Sikur të kisha rastin ta takoja zonjën Monika Kryemadhi, çfarë do t’i thosha...

Premte, 22 February 2019 09:44

Nga Eden Babani, Bruksel

Them “sikur”, me qenë se jetoj më shumë se një mijë kilometra larg Tiranës, ku edhe mund t’i kërkoja një takim Kryetares së LSI-së dhe ajo të ma kishte pranuar. Mirëpo, ca largësia, ca mundësitë ekonomike për të ndërmarrë udhëtime ajrore kaq të gjata sa herë që trajektorja e politikës tiranase shkon në zenit, ca edhe mosha (pse jo?), s’ më lënë shteg tjetër veç shtegut të “sikur”-it, një hamendësi shpëtimtare që, ndonëse në qerthullin e hamendësive, të jep mundësinë ta shprehësh publikisht atë çka të mundon, të jep edhe një fije shprese se një ditë ajo ose ai të cilit ose së cilës i drejtohesh, do të njihet me atë çka ti ke dëshirë t’ia thuash goja-gojës.

Pra, në kushte të tilla, s’ më mbetet tjetër veç të besoj se zonja Kryemadhi, do të ketë rastin të njihet përmes shtypit me çka do t’i thosha gojarisht. Pastaj, në fund të fundit, sado larg, Tirana dhe Brukseli nuk janë ekstremitetet e rruzullit tokësor. Unë do të shkoj një ditë në Tiranë, qoftë për pushime, qoftë për të qenë i pranishëm si votues në zgjedhjet e pritshme. Edhe ajo do të vijë një ditë këtu, në Bruksel, në funksion të Kryetares të LSI-së. Le të shpresojmë, pra, në një shkëmbim më të plotë mendimesh.

* * *

Por, t’i lemë mënjanë hamendësitë me “sikur”. Të hyjmë drejt në thelbin e  atyre çka do t’i thosha.

Së pari, do ta përshëndesja përzemërsisht dhe pa një, pa dy, zonjën Kryemadhi lidhur me hapin e hedhur prej saj dhe të partisë që kryeson, për djegien e mandateve parlamentare, pavarësisht ndonjë lefteri të kapur nga korrupsioni, që pandeh se përfaqëson ca zgjedhës s’dihet se ku, kur ata (zgjedhësit) kanë votuar një listë dhe jo individë të veçantë. Pastaj, menjëherë pas përgëzimeve tepër të çiltra për rastin e paprecedent të historisë sonë politike që nga dita e Pavarësisë e këtej, do t’i kujtoja deklaratën e saj të nesërmen a të pasnesërmen e protestës së jashtëzakonshme të opozitës përpara Kryeministrisë, ku Ali-Kimiku shqiptar lëshoi mbi protestuesit gazrat helmuese.

Unë e meritoja atë gazin lotsjellës, atë gazin helmues, deklaroi pak a shumë zonja Kryemadhi. E meritoja që i dhashë dorën në 2013-ën, Edi Ramës. Dhe për këtë po paguaj. Për këtë arsye, unë e djeg mandatin më shumë dhe jam e bindur më shumë për këtë gjë sepse shqiptarët duhet të shikojnë një veprim që unë e kam seriozisht me Edi Ramën dhe nuk e kam lojë politike.

Tamam, zonja Kryemadhi. Të besoj. Të besoj plotësisht. Sinekdoka është e qartë. Nuk bëhet fjalë për “dorën”. Bëhet fjalë për “besën” që i dhatë të pabesit. Madje, si shqiptar, sikundër edhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë, nuk kam pikë dyshimi që gjesti yt i djegies së mandatit, nuk është lojë politike. Është përplasje e fortë e dufit tënd. Përplasje në fytyrë atij që shfrytëzoi tinëzisht bindjet tuaja të majta, për të hequr nga pushteti koalicionin e atëhershëm të qendrës së djathtë me partinë tuaj të qendrës së majtë, një koalicion i panatyrshëm për politikën shqiptare të kohës, e cila veç dy dekada kishte që ishte shkëputur nga sistemi monopartiak. Ndaj them se e meritoje me gjithë mend gazin helmues, që të mos them se meritoje edhe më shumë.

Por, të shkuara të harruara dhe me mend në kokë për të ardhmen. Të shporret sa më parë dhe sa më bindshëm nga pushteti junta “rilindëse”, dhe falë zgjedhjeve të ndershme, të kemi edhe ne, shqiptarët, pozitë dhe opozitë për së mbari, sikundër gjithë bota e përparuar demokratike.

Në kontekstin e mësipërm, s’ më rihet pa shtuar edhe diçka. Sado që e ligjshme dhe në unison me të tjerët, thirrja jote e sotme “Rama ik!” në protestën përpara Parlamentit të Shqipërisë rrethuar me tela me gjemba dhe forca të panumërta policore, mua më tingëlloi paksa e butë. Do të dëshiroja të kishe thirrur “Rama këput qafën!” Të kishe bërtitur ti e para, zonja Kryemadhi. Të kishe bërtitur sa kishe në kokë. Të jesh e sigurtë se do të të kishin ndjekur të gjithë. Them se do ta kishe ndier veten edhe më të lehtësuar nga “të vjellat” që të shkaktuan gazrat helmues, lëshuar nga aleati yt i dikurshëm politik.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...