Nga Agustin Palokaj
BE-ja nuk ka arsye të mos liberalizojë vizat për kosovarët. Është padrejtësi e madhe që ky diskriminim ndaj tyre vazhdon. Korrupsioni, krimi i organizuar, tensionimet e mundshme politike, frika nga eksodi janë vetëm justifikime, por arsyeja e vetme është mungesa e vullnetit politik. Pra, fajin më të madh për mosliberalizimin e vizave e ka BE-ja. Problemi qëndron në faktin se Kosova nuk ka fuqi politike, e liderët politikë të Kosovës as fuqi morale, ta detyrojnë BE-në të heqë vizat. Dhe, sikur nuk ka ndodhur asgjë deri më tash, as tash nuk do të ndodhë asgjë për shkak të mosliberalizimit të vizave.
Nuk ka politikanë më servilë ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian sesa ata të Kosovës. Janë të tillë edhe kur duhet, por edhe kur nuk duhet. Por ndodh që kohë pas kohe dinë të dërgojnë fjalë të ashpra ndaj BE-së e madje edhe kërcënime.
Kjo ndodh sidomos kur liderët Kosovarë përballen me momentin e së vërtetës, kur afrohen datat e premtuara nga ta se do të ndodhë diçka që nuk po realizohet. Kështu tash, kur afrohet momenti i cili do të dëshmojë atë që e kanë ditur pothuajse të gjithë, se nuk do të liberalizohen vizat për kosovarët deri në fund të këtij viti, edhe pse liderët politikë vazhdimisht premtonin, dalin fjalë të forta të qortimit të BEsë. Por këtë e bëjnë vetëm në Facebook apo deklarata në Prishtinë, kur vinë në Bruksel nuk sillen në mënyrë të njëjtë.
Problemi me premtimet e liderëve politikë të Kosovës për liberalizim vizash nuk është pse ato nuk janë realizuar, por pse janë dhënë. Atyre shumë herë nga Brukseli, Berlini e Parisi u është thënë që të mos krijojnë pritje duke përmendur data, por nuk kanë dëgjuar. Nuk kanë dëgjuar, sepse e kanë ditur se populli do të dëgjojë premtime, edhe pse ato duken joreale. Kur është fjala për liberalizimin e vizave kjo po ndodh tash e tetë vjet. Në fillim të secilit vit ata kanë premtuar se liberalizimi do të ndodhë në fund të po atij viti. Por nuk ka ndodhur. Tash procesi i vendimmarrjes për liberalizimin eventual të vizave për Kosovën është në vazhdim e sipër në Këshillin e BE-së, por me kalimin e kohës po bëhet e qartë se ky liberalizim tash më nuk ka gjasa të ndodhë këtë vit.
Madje as miratimi i vendimit këtë vit, me qëllim që liberalizimi të jetësohet në fillim të vitit të ardhshëm, nuk duket real. Duket se edhe liderët politikë të Kosovës, të cilët deri para pak javësh garantonin se liberalizimi do të ndodhë deri në fund të këtij viti, tashmë po e ndryshojnë fjalorin dhe po thonë se “deri në fund të vitit mund të merret vendimi” apo “të përmbyllen procedurat”. Në anën tjetër, në BE pohojnë se është “tepër herët” që kosovarët të bëjnë tash llogari matematikore sesa vota duhen në Këshill për liberalizim vizash.
Thonë se “kjo nuk është çështje e matematikës, por e politikës” dhe tërheqin vërejtjen se, nëse shtetet si Franca dhe Holanda janë kundër, nëse Gjermania dhe Spanja nuk janë në këtë moment në favor, atëherë as që do të ketë votim në Këshill. Bazuar në diskutimet e deritashme në grupet punuese në Këshill, si atë për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe atë për Punë të Brendshme, diplomatët në Bruksel pohojnë se nuk duket ndonjë dozë e nxitimit për të miratuar së shpejti vendimin.
Madje ka shtete serioze, që janë mbështetëse të Kosovës, të cilat pohojnë se edhe Komisioni Evropian “është nxituar” kur ka dhënë mendimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. BE-ja nuk ka arsye të mos liberalizojë vizat për kosovarët. Është padrejtësi e madhe që ky diskriminim ndaj tyre vazhdon. Korrupsioni, krimi i organizuar, tensionimet e mundshme politike, frika nga eksodi janë vetëm justifikime, por arsyeja e vetme është mungesa e vullnetit politik. Pra, fajin më të madh për mosloiberalizimin e vizave e ka BE-ja. Problemi qëndron në faktin se Kosova nuk ka fuqi politike, e liderët politikë të Kosovës as fuqi morale ta detyrojnë BE-në të heqë vizat.
Dhe, sikur nuk ka ndodhur asgjë deri më tash, as tash nuk do të ndodhë asgjë për shkak të mosliberalizimit të vizave. Politikanët do të vazhdojnë tash të premtojnë afate të reja. BE-ja do të vazhdojë të thotë se “procesi është në fazën finale”, siç ka qenë tash e katër vjet, të rinjtë do të gjejnë rrugë për t’u larguar nga Kosova. Autoritetet e Kosovës do të bëhen se kinse po e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa BE-ja, sipas nevojës, do të bëhet ose kinse po beson ose se nuk beson. E shumë diplomatë në BE nuk do të binden vetëm me dënimin e Enver Hasanit, ish-rektor dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, se Kosova po e lufton krimin dhe korrupsionin në nivelin më të lartë.
E ky është vetëm një rast bizar, shumë simbolik i cili është trajtuar si i “nivelit të latë” vetëm për shkak të nivelit të postit që ka pasur personi. Nëse në BE do të duan të gjejnë arsyetime do t’i gjejnë sa të duan në Kosovë për ta mbajtur popullin e ngujuar. Do të vazhdojë keqpërdorimi i liberalizimit të vizave nga ana e qytetarëve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë. Kjo do të merret si arsye për të “mos nxituar” me Kosovën, ndërkohë që vizat nuk do të rivendosen për ata për të cilët tashmë janë hequr. BE-ja do të vazhdojë të tërheqë vërejtjen për nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në Kosovë, por do të vazhdojë t’i konsiderojë si partnerë pikërisht ata që janë përgjegjës për një gjendje të tillë. Dhe pasojat do t’i mbeten vetëm qytetarëve. Sepse politikanët nuk e kanë hallin të marrin vizat, as për vete e as për familje. Ose t’i sigurojnë pasaportat e Shqipërisë.
Dhe populli nuk ka çfarë të bëjë. Kurdo që të ndodhë liberalizimi, e ai një ditë do të ndodhë, të gjithë do të jenë të lumtur. Në Kosovë nuk do të ndodhë asgjë dhe nuk duhet të ndodhë asgjë. Sepse kërcënimi ndaj BE-së se do të ndodhë diçka në rast të mosliberalizimit të vizave duket sikur kërcënimi me vetëvrasje. E Kosova nuk mund t’i bëjë gjë BE-së. Nuk mund të bëjë, për shembull, suspendimin unilateral të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Nuk mund t’i përgjigjet në mënyrë reciproke BEsë, pra të vendosë viza për shtetasit e BE-së. Fuqia lobuese e Kosovës për liberalizim vizash është në nivelin e deklaratave para gazetarëve apo takimeve me zyrtarë, të cilët edhe ashtu janë në favor të një vendimi të tillë.
Por tek ata që vendosin nuk ka ndonjë ndikim. Nuk po e shohin vlerën e takimeve me deputetë të Parlamentit Evropian për këtë çështje, kur ky Parlament edhe formalisht ka mbështetur liberalizimin e vizave. Nëse vërtet duan të bëjnë diçka atëherë duhet ta harrojnë Brukselin, dhe t’i drejtohen Berlinit, Parisit e Hagës. Sepse politika e BEsë nuk krijohet dhe vendoset në Bruksel, por në Berlin e Paris. E këtë le ta bëjnë vërtet në takime me zyrtarë të shteteve të BE-së e jo përmes postimeve në Facebook sa për t’u arsyetuar para qytetarëve, ndaj të cilëve nuk po i realizojnë premtimet të cilat as nuk ishte dashur t’i kenë dhënë.