfyese në punët e shtetit demokratik shqiptarë gjatë pesë vjetëve të qeverisjes së Berishës, në përiudhën 1992-1997. Përcaktimi i politikës së Berishës ndaj çështjes së Kosovës del se ka qenë e bazuar në tre parime themelore. Së pari, “Në njohjen e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës”, prandaj edhe në programin e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Shkruhej se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet mbi bazën e parimit “të vetëvedosjes”. Së dyti , “në mbrojtjen pa kompromis të lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Kosovë dhe kudo ku ndodhën ata, në përputhje me të gjitha aktet ndërkombëtare“, së treti  “Në ndërgjegjësimin e shqiptarëve, së çështja kombëtare, është para së gjithash vetjake dhe se pa realizuar këtë, ne si shqiptarë nuk kemi të tre te ardhme.”

Sic ka deklaruar vetë Zoti Berisha, “PDSH nisi veprimtarinë e saj në mbrojtje të çështjes kombëtare. Mbi këtë bazë më 1991, Berisha dhe PD i imponuan mazhorancës socialiste në parlament të miratojë rezolutën për njohje e Republikës së Kosovës dhe vullnetin e lirë të popullit të Kosovës. Mbi këtë bazë Berisha dhe PD “njohën udhëheqjen legjitime të Kosovës dhe nisën përpjekjet e mëdha për ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës”, duke mos gjetur asnjë traditë në politikën shqiptare të 50 viteve të fundit, duke gjetur pak aleatë në politikën perëndimore, kryesisht  për shkak të orientimit të gabuar të diplomacisë së vjetër të shtetit shqiptarë. Politika e diktatorit Hoxha ishte orientuar tërësisht kundër vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës, e cila kërkonte vetëvendosje dhe shkëputje nga Jugosllavia, qysh prej konferencës së Bujanit, 31 dhjetor 1943-2 janar 1944, ashtu siç i lejonte edhe vet kushtetuta e ish-Jugosllavisë së pasluftës së Dytë Botërore. Politika e Hoxhës kishte synuar një demagogji të brendshme që shkonte në interes të mbajtjes së pushtetit si dhe për ngritjen e disa grupeve marksiste-leniniste në Kosovë dhe në disa vende perëndimore, përsëri për t’i përdorur për llogari të pushtetit të tij.

Me ardhjen në pushtet të demokratëve dhe Berishës më 22 mars të vitit 1992 kjo politikë do të ndryshonte. Ata do të shpallnin një politikë të qartë rreth çështjes kombëtare dhe veçanërisht asaj të Kosovës. Shtetit të ri demokratik do t’i binte të përballonte shumë në favor të njëri-tjetrit.

Shtetit të ri demokratik do t’i binte dy fenomene të cilat për rrethanat e njohura nuk ishin shumë në favor të njëra-tjetrës.

Nga njëra anë ai duhet të integrohej në organizmat dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat nuk shfaqin shumë mirëkuptim me politikat e ashtuquajtura “nacionaliste” dhe nga ana tjetër me prezantimin e çështjes së Kosovës, si çështje e një populli të ndarë e cila kishte të drejtë të vendvendoste qoftë edhe të bashkohej me Shqipërinë. Pesë muaj pas ardhjes së Berishës  në krye të shtetit shqiptar, pikërisht në shtator të vitit 1992, në Samitin e kryetarëve të shteteve të vendeve të OSBE-së në Helsnik, siç dihet delegacioni shqiptar i kryesuar nga Presidenti Berisha do të bllokonte punimet, deri sa u pranua klauzola në të cilën Kosova ndahej veç, ku do të thuhej shprehimisht së “çështja e Kosovës duhet të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në prani të palës së tretë”. Pas rreth 80 vjetësh injorimi total të institucioneve ndërkombëtare ndaj dramës kombëtare të shqiptarëve, çështja e Kosovës do të fillonte prezantimin e saj ngadalë, por e sigurte, si një çështje evropiane prej zgjidhjes, të së cilës do të varej edhe arkitektura e këtij kontinenti pas mbarimit të luftës së ftohtë. Ky akt do të përbënte siç thotë Berisha “dokumentin e parë juridik ndërkombëtarë të ndërkombëtarizmit të plotë të çështjes së Kosovës.” Ata që deri tani e kishin trajtuar çështjen e Kosovës si “një çështje të brendshme të Beogradit” do të dështonin hap pas hapi, sa më shumë që problemi kosovar prezantohej në kancelaritë evropiane dhe amerikane. Siç do të shprehej ish-Presidenti Sali Berisha pas rreth shtatë vjetësh “Çështja e Kosovës do të ishte po kaq një çështjee Uashingtonit, e Parisit , Londrës, Bonit dhe institucioneve ndërkombëtare.”

Nisur nga rrethanat ballkanike, lufta në ish-Jugoslllavi dhe shpërbërja e ish-federatës Jugosllave, krahu nacionalist në Shqipëri priste tmerrësisht më shumë nga udhëheqësi i tyre për sa i përket Kosovës. Por disa rrethana të brendshme, si fuqia e dobët ekonomike dhe pastabiliteti i vendit, me siguri do ta kenë frenuar kryetarin e ri të shtetit shqiptar për të ndërmarrë hapa akoma më të guximshëm. Shqipëria doli nga sistemi komunist me një ekonomi të paralizuar, tërësisht të shkatërruar dhe jashtë standardeve bashkëkohore. Kjo varfëri totale i kishte çuar shqiptarët për fat të keq, deri në mallkim ndaj Atdheut dhe vendit.

Ky dëshpërim i pafund, sic dihet i pati nxitur njerëzit në eksode masive për në Perëndim, por edhe në shkëputje të plotë ndaj interesit kombëtar.

 Në këtë ftohje dhe indiferencë ndaj çështjes shqiptarë në fillimi të viteve ‘ 90 , nuk do të pyetje se një rol negative kishte luajtur edhe një edukatë internacionaliste e propaganduar me intensitet të lartë nga sistemi komunist, por edhe nga vigjilenca e ish-komunistëve tani në opozitë ndaj kursit nacionalist të Berishës.

Megjithatë Samiti i Helsnikit përbënte “një fitore të madhe historike në vitin e dytë të themelimit të PDSH, të mbrojtjes prej saj të çështjes kombëtare”, qëndrim i cili do të mbrohej nga shteti shqiptarë dhe Berisha edhe në disa takime të tjera të këtij forumi të lartë, përfshirë edhe Samitin e kryetarëve të shteteve të OSBE-së të mbajtur në Lisbonë në vitin 1996. Gjatë viteve të qeverisjes së Berishës diplomacia dhe politika shqiptare morën një orientim kombëtarë bashkëkohor. Gjatë viteve 1992-1997, kjo diplomaci ia doli që të miratonte në OKB tre rezoluta të veçanta për Kosovën, në të cilat “dënohej shtypja e 2 milion shqiptarëve në Kosovë” dhe “kërkohej respektimi i lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Kosovës”. Ballafaqimi me diplomacinë serbe kishte filluar me një sukses të plotë për palën shqiptare, pavarësisht se diplomacia jonë ishte krejt e re dhe akoma pa shumë miq të fuqishëm. Një nga objektivat e Berishës me siguri duhet të ketë qenë sigurimi i aleatëve të fuqishëm të kombit të vet, prezantimi tek ata i tragjedisë së kombit shqiptar në fillim të këtij shekulli(shek. 20-të), si dhe i njohjes me problemet e tyre në këtë epokë të re të ribërjes së hartës gjeopolitike të Ballkanit dhe të vetëvendosjes së popujve. Presidenti Berisha e kishte të qartë se për sendërtimin e interesave kombëtare të popujve fqinj me shqiptarët, për krijimin e shteteve të tyre në Ballkan, kishin ndikuar fuqitë e mëdha, mentorët e tyre të mëdhenj, aleatët e fuqishëm, çfarë në të vërtet shqiptarëve deri tani u kishin munguar.

Për këtë qellim Presidenti Berisha menjëhërë do të shpallte

 dy prioritete të rëndësishme: së pari anëtarësimin e vendit në NATO dhe së dyti forcimin e marrëdhënieve me SHBA-të.

Siç shprehet vetë zoti Berisha PDSH u themelua si “forca e parë politike në Evropën Lindore, ish-komuniste që do të kërkonte në dhjetor të vitit 1990 anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Berisha do ta paraqiste i pari zyrtarisht kërkesën për antarësimin e Shqipërisë në NATO në pranverën e vitit 1992 në Bruksel. Qeveria e Partisë Demokratike është ndër të parat në Evropën Lindore postkomuniste që nënshkroi “Partnartetin  për paqe”, duke vendosur në vazhdim  marrëdhënieve të shkëlqyera me NATO-n.

Vizioni politik i Berishës në fillim të viteve 1990-të, si kryetar shteti do të vërtetohej disa vite më vonë me fillimin e luftës masive  në Kosovë në fund të marsit 1999 kur SHBA-të dhe NATO do të mbronin kombin shqiptar nga zhdukja dhe spastrimi etnik, ndërkohë që aleatët e komunistëve në pushtet do të manifestonin që nga Moska në Beograd, Selanik dhe Romë në mbështetje të Milloshoviçit. Kurrë ndonjëherë në historinë e tyre, shqiptarëve nuk u është dhënë rasti për të parë kaq qartë politikën antikombëtare të komunistëve shqiptarë të ndjekur përgjatë 50 vjetëve të shkuara. Kurrë ndonjëherë atyre nuk iu dha rasti më i plotë për të dalluar miqtë dhe armiqtë e kombit të tyre se sa gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kosova dhe lufta atje foli qartë për politikën kombëtare shqiptare. U pa qartë se Berisha kishte trokitur në portën e duhur për të kërkuar ndihmë për zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare. Presidenti shqiptarë kishte kërkuar qysh në vitet 1992-1993 dhe 1994 “bombardimin e makinerisë ushtarake të Beogradit”. Pasi për Berishën, diktatori serb po bëhej gjithnjë e më i rrezikshëm për shkak se po “përdorte armët e grumbulluara të të gjithë Jugosllavisë për të vrarë popujt e tjerë të paarmatosur si sllovenët, kroatët boshnjakët dhe shqiptarët”, siç edhe ndodhi me të vërtetë. Komuniteti ndërkombëtarë i interesuar në këto vite për ruajtjen e ish-Jugosllavisë, qoftë edhe me çdo çmim, nuk pati reaguar ndaj paralajmërimeve të presidentit shqiptar, i cili ishte i interesuar që  të mbronte nga zhdukja serbe dy milionë shqiptarët e pambrojtur të Kosovës dhe shqiptarët e tjerë në ish-Jugosllavi.

Presidenti shqiptar Sali Berisha me një kulturë të gjerë, njohje dhe kompetencë, pa komplekse dhe inferioritet mbrojti në mënyrë të palëkundur interesat interesat e shqiptarëve në  Kosovë dhe çështjen shqiptare. Pas 50 vjetësh, perëndimi po dëgjonte një zë autentik nga shqiptarët e Ballkanit duke mbrojtur çështjen e tyre të drejtë, me sigurinë dhe këmbënguljen e një politikani me vizion rreth të ardhmes së shqiptarëve, por edhe të Ballkanit dhe Evropës.

Në takimin e parë që zoti Berisha pati në Shtëpinë e Bardhë në korrik të vitit 1992,  do t’i deklaronte presidentit Xhorxh H. Bush, në lidhje me Kosovën  se “Ne jemi të përcaktuar për zgjidhje politike dhe ne e mbështesim zgjidhjen politike, por në rast se Milloshevici do të bombardojë fshatrat dhe qytet e Kosovës, ne nuk kemi  asnjë mesazh tjetër, veçse do të qëndrojmë si komb i vetëm.”

Burri i madh i kombit amerikan, heroi i luftës së Dytë Botërore, siç shprehet vetë Berisha për Xhorxh Bushin, do pyeste Berishën në atë moment se çfarë nënkuptonte me këtë. Sali Berisha i është përgjigjur presidentit të vendit më të fuqishëm të planetit: “Zoti President, unë nënkuptoj me këtë se do t’u them vëllezërve të mi në Kosovë, mbroni me çdo kusht shtëpitë dhe gratë tuaja, do t’u them shqiptarëve se do të përballemi bashkërisht me këtë barbar, i cili do të na shkëpusë nga trojet tona mijëravjeçare, do të na shfarosë dhe të na hedhë në detin Adriatik, ndërkohë që vendi ynë është aty ku kemi lindur, nuk jemi në toka të të tjerëve dhe po të mos u them këto fjalë, unë nuk mund të përfaqësoj shqiptarët në Shtëpinë e Bardhë”. Siç ka deklaruar vite më vonë Presidenti Berisha,  Presidenti Bush i kishte thënë “ke të drejtë”. Në këtë moment kishte ndodhur një ngjarje e madhe për historinë e Kosovës dhe kombit shqiptar. Ajo ishte shtruar për herë të parë në përmasat e duhura, në vendin e duhur në Uashington, me logjikën, forcën dhe dhimbjen që përmbante kjo çështje.

Politika amerikane kishte filluar të mendonte rreth Kosovës si për një ceshtje e cila do të përcaktonte paqen dhe stabilitetin  në Ballkan

Siç shprehet vetë Berisha mbi këto qëndrime, Presidenti amerikan Xhorxh Bush  në Krishtlindjet e vitit 1992 do të hiqte “vijën e kuqe për Milloviçin në Kosovë”. Sipas së cilës “në rast se Milloshevici do të dërgonte forcat në Kosovë do të përballej me atë që u përball në 70 ditët e fundit, pra do të bombardohej me fuqinë ajrore të SHBA”.

PD gjatë qëndrimit të saj në pushtet, në të gjitha takimet ndërkombëtare e shtroi si çështje kryesore, çështjen e Kosovës. Liderët e Kosovës filluan të njihen e të priten kudo në perëndim, tani Kosova nuk kishte gjë tjetër, veçse një territor i pushtuar i Evropës, nga barbarët serbë.

Rruga e vetme për pavarësinë e Kosovës do të ishte bashkëpunimi i ngushtë me aleatët perëndimorë, kryesisht SHBA-të dhe NATO-n

Lidhjet e forta të Berishës dhe Shqipërisë me SHBA-të ngjalli shumë konsekuenca dhe xhelozi tek fqinjët tanë. Shqipëria me ndihmën e Amerikës po shpejtonte integrimin institucional dhe ekonomik në Evropë. Ajo kishte përpara një të ardhme të sigurte. Kërkesa e Presidentit Berisha për vetëvendosjen e mbi 2 milionë shqiptarëve të Kosovës nxori në dritë shumë probleme. Do të fillonte në të njëjtën kohë edhe plani i fshehtë serbo-grek për eliminimin e tij nga pushteti, ose së paku ndalimin me çdo kusht i përsëritjes së mandatit të tij të dytë. Fqinjët e Shqipërisë po shihnin tek politika e Berishës rrezikun e pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Çfarë do të bënte që të humbnin përgjithnjë, siç edhe humbën, politikat lindore, proruse në rajon. Megjithatë opsioni i bashkimit kombëtar i bërë publik nga Berisha në dhjetor 1990 në një intervistë të dhënë në një radio të huaj nuk do të përsëritej më, por pas ardhjes së tij në krye të shtetit shqiptar çështja e pavarësisë së Kosovës do të ishte prioritet i politikës së jashtme të shtetit demokratike shqiptar.  Berisha si kryetar shteti e kishte kuptuar se rruga e vetme për pavarësinë e Kosovës do të ishte bashkëpunimi i ngushtë më aleatët perëndimore kryesisht SHBA-të dhe NATO-n, duke patur parasysh parimin e presidentit gjerman Adenaur “duke u përpjekur të zgjerojmë hap pas hap liritë dhe kompetencat tona”. Presidenti Berisha e ka parë gjithmonë mundësinë e realizimit të Pavarësisë së Kosovës, të lidhur me mbështetjen e SHBA-ve, pavarësisht pse qysh në fillim kjo politikë vizionare e Presidentit Berisha u sulmua ashpër nga ish-komunistët në opozitë. Janë qesharake po t’i shikosh sot fjalimet e deputetëve komunistë mbajtur në parlamentin pluralist shqiptarë kundër NATO-s dhe SHBA-ve, ata këmbëngulnin në politikën e vjetër të mbajtjes së Shqipërisë në influencën lindore. Presidenti Berisha do të deklaronte se “Gjatë një shekulli, çështja shqiptare u përball me dy armiqtë më të egër të saj, shovinizmin serbomadh dhe komunizmin shqiptar si doktrinë tërësisht ruse, si doktrinë e dobësimit të ceshtjes tonë kombëtare.”

“Për t’i dhënë goditjen përfundimtare dhe zgjidhjen përfundimtare ceshtjes shqiptare në Lindje, ka shkruar presidenti Berisha, Kominterni do të themelonte në nëtor të viti 1941 në Tiranë repartin antishqiptar Partinë Komuniste Shqiptare(PKSH)

me të deleguarit e shovinizmit serbomadh. Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën.” Në fund të luftës, sipas dokumenteve të botuara, dukett se si “diktatori i Moskës do t’i thoshte Titos në takimin e parë zyrtar në Moskë se ju duhet të gllabëroni Shqipërinë, në mënyrë që hapësirat shqiptare të përfundonin në hapësirat lindore”.

Siç shprehet ish-Presidenti Berisha me këto hapësira lindore nuk na bashkon asgjë, “vetëm armiqësitë e mëdha, barbaritë që pushtimet lindore kishin kryer në trojet shqiptare.“

Gjatë viteve të sundimit komunist në Shqipëri mes diktatorit Hoxha dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohë dhe në rrethna të ndryshme pati rivalitet dhe garë të turpshme për shitjen e interesave të Kosovës, deri edhe shndërrim të Shqipërisë në një republikë të shtatë të federatës së Titos.

Ish –Presidenti Berisha më 1999 , do të bënte publik një fakt shumë tronditës: “Në vitin 1990  diktatori i fundit shqiptar do të shkrinte sigurimin e shtetit dhe shërbimet e tjera me Sllobodan  Milloshoviçin, vetëm e vetëm që ata të përballeshin dhe të mos lejonin Perëndimin të instalohej në Shqipëri dhe në këto hapësira.” PDSH e udhëhequr nga Sali Berisha, në vitin 1991 me deputetët e saj, në kuvendin e parë pluralist, mori nismën e njohjes së republikës së Kosovës. Lidhjet e PDSH me LDK si dhe ato mes Berishës dhe Rugovës do t’i shërbenin qartë shkëputjes së hapësirave shqiptare nga dominimi rus dhe ai lindor në tërësi dhe nga ana tjetër afrimit të tyre me perëndimin.

Presidenti shqiptar Sali Berisha do të ndiqte një politikë të fortë e cila do të synonte integrimin e Shqipërisë në Evropë, por edhe një prezantim të udhëheqësve kosovarë në perëndim. Ai po punonte që shkallë –shkallë të bënte nxjerrjen e vendit të tij nga izolimi dhe të realizonte shtrimin e çështjes kombëtare. Shqipëria nënshkroi e para nga vendet ish-komuniste partneritetin për paqe dhe po e para nga vendet do të bënte kërkesën për anëtarësimin në NATO. Nën drejtimin e Berishës, Shqipëria u integrua përsëri pas 50 vjetësh në politikën aktive ndërkombëtare në OKB, OSBE, KE, BE dhe institucionet të tjera të rëndësishme politike, ekonomike dhe financiare të botës tonë. Në këtë sukses të paimagjinueshëm të politikës së re shqiptare dhe mbështeje të fortë perëndimore, një rol të rëndësishëm do të luante edhe miqësia personale e Presidentit Berisha me Presidentin Amerikan Xhorxh H. Bush.

Duke shfrytëzuar këtë reputacion të padiskutueshëm   Presidenti Berisha po përpiqej të zgjidhte dy detyra të rëndësishme, nxjerrjen e vendit nga një varfëri të paimagjinueshme, bazuar në ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë si dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Konflikti rajonal sido që nuk kishte zbritur në përmasa të mëdha në Kosovë, ai do të vinte një ditë.

Lufta e Kosovës e vitit 1998-1999 do ta gjente të njohur mirë çështjen shqiptare në perëndim dhe kjo të ishte një nga meritat e padiskutueshme të politikës së Berishës.

Presidenti Berisha kërcënon Milloshoviçin se do të reagonte si komb në rast të një spastrimi etnik të shqiptarëve në Kosovë

Berisha edhe  pse ishte  kryetari i vendit më të varfër në Evropë, ndaj çështjes së Kosovës nuk do të bënte asnjë lëshim. Ai do të kërcënonte presidentin serb Milloshoviç, por dhe do të paralajmëronte perëndimin se “nuk do të lejonte spastrimin etnik në Kosovë dhe masakrat kolektive atje.”

Berisha do ta cilësonte në të gjitha takimet ndërkombëtare kufirin shqiptaro-shqiptar si murin e fundit të Berlinit në Evropë.

Ai për këtë u përpoq që të shtonte me ritme të shpejta zhvillimin ekonomik të vendit me synimin për ta shndërruar shumë shpejt atë në një potencial ballkanik. Nga ana tjetër Presidenti Berisha do të tregonte vëmendjen në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe strukturimin e saj sipas parametrave të NATO-s. Gjatë kësaj kohë Shqipëria modernizoi armatimin e vet, rriti fuqinë mbrojtëse si dhe hodhi bazat e një politike të fortë të sigurimit kombëtar. Në kuadër të kësaj politike shumë ushtarakë shqiptarë bënë specializime në SHBA, Gjermani, Turqi etj.

Së treti komponent i rëndësishëm i politikës  së Presidentit Berisha ka qënë denoncimi i politikës luftënxitëse  serbe në Kosovë dhe rajon. Berisha  ishte i pari që paralajmëroi perëndimin se Milloshoviçi do ta s’postonte konfliktin në jug të Ballkanit dhe se me këtë ndërmarrje të diktatorit serb kishte për qëllim spastrimin etnik të dy milionë shqiptarëve të Kosovës.

 Berisha do të ndiqte gjithashtu një politikë transparente bashkëpunimi reciprok me vendet islamike, të cilat rezultonin të ishin edhe partnere të rëndësishme ekonomike dhe politike të SHBA-ve dhe perëndimit në tërësi, duke qenë i bindur se integrimi euroatlantik i Shqipërisë do të ishte e vetmja rrugë e mëkëmbjes së vendit dhe e zgjedhjes së çështjes tonë kombëtare.

Presidenti Berisha mendonte se duke shtuar marrëdhëniet reciproke me shumë shtete të fuqishme perëndimore, do të nxitej një zhvillim i shpejtë, një fuqizim ekonomik i Shqipërisë, çfarë  do të ndikonte në rritjen e ndjenjës nacionale të shqiptarëve. Forcimi i patriotizmit shqiptarë do të shërbente padyshim në betejën e ardhshme për Kosovën, por edhe në një ballafaqim të pritshëm ballkanik të nxitur nga Milloshoviçi. Shqipëria, sipas Berishës duhej të jepte një shembull të mirë si një vend besnik i idealeve dhe vlerave perëndimore, si partner luajal euroatlantik, pasi kjo do të kishte shumë ndikim edhe për zgjidhjen e ardhshme të çështjes së Kosovës. Kjo politikë e Berishës jo gjithmonë do të gjente mirëkuptim, ai po punonte me shumë kurajo të instalonte frymën perëndimore në shtetin e tij pa cenuar në asnjë rast interesat e vendit. Ai asnjëherë nuk ka dashur që asnjë lloj zgjidhje e çështjes kombëtare kishte si peng sovranitetin e vendit. Pavarësisht pse Shqipëria krijoi një raport besimi me perëndimin, vendet perëndimore akoma nuk e kishin kuptuar drejt rendësin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe kërcënimin e Presidentit Berisha se do të reagonte si komb në rast të një spastrimi etnik në Kosovë. Dhe ky moskuptim do të kishte një çmim. Kjo politikë e Berishës për Kosovën dhe çështjen kombëtare në tërësi nuk do të ishte e padiskutueshme në planin e brendshëm, ish-komunistët në opozitë do të kundërshtonin çdo hap diplomatik dhe politik të Berishës në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Komunistët nga njëra anë do të propagandonin me forcë në shtypin e tyre dhe në parlament  se “Berisha do të na futë në luftë me Kosovën“, ndërsa nga ana tjetër do të shpejtonin të ndërtonin aleanca të fshehta me Partinë Socialiste të Greqisë dhe Partinë Socialiste të Serbisë, siç ishte ajo e 17 qershorit 1993 në Greqi. Nga ky takim do të dilte një rezolutë e ngjashme  me atë që do të publikohej nga takimi i Kretës më 1997 në të cilën mbizotëronte idea greko-serbe “Ballkani i ballkanasve“, pra pa prezencë të SHBA-ve dhe NATO-s në rajon, ndërsa çështja e Kosovës theksohej se duhej të zgjidhej në kuadër të Jugosllavisë me të drejtat e minoritetit. Në lidhje me Shqipërinë siç do të merrej vesh më vonë në takim u fol për rrëzimin e Berishës, rikthimin e socialistëve në fuqi, duke patur si kusht mos-përzierjen e tyre në punët e Kosovës. Një marrëveshje e tillë do të bëhej edhe në vitin 1996, para zgjidhjeve të 26 maj të atij viti. Në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, Presidenti shqiptar duke i parë zhvillimet në rajon dhe një farë indiference të faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës, do të kërkonte një radikalizëm të luftës politike në Kosovë, duke e siguruar atë me mbështetje, kërkesë e cila nuk gjeti shumë mirëkuptim nga udhëheqja politike e shqiptarëve të Kosovës.

Bindja e plotë, se Presidenti Berisha do ta udhëhiqte kombin e tij në një rezistencë kolektive kundër barbarëve serbë, bëri atë që serbët dhe grekët të cilët qëndronin pas mafies rajonale të sponsorizuara nga Serbia, të përgatisnin revoltën e marsit të vitit 1997 në Shqipëri, revoltë e cila do të çonte në rrëzimin e qeverisë demokratike dhe më vonë në dorëheqjen e Presidentit shqiptar Berisha.

Viti 1997 siç është shprehur ish-Presidenti Berisha, do të sillte në pushtet atë grup politikanësh që në historinë shqiptare do të mbeten “si politikanë të tre simboleve’’. Sapo lideri i socialistëve erdhi në pushtet, shpalli martirët e Gostuvarit që ranë për flamur në korrik të vitit 1997, si “primitivë Ballkanikë.’’ Disa muaj më vonë në takimin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit, i mbajtur prej 4-6 nëntorit 1997 në Kretë të Greqisë kryeministri shqiptar Nano do të akuzohej nga PD se kishte shitur interesat kombëtare të shqiptarëve, duke bërë pazare të ulëta me Milloshoviçin. Kreu i socialistëve e quajti më vonë Kretën si një “takim historik’’, ndërsa PD dhe Berisha do ta demaskonte atë si “tradhti kombëtare historike,” si një “akti i tradhtisë së shqiptarëve ndaj shqiptarëve.’’. Në fakt, siç do të merrej vesh më vonë nga shtypi italian në këtë takim, “kasapi i Ballkanit dhe kryeministri shqiptarë ranë dakord në Kretë që të mos i përziheshin njëri-tjetrit në çështjet e tyre.’’Siç deklaron ish-Presidenti Berisha“qysh në atë kohë përfaqësuesit e SHBA-ve, Gjermanisë dhe të vendeve të tjera më njoftojnë se ne nuk e përfillim këtë qëndrim të qeverisë shqiptare“. Për ish-Presidentin shqiptarë Berisha “Nano e inkurajoi Milloshoviçin të ndërmerrte masakrën mbi shqiptarët e Kosovës, siç  edhe e mori.“ Në vazhdim të kësaj linje antikombëtare të pushtetarëve të tresimbolit, më vonë dhe presidenti komunist Rexhep Meidani do të deklaronte në Trieste se “Milloshoviçi ishte e keqja më e vogël.’’ Apo se “njeriu që bën luftën është në gjendje të bëjë edhe paqen.’’ Kjo deklaratë që marrë si një mbështetje për diktatorin serb dhe pati bërë, siç do të shprehej Berisha që “ky kasap, ky mizor të triumfonte në zgjidhje.”

Pushtetarët e rinj neo-komunist me lidhje shpirtërore ideologjike dhe familjare me ish-byronë e vjetër politike pas rikthimit të tyre në pushtet me 1997, do të nxirrnin nga dosja e vjetër e Komitetit Qendror të PPSH edhe terminologjinë zyrtare ndaj Kosovës. Kjo terminologji ishte e ndërtuar mbi dy elementë kryesorë. I pari në retorikën e pafund për gjoja “vuajtjet e vëllezërve tanë kosovarë, nën regjimin e egër serb’’ dhe i dyti në dhënien e garancive të plota ndaj regjimit të Beogradit për mosndërhyrje në punën e brendshme të Jugosllavisë, parime këto që  e përjashtonin tërësisht njëra-tjetrën. Pas Fatos Nanos i cili kishte folur sistematikisht për zgjidhjen e çështjes së mbi 2 milionë shqiptarëve në Kosovë “mbi bazën e statusit të minoriteteve’’, tani është Presidenti Rexhep Meidani i cili e mbron këtë tezë edhe jashtë Shqipërisë në takime dhe konferenca ndërkombëtare. Meidani më 28 prill 1999 në sesionin e Asamblesë Parlamentare të KE në Strasburg, duke ju referuar shkurtimisht Kosovës foli‚ për minoritetin shqiptarë atje. Ai tha se “çdo zgjidhje duhet të përfshijë një prezencë civile, duke implikuar organizatat si OSBE. Këshilli i Evropës dhe UNESCO-s, për të ndihmuar në rikonstruktimin e trupave administrative.” Pra Presidenti shqiptar mohonte çfarëdolloj ndërhyrje ushtarake në Kosovë, kërkonte të zgjidhte çështjen e Kosovës nëpërmjet organizmave arsimore si UNESCO. Mohonte jo vetëm pavarësinë e deklaruar të kosovarëve, por edhe një autonomi të ulët që e paralajmëronte edhe diktatori serb. Menjëherë pas kësaj deklarate të turpshme përfaqësuesi i PDSH, prezent në këtë seancë dëgjimore posaçërisht  për Kosovën do ta kundërshtonte fjalimin e zotit Meidani. Ai do të deklaronte se opozita shqiptare dhe shumica e shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike, janë për pavarësinë e Kosovës, për ndërhyrjen tokësore të NATO-s në Kosovë, për protektorat ndërkombëtarë si fazë kalimtare që do të çojë drejt pavarësisë së pashmangshme. Menjëherë pas kësaj ndërhyrje përfaqësuesi rus në Strazburg, si dhe disa miq të tjerë të Serbisë do t’i thoshin eurodeputeti demokrat se “ç’të duhet ty që kërkon pavarësinë e Kosovës kur kryetari i shtetit tënd kërkon një zgjidhje minimale të natyrës së minoriteteve dhe jashtë çdo mundësie për vetëvendosje.’’ Këtë habi, siç deklaron edhe zoti Berisha ia kishin shfaqur këto dy vitet e fundit edhe shumë diplomatë, politikanë të shquar, kryetar shtetesh dhe qeverishë, miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët i kishte takuar në Tiranë, apo në Evropë.

Ata i kishin dëshmuar ish-Presidentit Berisha se jo në pak raste kur ata kishin ngritur çështjen e shqiptarëve në Kosovë ishin gjendur përpara pyetjes se “ç’doni ju kaq shumë për Kosovën kur vetë përfaqësuesit e shtetit shqiptarë kërkojnë aq pak’’, duke e lidhur këtë mbështetje perëndimore ndaj shqiptarëve dhe Kosovës me qëllim përfitimi, zona influence etj. Ky ka qenë një nga qëndrimet më të ulëta të krerëve të sotshëm të shtetit shqiptar, ndaj të ardhmes politike të Kosovës e cila ka qenë dhe është një platformë e pandryshuar pavarësisht nga retorika e tyre. Kur Këshilli i Evropës do të vendoste për të hapur një zyrë në Prishtinë në prill të këtij viti, përsëri përfaqësuesi i socialistëve shqiptarë do ta kundërshtonte hapjen e saj. Me mendimin se “këtë nuk e pranon Milloshoviçi.’’

Berisha: Djemtë dhe vajzat e UÇK-së janë luftëtarët të lirisë. Komunistët në pushtet: Berisha dhe PD janë shndërruar në baza të terroristëve të UÇK-së.

Pas fillimit të luftës në Kosovë dhe daljes në skenë të UCK-së, Tirana zyrtare do ta shpallte atë terroriste, ndërsa PD dhe Berisha do ta mbronin atë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha takimet ndërkombëtare. Ish – Presidenti Berisha do t’i cilësonte djemtë dhe vajzat kosovarë të UCK-së, si “luftëtarët e lirisë”, si “nderi i kombit shqiptar”, si “aleatët e ardhshëm të NATO-s në Ballkan.”

Berisha në takime me popullin në të gjithë Shqipërinë do t’i jepte mbështetje të pakursyer UCK-së, duke apeluar përpara rinisë shqiptare që t’i bashkëngjitej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpresës së çlirimit të Kosovës.

Ko fushatë e ish-Presidentit Berisha në mbrojtje  të UCK-së do të sulmohej nga komunistët në pushtet me akuza se “Berisha kërkon të implikojë Shqipërinë në luftë dhe si rrjedhim të gjithë rajonin e Ballkanit’’.

Qeveria shqiptare do të përdorte për këtë qëllim dhe disa fotografi të shtëpisë së vjetër, të ish-presidentit në Tropojë, të cilat do t’i botonte edhe shtypi i majtë dhe qeveritar me shënimin se “Berisha dhe PD janë kthyer në baza të terroristëve të UÇK-së dhe se ata mbështesin një lëvizje terroriste.”

Nga ana tjetër qeveritarët komunistë do të përpiqeshin që me çdo kusht, të përlyenin lëvizjen çlirimtare të Kosovës, si lëvizje marksiste-leniniste.“ Berisha do ta denonconte këtë politikë antikombëtare të klaneve pro-serbe në qeverinë e Tiranës, të cilat siç shprehej ai, “nuk kishin dhe nuk kanë ideale kombëtare.”

 “PDSH denoncoi këtë politikë të Tiranës zyrtare, denonconte kallashërinë, siç e ka quajtur ish-Presidenti Berisha “një proces të turpshëm antikombëtarë, me të cilën mafia komuniste shqiptare të përvetësonte paratë e shqiptarëve.’’ Luftëtarët e lirisë e paguanin dhjetë herë cmimin e një kallshnikovi, duke qënë të gatshëm të vdisinin për lirinë e Kosovës,  pavarësisht pse kishin përballë një armik tërësisht të blinduar serbë.”

Kosova, kryefjalë e politikës së Berishës

Në politikën e Berishës ndaj çështjes së Kosovës nuk ka patur asnjëherë ndonjë përpjekje për të marrë eksluzivitetin e saj. Nga e gjithë sjellja e tij politike sidomos pas fillimit të konfliktit në Kosovë vihet re një tendencë e hapur për ta bërë atë një problem të të gjithë politikës shqiptare. Vetëm disa ditë pas fillimit të luftës në Kosovë më 30 mars 1998 me iniciativën e ish-Presidenti Berisha do të organizohej një tryezë e gjerë politike për të formësuar qëndrimin ndaj Kosovës prej, ku doli formula i ideuar nga Berisha “Një komb një qëndrim.’’ Ky takim dhe disa të tjerë të thirrur nga Berisha dhe opozita demokratike do të bojkotoheshin nga Nano dhe PS gjatë gjithë kohës që ky i fundit do të qëndronte në krye të PS dhe qeverisë së koalicionit të majtë.

Pas rrëzimit të qeverisë së Fatos Nanos dhe ardhjes në fuqi të qeverisë së zotit Majko në fund të shtatorit 1998, Berisha bëri përsëri përpjekje të tjera për të arritur një qëndrim të përbashkët të politikës shqiptare ndaj çështjes së Kosovës. Në një takim të realizuar më 21 dhjetor mes Berishës dhe Majkos, siç do të bënte të ditur vetë zoti Berisha disa muaj më vonë “do të diskutonin gjerësisht çështjen shqiptare, ku zoti Majko pranoi konceptin tonë për vetëvendosjen e Kosovës. “Pavarësisht pse Majko do të angazhohej për një politikë tjetër ndaj Kosovës, Tirana zyrtare do të krijonte sindromin Rugova dhe përçarjen e faktorit shqiptarë.“ Siç ka informuar ish-Presidenti Berisha një tjetër çështje që ishte diskutuar në takim ka qenë “armatosja e UÇKsë, që të pajiseshin ata me të gjitha mjetet kundër blindave të ushtrisë serbe.“ Ne kërkuam që të armatoseshin luftetarët e lirisë që të mbronin jetën e popullit të pambrojtur, të popullit të Kosovës, pati deklaruar Berisha. Ndërkohë që propaganda zyrtare e akuzoi UCK-në si “të financuar nga Ben Ladeni’’. Berisha kishte kërkuar gjithashtu në këtë takim, por edhe më vonë që “SHIK-u t’i hiqej qafe UCK-së, pasi ai e shihte këtë shërbim nën ndikimin rus. Berisha insistoi që shteti këtë shërbim nën ndikimin rus. Berisha insistoi që shteti shqiptarë të armatoste dhe stërviste UCK-në me njerëz profesionistë. Marsi i vitit 1999 solli zhvillime të reja në Kosovë. Dislokimi i mijëra trupave dhe mjeteve të rënda në terren nga Milloshoviçi, ishte një tregues i qartë se ai po përgatiste luftën dhe spastrimin etnik në Kosovë. Ish-Presidenti Berisha, tani kryetar i opozitës shqiptare i bëri thirrje kombit për qëndresë duke deklaruar se “Lufta kur të vjen duhet bërë. Jemi shtatë milionë shqiptarë në Ballkan, prandaj duhet të luftojmë dhe të fitojmë, nuk duhet të lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë shqiptare, pasi nuk kemi tokë për barbarët’’.

Ish-Presidenti Berisha do ta përshëndeste i pari konferencën e Rambujesë, e cila filloi punimet më 6 shkurt 1999 në Francë, konferencë e cila për Berishën do të hapte një “epokë të re për Ballkanin dhe kombin shqiptarë.”

 Berisha në këtë kohë u angazhua seriozisht në një veprimtari politike, e cila kishte si qëllim unifikimin e faktorit shqiptarë në këtë konferencë. Ai disa herë do të bënte thirrje që shqiptarët “të tejkalonin krizën e përfaqësimit“,  e cila po shndërrohej në një problem të mprehte për zgjidhjen e shpjetë të çështjes së Kosovës. Gjatë gjithë konferencës së Rambujesë, Berisha do të ndiqte zhvillimet dhe të papriturat e saj.

Me 18 shkurt ish-Presidenti Berisha u bëri thirrje përfaqësuesve shqiptarë në Rambuje që të mos firmosnin marrëveshjen, e cila siç doli më vonë ishte falsifikuar nga negociatori rus Majorski. Berisha u ngrit me plotë të drejtë kundër këtij varianti-komplot, i cili po përpiqej që nëpërmjet presioneve të pandershme t’i imponohej delegacionit të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë variant ishte hequr e drejta e referendumit për shqiptarët, referendum i cili duhej të mbahej pas tre vjetësh. Ishte hequr nga kushtetuta, vendi i presidentit të Kosovës, ndërsa parlamenti i Kosovës ishte parashikuar me dy dhoma, në Dhomën e Lartë apo Senatin do të kishte përfaqësim të barabartë për të gjitha pakicat dhe etnitë.

Një tjetër komplot kundër Kosovës në këtë variant të projektit rus ishte edhe prania e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, kontrolli i doganave nga Serbia e të tjera masa të cilat e shndërronin Kosovën në një koloni serbe të ngjashme me statusin që kishte patur ajo në vitin 1945. Berisha u ngrit kundër këtij varianti i cili do të hiqej nga diskutimi më insistimin e delegacionit shqiptar, me idenë se askush nuk kishte të drejtë të firmoste skllavërinë e Kosovës, mbetjen e saj nën Serbi. Për Berishën megjithëse gjysma e kombit kishte mbetur jashtë territorit të shtetit të sotëm shqiptarë, asnjë shqiptarë nuk kishte hedhur firmë për aneksimin e tyre nga fqinjët dhe kjo nuk duhet të ndodhte as tani.

Berisha do të kërkonte pastaj që delegacioni shqiptarë të firmoste variantin përfundimtar të dokumentit të Rambujesë bile përpara konferencës së Parisit, e cila do të mbahej më 15 mars 1999 në Paris. Berisha dhe PD do të denonconin në këtë periudhë politikën e Tiranës zyrtare e cila në fakt ndikoi në vonesën e nënshkrimit të marrëveshjes nga një pjesë e delegacionit shqiptar. Pas fillimit të bombardimeve të NATO. Berisha dhe opozita shqiptare do t’i jepnin mbështetje të plotë aksioneve të saj, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të vinte në dispozicion të Aleancës së Atlantikut të Veriut të gjitha kapacitete e veta ushtarake, tokësore dhe aeroportuale. Berisha do të quante antikombëtare sulmet e pabesa të Tiranës zyrtare kundër presidentit Rugova, menjëherë pas mbajtjes peng të tij nga Milloshoviçi, duke mos pranuar “shpalljen tradhëtare të tij“. Lidhur me qëndrimin ndaj faktorëve politikë të Kosovës. Berisha është bazuar gjithnjë në njohjen e vullnetit të popullit të Kosovës dhe konsiderimin e Kosovës “si shtet i pavarur, si një Shqipëri tjetër.’’ Kosova nuk është një rreth, apo disa rrethe të Shqipërisë, por është një Shqipëri tjetër dhe si e tillë duhet quajtur’’, ka theksuar Berisha duke sulmuar me të drejtë politikën paternaliste të socialistëve shqiptarë ndaj Kosovës. Në fakt Tirana zyrtare ishte i vetmi shtet në Evropë pas Serbisë që nuk e njihte Rugovën si president të shqiptarëve të Kosovës, duke spostuar kështu vullnetin e popullit të Kosovës.

Ish- Presidenti Berisha do t’i thoshte H.Thaçit në një takim që zhvilloi gjatë kohës së luftës në Tiranë se “këshilltarët e t’u ishin shumë të keqinj’’dhe po të ecte me mësimet e tyre, kabineti i tij nuk do ta njihte askush. Berisha kishte dënuar disa urdhra që TVSH i transmetonte në emër të UCK-së, sipas të cilëve anuloheshin partitë politike të Kosovës, shpalleshin dënimet me vdekje të kundërshtarëve politikë etj. Me mendimin se këto nxitime të panevojshme nuk shkonin me orientimin demokratik dhe perëndimor të Kosovës dhe politikës së saj në dhjetë vjetët e fundit.“ Në fund të fundit, sipas Berishës kjo politikë nuk i bënte hiç nder çështjes së Kosovës.’’  Perëndimi po luftonte në Kosovë për krijimin e një shoqërie demokratike, pluraliste dhe jo për sisteme dhe koncepte të vjetra, moniste, që po përpiqej të orientonte politika zyrtare e Tiranës, tek disa segmente të UCK-së. Pas ardhjes së rreth 500 mijë refugjatë të luftës në Shqipëri lideri demokrat Berisha do t’u bënte thirrje shqiptarëve dhe veçanërisht demokratëve që të tregonin solidaritet me vëllezërit e tyre. Pas thirrjes së Berishës me mijëra familje demokrate morën në shtëpitë e tyre rreth 80 % të të dëbuarve nga trojet e veta në Kosovë nga ushtria e Milloshoviçit. Ndërkohë që pushteti lokal në Shqipëri i kontrolluar në masën 85 % nga demokratët e Berishës vunë gjithçka në dizposicion të refugjatëve, duke mos patur për një kohë gati prej një muaj asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, e cila do të akuzohej nga opozita dhe institucionet ndërkombëtare për abuzime masive me ndihmat e huaja të ardhura për refugjatët shqiptarë të luftës.

 Berisha do të kërkonte sistematikisht nga autoritet zyrtare të Tiranës që të mbronin integritetin e shtetit shqiptar, i cili po shkelej në mënyrë flagrante nga ushtria e Milloshoviçit në zonat verilindore të vendit(Tropjë, Has, Kukës).

Ish-Presidenti Berisha do të deklaronte se opozita shqiptare nuk do të lejonte kapitullimin e vendit përballë serbëve dhe as shkeljen e integritetit të shtetit, nuk do të bëhej bashkëpjesëmarrëse me qeverinë e Tiranës në këtë trup kombëtarë, por do të mbronte me të gjitha mjetet e vendit. Berisha pati deklaruar se në qoftë se të gjitha mjetet e vendin. Berisha pati deklaruar se në qoftë se NATO kërkon nga shqiptarët të angazhoheshin në luftë, opozita që ai drejtonte do të rrokte armët, pasi qeverisë shqiptare në këtë kohë nuk i rekrutohej asnjë shqiptar. Pasi nuk kishte reputacionin e duhur tek shqiptarët në këtë luftë.

Çlirimin e Kosovës nga NATO dhe UCK, ish-Presidentit Berisha do ta cilësonte si ngjarjen më të madhe pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Mirënjohjen më të madhe Berisha do t’i drejtonte SHBA-ve dhe Presidentit Bill Klinton duke deklaruar se me të ardhur në pushtet SHBA-të do të ishin partneri kryesor i Shqipërisë dhe të gjithë kombit shqiptar. “Duhet të pranojmë se për ne shqiptarët, Presidenti Bill Klinton do të ishte njëkohësisht Uillsoni që nuk do të lejonte ndarjen e Kosovës, do të ishte Ruzvelti që do të angazhonte forcat e tij të armatosura për të çliruar atë pjesë të territorit të Evropës që mbeti e pushtuar pas luftës së Dytë Botërore dhe që ishte Kosova”, që shprehur zoti Berisha duke çmuar kontributin amerikan për çlirimin e Kosovës.

Berisha pasi ka çmuar hapësirën demokratike dhe hapësirën në perëndim të shqiptarëve, pas çlirimit të Kosovës, ka apeluar para shqiptarëve se sot më shumë se kurrë duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për të formësuar këtë hapësirë për të konsoliduar vlerat për të cilat luftuan në Kosovë, për të cilat ne luftuam në Shqipëri. Kombi ynë ka deklaruar Berisha, akoma nuk e ka kaluar atë stad që e kanë kaluar kombet e tjera, si francezët, gjermanët etj., pa kapërcimin e të cilit kombi ynë nuk ka të ardhmen e sigurte. Berisha e ka cilësuar betejën për Kosovën si betejën më të bekuar në histori të shqiptarëve, sepse fituam në koalicion me perëndimin, sepse u flijuan me mijëra jetë shqiptarësh në Kosovë, sepse treguam se asgjë nuk mund ta ndaj kombin shqiptar, se në fund të fundit i treguam perëndimit se kombi shqiptar ka një shpirt të pandarë. Berisha i ka porositur bashkëkombësit e vet që “çdo ditë të punojnë për të forcuar ndjenjën kombëtare besim tek e ardhmja dhe kombi. Ideali kombëtar dhe ideali i lirisë janë rruga më e sigurte për t’u bashkuar me Evropën, për të patur vendin tonë mes kombeve të qytetëruara të perëndimit“, ka apeluar ai, duke e patur Kosovën gjithnjë si një kryefjalë të politikës së tij.

Vijon

*Marrë nga libri”Partia Demokratike dhe ceshjta kombëtare.” Botoi “shtepia Botuese Koha” Tiranë, shtator 1999.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...