Letra e DioGuardit per Tërmet Peçin, fyen viktimat e komunizmit

Hënë, 27 August 2018 15:49

Nga Mithat Gashi*

Kam vlerësimin më të lartë për punën që ish-kongresmeni Joe Diguardi ka kryer në mbrojtje të Kosovës. Si anëtar i Kongresit dhe kryetar i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, zoti DioGuardi ka folur fort dhe qartë në mbështetje të shqiptarëve etnikë të Kosovës, dhe paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar shumë më herët para se të shpërbëhej Jugosllavia, se duhej ndaluar agresioni serb, i kryesuar nga Sllobodan Millosheviçi.

Lexova një letër që z.DioGuardi i ka shkruar së fundmi Kryetarit të bashkisë Tepelenë, një qytet në jug të Shqipërisë, ku regjimi komunist kishte ngritur një kamp përqendrimi pas L2B. Letra, që mban datën 12 korrik 2018, u publikua në gazetën “Dita”.

Në lidhje me këtë, unë theksoj se nuk pajtohem fare me deklarimet e zotit DioGuardi drejtuar kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi, ku e nxit të mos mbështesë ngritjen e një kompleksi memorial (muzeu) në nderim të viktimave të komunizmit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me mijëra gra dhe fëmijë, pjesëtarë të familjeve me emër në Shqipëri, u mblodhën me metoda të dhunshme ushtarake dhe u mbyllën forcërisht në kampe përqendrimi që kutërbonin era vdekje dhe vuajtje çnjerëzore. Në këto kampe të rrethuara me tela me gjemba, të mbijetuarit kanë dëshmuar psh., se vetëm në një natë vdiqën 34 fëmijë për shkak të kushteve që kishin. Krimi i vetëm që gjoja kishin kryer këta të dënuar, ishte “të qenit” fëmijë të prindërve apo gjyshërve, të cilët kishin shprehur pikëpamje të ndryshme politike (nga ato të komunistëve). Këto viktima u çuan për të vuajtur në këtë kamp (Tepelenë) njësoj si në shumë kampe të tjera në Shqipëri; dhe vuajtjet e tyre vazhduan për gati 5 dekada, deri në rënien e komunizmit.

Nga familjarët e mi në kampin e Tepelenës, ishin nëna ime, Sanija; tezet e mia Feride, Fatime dhe Shpresa; gjyshja Gjylije dhe daja, Ahmet Kolgjini. Përveç tyre ishin edhe gruaja e xhaxhait tim Qemal Gashi, Lirija (vajza e Muharrem Bajraktarit), që, së bashku me vëllain, Gencin, dhe nënën e saj, u transferuan nga Berati në kampin e Tepelenës. E ëma e Lirijes vdiq në kampin e Tepelenës. Lirija nuk i gjeti kurrë eshtrat e nënës së vet.

Në 1944, Brigada e Pestë e ushtrisë komuniste (partizane), e komanduar nga Shefqet Peçi, marshoi mbi Lumë, një krahinë në verilindje të Shqipërisë, duke ekzekutuar njerëz dhe duke shkaktuar terror. Ata dogjën shtëpinë gjyshit tim dhe gjithashtu i konfiskuan pasurinë. Në 1945, forca të ushtrisë dhe të policisë rrethuan familjen e gjyshit tim dhe i dëbuan në një kamp përqendrimi në Berat. Gjyshi im, Haziz Gashi, kishte kundërshtuar fuqishëm ideologjinë komuniste. Për qëndrimet e tija antikomuniste, ai ishte dënuar me vdekje në mungesë, sapo komunistët morën pushtetin dhe vunë nën sundim gjithë Shqipërinë. Ndër pjesëtarët e familjes time të mbyllur në kampin e Beratit, mund të përmend tim atë, Haxhi Gashin (11 vjeç); xhaxhallarët, Ramiz (10) dhe Gani (23, së bashku me gruan dhe djalin foshnje); hallat Dalije (4), Remzije (1); gjyshen Zarije Gashi, dhe kushërinjtë e pare te babait tim,  Shaqir Gashi, Gafurr Spahija dhe Kadishe Spahija. Dy nga kushërinjtë e vegjël, Lutfi (djali i xhaxhait Gani) dhe Kadishe (vajza e Prof. Miftar Spahija) vdiqën brenda kampit të Beratit.

Memoriale dhe muzeume të Holokaustit janë ndërtuar anembanë botës, deri në Argjentinë e Uruguaj. Janë me qindra memoriale dhe muzeume të tilla në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i tyre është të nderojnë viktimat dhe të edukojnë publikun mbi mizoritë e kryera ndaj njerëzimit.

Të gjithë kampet e internimit dhe burgjet politike në Shqipëri duhet të kthehen në muzeume. Memoriale që nderojnë viktimat e komunizmit duhet të ngrihen në çdo qytet; ndërsa ata që kanë kryer krime, ekzekutorët masha të verbra të Enver Hoxhës, duhet të dalin para drejtësisë.

Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje ta fshijmë të shkuarën, por jemi moralisht të detyruar t’u japim drejtësi viktimave nëpërmjet njohjes së vuajtjeve të tyre. Kjo pjesë e tmerrshme e historisë shqiptare duhet të dalë në dritë (duke u përfshirë në kurrikulat shkollore) në mënyrë që brezat e rinj dhe brezat e ardhshëm të mund të thonë “NE NUK DO TË HARROJME KURRE”.

*Mithat Gashi u arratis nga Shqipëria në 1986. Është anëtar bordi i Qendrës për Holokaustin, Genocidin dhe Edukimit Ndërfetar në “Manhattan College”, SHBA.

me gjon.jpg

 

 

Modifikuar më Hënë, 27 August 2018 15:57
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...