Sot, opinioni shqiptar por më saktë njerëzor është tronditur nga ngjarja e kobshme, ku një 10 vjeçar ka vrarë me thikë të vëllain 13 vjeçar. Kjo vrasje që e bën dhe Biblën aktuale, mbase edhe më makabre se Kaini dhe Abeli, pasi po flasim për fëmijë, tregon depërtimin e klimës së dhunës edhe aty ku prezumohet se fillon e mbaron pafajësia njerëzore, në fëmijëri.
Kjo ngjarje, në vitrinën e lajmeve të portaleve, u shoqërua fill me një tjetër raportim mbi një plagosje të të atit nga e bija për të vijuar pastaj me rreshtin e lajmeve të vrasjeve dhe vjedhjeve që raportohen përditë. Ky vargan krimesh, që kulmoi me ngjarjen e fundit të vrasjes së një 13 vjeçari nga i vëllai 10 vjeç, duhet ta bëjë shoqërinë t’i hyjë një procesi të thellë reflektimi se nga buron kjo duhmë e ky ajër i ndotur. Nga çfarë ngacmohet dhe inkurajohet kjo prirje e dhunshme, që po ngulfat sot Shqipërinë me mëkate dhe krime biblike, saqë vendi duket si nj Sodomë.
Frymëzimi i krimit në Shqipëri e ka një shpjegim. S’është me e nevojshme as të jetosh në një periferi, as të shkosh në rrugicat më të errëta e t’rrish në shoqëri të keqe. Mjafton të hapësh televizorin dhe të dëgjosh Kryeministrin dhe gjen një himn për krimin, një ithtari për çdo kriminel. Lajmet e fundit nëpër media flasin për deputetë e ish-deputetë të arrestuar, ministra nën hetim, kryebashkiakë të lidhur me bandat. Kur deputeti dhe trafikanti bëhen një, marrja me prostitucion apo drogë shihet si CV. Kur deputeti dhe vrasësi bëhet një, vrasja shndërrohet në premisë për t’i hyrë politikës. Kur Kryebashkiaku dhe bandat bëhen 1, të qenit kriminel të bën kryebashkiak të kryebashkiakut.
Dhe të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: krimin, jo vetëm kaq, por po përcillet mesazhi se krimi na qenka i mirë. Pra, dhunimi, vjedhje pronash publikimi, trafikimi, dhe vrasja, ama jo nga ordinerë por deputetë, si një rrezatim radioaktiv përhapet përmes çdo vendimi qeveritar, e çdo fjalimi apo reagimi kryeministror. Krimi tani është bërë një ngjarje aq e përsëritur dhe e privilegjuar, saqë duket sikur përveç krimit s’ekziston asgjë tjetër, pra krimi bëhet normalitet e normaliteti shpallet “krim”. Ama, autori i kësaj “feje” të re, është qeverisja e Edi Ramës.