Lutja e akademikut

Diel, 27 Janar 2019 17:04

Nga Qemal SAKAJEVA

Edhe popujt e kanë të nevojshme për t’u vetëparë në pasqyrë. Për ta bëhen pasqyrë individët e jashtëzakonshëm, siç thotë proverbi spanjoll që, çdo komb gjykohet nga njerëzit e mëdhenj që i japin njerëzimit. Tolstoi, autori i famshëm i “Lufta dhe Paqa” është i madh ndër më të mëdhenjtë. Autori s’di pse në shqip u soll me emër perëndimor - rus si Leon Tolstoi, - dhe atëherë na u duk mirë, - ndërsa po të ishte vënë mbi ballinë të romanit si Luan Tolstoi, do të bëhej një shqiptaro - rus për gaz. Por emri Leon Tolstoi, ose shkurt Tolstoi, u bë i pashlyeshëm, por askund si Lev. Kur lexuam edhe “Ana Karenina” e më pas “Ringjallja”, nuk kish shkollar që të mos dinte për këtë gjeni të letërsisë ruse.
Aty nga vitet ’70, të shekullit të kaluar, intelektualë që kishin televizorë në shtëpi, blerë me autorizim e ngushticë financiare, hidhnin fshehtas një sy përmatanë, në “xhamin e dritares italiane”, përmes televizionit RAI. Në ato kohë mësuan prej reklamës dhe përhapën drojshëm lajmin, ditën dhe orën e saktë, kur do të transmetohej filmi “Lufta dhe Paqa”, me skena masive të jashtëzakonshme, të regjizorit të madh Sergei Bondarçuk. Thyem këmbët, në kërkim të një miku, që televizori ia rrokte Italinë. Ata që e kishin përpirë romanin shumëfaqësh me mbi 550 personazhe, mezi ç’prisnin të shihnin artin e penës së Tolstoit të shndërruar në art të figurës nga Bondarçuk.
Më pas në Shqipëri erdh e u nder një kohë gri e rëndë ndalimi.
Por disa vite të shkuara pas shndërrimit të sistemit politik në Shqipëri, duke ndjekur në rusisht kanalin televiziv satelitor rus, kapa që, çdo të premte, mbrëmjeve vonë, transmetohej emisioni i emërtuar Kulturnaja revolucija (Revolucioni kulturor). Skenografia ishte zgjidhur me tri sheshe: i epërmi ku qendronte drejtuesi, i vënë në mes nga dy figura të njohura të fushës, apo i bashkëshoqëruar nga një i vetëm; disa të tjerë, po aq të ditur, rrinin më poshtë; dhe një numër pjesëmarrësish të përzgjedhur qarkonin studion, por as pyesnin, as pohonin, as kundërshtonin - thjesht ishin pjesëmarës në emision. Ndriçimi artistik i jepte sfondit të skenografisë një ngjyrë alli të pështjelluar, mbi të cilin lexohej titulli dyfjalësh në cirilike: Kulturnaja revolucija.
Pra, në një nga ato të premte vonë, në qendër të debatit me nerv ishte vënë Lev Tolstoi dhe vepra e tij. Njerëz të shquar që folën, shqiptuan kritika të rrepta kundër gjeniut. Ne dinim nga letërsia që, Rusia kishte dy Carë: Carin dhe Tolstoin. Cari nuk mund t’ia lëkundte karriken Tolstoit, ndërsa Tolstoi ia tundte fronin Carit. Shkrimtari që kritikoi shtetin, ushtrinë dhe kishën ruse, dhe kisha e shkishëroi më 1901, si ndëshkim kundër romanit “Ringjallja”, më 2001 kisha ruse e ripohoi shkishërimin e tij të një shekulli më parë, dhe ky - Lev Tolstoi - është tashmë edhe i papëlqyeri i qeverisjes së sotme dhe i kishës ruse. Presidenti Vladimir Putin asnjëherë nuk ia ka zënë me gojë emrin Lev Tolstoit, në fjalimet e veta të shuma. Ky gjeni është lënë në harresë në atdheun e vet, me vepra të futura në listën e zezë. Nipi i shkrimtarit, Vladimir Iliç Tolstoi, ishte i detyruar të thyente heshtjen zyrtare, duke e cilësuar atë qendrim një gabim të madh ndaj shkrimtarit. Ai që nuk ka ndaluar ende është treni Tolstoi Ekspres, i zbukuruar me personazhe tolstojanë, që vajtje e kthim, Moskë - Jasnaja Poljana, mbart admiruesit që vizitojnë shtëpinë e gjeniut në vendlindje, që edhe sot është ashtu siç ka qenë atëherë, dhe bibliotekën me 22 000 vëllime. Heshtje pati edhe në 100-vjetorin e vdekjes, që ditë më ditë i binte më 20 nëntor 2010. Kështu, ato kritika të asaj së premte vonë në Kulturnaja revolucija, nuk paskan pas qenë thjeshtë shkujdesje zyrtare. Një akademik i fushës së kulturës popullore, i ftuar në atë emision, me kurajë tha mendimin e kundërt, të cilin e shqiptoi si përgjërim drithëruese: ”Për hir, të Zotit, mos na e thyeni këtë pasqyrë se nuk do të kemi ku të shihemi!”
Edhe tek ne, pasi komunizmi erdhi në pushtet, e bëri copë - copë pasqyrën Gjergj Fishta! A nuk dalin si nga shkurret, sa herë avitet stina e Çmimit Nobel, dhe vërviten gurë mbi pasqyrën Ismail Kadare? Le të kujtojmë urtësinë e George Bernard Show se, “I vetmi shërbim që një mik mund me të vërtetë të bëjë është të ta mbajë kurajën duke të vënë përpara një pasqyrë në të cilën ti mund të shohësh një figurë fisnike të vetvetes”. Pasqyra Lev Tolstoi ka marrë të krisur për rusët. Por u pranoftë lutja e Akademikut, që pati thirrur për pendesë, në Kulturnaja revolucija.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...