BE-ja lejon Vuçiqin që në Kosovë ta rehabilitojë Milosheviqin

E mërkurë, 12 September 2018 18:18

Nga Augustin Palokaj

Në vend të realizimit të pritjeve që të paralajmërojë marrëveshjen historike, njohjen e realitetit, Vuçiq në Kosovë tha se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, këndoi midis Mitrovicës këngën “kjo është Serbia”, tha se Milosheviqi ka pasur qëllime të mira, por nuk e ka llogaritur si duhet situatën në botë dhe qortoi ata të cilët e kishin dorëzuar Milosheviqin në Hagë. Është e kuptueshme se pse Vuçiq do ta rehabilitojë politikën, pjesë e së cilës ishte vetë në të kaluarën. Por nuk është e kuptueshme se si e bën këtë me heshtjen e BE-së

Para 18 vjetësh Evropa festonte suksesin e forcave pro-evropiane në Serbi. Këto forca kishin arritur ta rrëzonin pushtetin e Slobodan Milosheviqit. Më pas ky diktator, personi kryesor përgjegjës për gjakderdhjet në territorin e ish-Jugosllavisë, u arrestua dhe u dorëzua në Tribunalin e Hagës për t’u përgjigjur për krimet në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në atë gjykim të gjatë u dëgjuan shumë dëshmi për krimet e forcave të Milosheviqit. Dëshmuan njerëzit, të cilëve forcat e tij ua kishin shkatërruar tërë familjen. Dëshmuan edhe njerëz, serbë, që personalisht kishin marrë pjesë në operacione të fshehjes së gjurmëve të krimeve, duke bartur viktimat shqiptare, përfshirë edhe fëmijë të vegjël, me frigoriferë për t’i dërguar në Serbi dhe hedhur atje në varreza masive. Evropa e quante këtë si dëshmi se tash edhe Serbia po e lë pas të kaluarën e errët dhe po shikon nga e ardhmja e ndritshme evropiane.

18 vjet më vonë në Serbi në pushtet janë njerëzit që ishin pjesëtarë të regjimit të Milosheviqit. Njëri prej tyre është edhe presidenti Aleksandër Vuçiq. Por ai tash nga BE-ja konsiderohet si person i paqes, si dikush i cili do ta sjellë paqen në tërë rajonin, sepse do të njeh realitetin dhe arrin pajtime edhe me shqiptarët. Strukturat e sotme udhëheqëse në Bruksel madje janë të impresionuar me Vuçiqin. I ndihmojnë në lojën e tij. Kështu ndodhi edhe para tri ditësh kur bën presion ndaj autoriteteve të Kosovës që t’ia përmbushin dëshirat për të vizituar Kosovën, ashtu siç do ai vetë. Madje, kinse për shkak të kërcënimeve dhe gënjeshtrave të “palës shqiptare” refuzoi edhe ta takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Por edhe kjo duket se ka qenë pjesë e shfaqjes për nevojat e Vuçiqit. Që ai të jetë edhe viktimë, edhe i kërcënuar, por edhe hero dhe trim. Tashmë jemi mësuar me lojëra të tilla. Ai doli trim para serbëve dhe në fund ia la kilen autoriteteve të Kosovës pse nuk iu mundësua shkuarja në fshatin Banjë të Komunës së Skenderajt. Edhe përmes faktit se ai pa problem mund të shkojë në veri, se atje mund të këndojë se “Këtu është Serbia”, por nuk shkoi në një fshat të Komunës së Skenderajt, është pjesë e skenarit të ndarjes së Kosovës dhe kështu e shohin shumë analistë, në Kosovë dhe jashtë saj.

Por gjatë vizitës dyditëshe në Kosovë Vuçiq nuk dërgoi mesazhet e paqes e as që prezantoi ofertën e tij për “zgjidhje historike të konfliktit 200-vjeçar me shqiptarët”. Ai vetëm përsëriti se tash me mjete politike duan të arrijnë atë që nuk e kanë arritur me luftë. E vetë Vuçiq ishte i njohur si luftënxitës me fjalime të zjarrta, sidomos gjatë luftës në Kroaci kur për qytetet kroate thoshte se janë pjesë e “Serbisë së madhe”.

Në vend të realizimit të pritjeve që të paralajmërojë marrëveshjen historike, njohjen e realitetit, Vuçiq në Kosovë tha se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, këndoi midis Mitrovicës këngën “kjo është Serbia”, tha se Milosheviqi ka pasur qëllime të mira, por nuk e ka llogaritur si duhet situatën në botë dhe qortoi ata, të cilët e kishin dorëzuar Milosheviqin në Hagë. Është e kuptueshme se pse Vuçiq do ta rehabilitojë politikën, pjesë e së cilës ishte vetë në të kaluarën. Por nuk është e kuptueshme se si e bën këtë me heshtjen e BE-së. Pos që përsëriten faktet botërisht të njohura për Milosheviqin, se ai ka qenë i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, se GJND-ja ka konstatuar se nuk e ka parandaluar gjenocidin në Srebrenicë, dhe se ka qenë edhe në listën e sanksioneve të BE-së, nga BE-ja nuk ka ardhur asnjë qortim i përpjekjeve të Vuçiqit që ta rehabilitojë Milosheviqin dhe ta quajë si lider të rëndësishëm serb.

Pra, Vuçiq vazhdon linjën e serbëve, të cilët janë të zhgënjyer se nuk u realizuan idetë e Milosheviqit dhe të tyre për “Serbinë e madhe”, se ai “gabimisht” paska llogaritur, e jo për qindra e mijëra viktima që janë shkaktuar në tentimet për të realizuar idetë e tilla.

Vuçiq vazhdon edhe lojën e dyfishtë, duke thirrur për paqe e duke mos treguar as gatishmërinë më të vogël për t’u kërkuar ndjesë viktimave të krimeve serbe. Ai, fundi i fundit është edhe formalisht pasardhës i Milosheviqit dhe, nëse vërtet është lider i paqes dhe ka guxim çfarë i përshkruhet në Bruksel, do të duhej të gjende fuqi që sidomos gjatë qëndrimit në Kosovë të kërkojë falje.

Ai dëshmoi, po ashtu, se nuk kanë rëndësi për të as faktet. Ofendoi edhe Kroacinë, duke thënë se në qytetin e Kninit, për të cilin paskan luftuar serbët, “sot valon shahovnica (simboli kroat në formën a tabelës së shahut me katrorë të kuqë dhe të bardhë), e cila kurrë nuk ka qenë atje”. Knini ka qenë qytet mbretëror kroat, në të cilin janë kurorëzuar edhe mbretërit kroatë në të kaluarën. Të thuash se atje “kurrë nuk ka pasur shahovnicë” do të ishte sikur dikush të thotë se në Krujë në Shqipëri kurrë nuk ka valuar flamuri me shqiponjën dykrerëshe.

Por çfarë rëndësie kanë faktet për Vuçiqin. Sikur Kosova të ishte një shtet normal, sjellja e Vuçiqit gjatë vizitës, deklaratat e tija për Milosheviqin që ofendojnë viktimat, do të mjaftonte për të pezulluar dialogun në Bruksel derisa nuk sqarohet së paku qëndrimi i BE-së. Kosova po lejon që udhëheqësit e Serbisë ta fyejnë, t’i quajnë “të çmendur” përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës “gënjeshtarë” dhe njerëz që kërcënojnë, që Vuçiq për shkak të një deklarate ironike, sado të pamatur, ku përmendet edhe vajza e tij ta përmendë këtë si kërcënim e në anën tjetër hesht kur midis Kosovës rehabilitohet personi, i cili nga Kosova nisi luftërat për krijimin e “Serbisë së madhe”, politika e të cilit dëboi mbi një milion shqiptarë nga trevat e tyre, bëri aq krime të cilat u ndalën pas nisjes së kryengritjes së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, dhe pastaj njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre. Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për Kosovën sesa rehabilitimi i Milosheviqit.

E sa i përket Evropës dhe dëshirës së tyre që ta mbajnë Serbinë të lidhur me BE-në edhe atyre Vuçiqi u dërgoi mesazh të qartë. Ai falënderoi Rusinë dhe porositi se Serbia nuk do të hyjë në NATO.

Nëse mendojnë se këto kanë qenë deklarata të pamatura të Vuçiqit le të kenë parasysh se ai vetë ka thënë se është përgatitur disa javë, dhe se ky ishte fjalimi më i rëndësishëm në jetën e tij. Koha.net

Modifikuar më E mërkurë, 12 September 2018 18:20
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...