Dështimi i bujshëm në Berlin, përse teze Merkel, nuk e puthi Kryeshefin dhe përse…?

Saturday, 04 May 2019 14:23

Nga ditari “Zhgënjimi i qametshëm në fshatin ‘Shejtan’” – Artur Zheji

Ishin kujdesur mirë dhe kishin bërë një punë të madhe kërkimore, duke rrëmuar në humorin e vështirë të Tezes së madhe Gjermane, për të krijuar një kthesë të re dhe magjike, ashtu si në kohët e shkuara të viteve të para. Kryeshefi ishte besimplotë, 25 veta kishin filluar kërkimet nga jeta dhe hobi i bjondes së hekurt, mirëpo kishte nga ata që parashikonin se barcaleta ishte me rrezik në këtë periudhë, pasiqë Kancelarja, kishte pësuar një humbje të rëndë në familje pak javë më parë. Gazetat shkruanin që nuk i qeshte më buza, se nëna është nënë, pavarsisht kush je dhe sa lart je.

Mbledhja e stafit ishte e ndezur dhe e zhurmshme derisa hynë ata të dy, Kryeshefi dhe Fugsi. Vështrimi depërtues i Fugsit, kish fituar një autoritet të paparë, ishte kërcënues dhe i mëndafshtë në të njejtën kohë. Çështja ishte e një rëndësie të veçantë, ishte vlerësuar si guri i fundit në arenën ndërkombëtare. Kryeshefi bëri një ftesë të pazakontë dhe kalonte nëpër duar një palë tespie antistress, në luftën e dëshpëruar për të rralluar duhanin.

“Du sinqeritet në rradhë të parë! Ashtu si e mendoni! Më vini në pah edhe gabimet që kemi bërë apo kam bërë me kta gjermanët, sidomos me ca deputetë leshi që kanë rënë në dashni me kta opozitarët dhe me LulXimin ….”, tha shtruar Kryeshefi krejt butë e qetë.

Një nga “këshilltarët” morri guxim e hov dhe pasi nxorri një Ipad, bëri “scroll” me gishtin tregues dhe morri fjalën duke mos i bërë syri tërr! Fugsin filluan ta kapin ca djersë, ishte “rekruti” i tij më i ri dhe e kish për të parën herë.

“Kemi bërë gabime të njëpasnjëshme Shef! Kemi rënë në grackën e Mikut nga Kosova, për këto ndryshimet e kufinjve Serbi-Kosovë, që Tezes së madhe, nuk i pëlqejnë! Po ne nuk kemi bërë gabime dhe nuk kemi pyetur, kemi ndjekur vetëm udhëzimet e Gazetarit-Vlla nga Kosova. E ç’na thoshte ne Bato? Erdh koha për bashkim kombëtar! Bukur, thonim ne, po si? Nuk ka rëndësi se si, e dimë ne këtë punë… ndryshojmë kufijtë me Serbinë, hymë në OKB, shpallim referendumin e Bashkimit Kombëtar… kryhet bashkimi, na thoshte ky… pastaj bëjmë zgjedhjet e reja mbarëkombëtare… fitojmë zgjedhjet! E të tjera e të tjera, muhabete filxhani kafeje me kafe turke, si thoni ju Kryeshef!… e tërci e vërci! Madje hoqëm nga detyra Ditri Bushatlliun dhe vumë n’krye Caksin, apo si e thrrasin ndryshe “Voglushi” i KryeShefit! Duhet të flasim hapur Shef, ëndrra e Batos ishte madhështore, Bashkimi Shqipëtar dhe ju kryeministri ose Presidenti i parë… por ja, semafori amerikan ishte i mbyll, Tezja e Madhe na lëshontë sinjale pas sinjalesh ne hiç! Kështuqë unë mendoj se duhet të zbythemi si në një vallëzim tango… Kam bërë edhe planin gati për këtë. Por duhet që të rikthejmë më parë Bushatlliun Ditri në detyrën që kishte dhe….

Kryeshefi ngriu krejt, madje u habit me veten se si e dëgjoi aq gjatë atë këlysh qeni dhe hodhi një shikim vrastar për nga Fugsi dhe Caksi që qeshte për të mos qarë…

“Kush është ky? Ku kullot ky? Kush i jep rrogën këtij gomari, e krriç gomari?! Kush ma solli këtu dhe pse ma solli këtu, këtë mendjepordhë?! Kush e fryn këtë dordolec që të guxojë e të mbajë fjalime të tilla mua?! Qërrojeni nga zyra këtë hajvan! Më qenka veshur dhe me Valentino! Mban edhe këpucë llustrafine me majë! Ka vënë edhe një kile xhel mbi kokë, ky kokëkrapi! Na shpoi edhe hundët parfumi i këtij horri! Si guxon more fytyrë teneqe! More fytyrëbythëkusi! Mor njeri hardhuckë, mor zhapik, mor bythëmut, mor hajvan! Na merre këtë! – brriti me sa zë kishte në kokë Kryeshefi dhe vërviti një tavëll kristali, punuar në Bohemi, me fije ari të ngecuar ndër damarë, dhuratë e studio arkitektonike XXXYZ999.

Fugsi i nxorri me trimëri dorën përpara dhe e shmangu, se përndryshe do ndodhte hataja. Mbledhja u prish, kristali u thye, ndërsa Fugsi me vetëpërmbajtje filloi të fashonte doçkën e majtë. Në trup gjaku i ziente nga vetëkënaqësia e veprimit trimëror të sapokryer.

Mirëpo të këqiat që filluan në “mbledhjen” parapërgatitore, vijuan më tej në kryeqytetin e gjermanëve, në Berlin. Ministri, krenaria e Kryeshefit, Caksi, kishte shumë emocione dhe shkonte shpesh në tualet, duke krijuar zhgënjim, në stafin e shqetësuar. Pastaj mbrriti çasti që solli tersllëkun e madh. Teze Merkeli, u vu re qartë, që e puthi në të dy faqet Zaevdevin, djalë brun ky, energjik, ëmbëltak dhe me një të qeshur sfiduese… pastaj puthjet e mikpritjes vazhduan, por për mjerim të stafit dhe para kamerave, Tezja nuk ju avit faqeve me qime të shkurtra të Kryeshefit.

Megjithëse Kryeshefi, nën udhëzimet e përpikta të Fugsit dhe me kontributin cilësor të Caksit, kishte përdorur zbutësin e qimeve të markës “Paradise” (dhuratë inteligjente e studios arkitekturore AAAYYY222, me qendër në Singapore), për të luftuar kreshpërimin qimor të mjekrës së Liderit. Përsëri, edhe pse u vlerësua si një ndërhyrje superiore përdorimi i zbutësit qimor “Paradise”, edhe pse u bënë disa sprova në hollin e hotelit nga Caksi, që luante rolin e Tezes dhe vlerësonte me qimet e tij, qimet e zbutura të Kryeshefit, duke buzëqeshur, Tezja e vërtetë, nuk ja vari fare zbutësit, qimeve dhe faqeve të Kryeshefit.

Duke e dënuar me mosputhje! Kjo dhe shënoi trishtimin e parë.

Pastaj ja behu Rambo i taksës 100%, që ishte rruar krejt freskët, por dukej sikur e kishte marrë në Samit, edhe briskun me vete dhe qielli i vranët, u bë me shkrepëtima. Mister Rambo100%, sëbashku me brunin nga Shkupi, Zaevdev, morri vëmendjen e madhe të Tezes dhe të simpatikut francez Macrons, që ndiqte live, negociatat e pambarim me jelekverdhët e vet.

Kryeshefi dhe Fugsi, kujtonin ato çaste të zymta, vizitat e paradovitshme, fotot miqësore, të paraqitura si gati romantike nga fotografja personale e Kryeshefit, me Tezen e Plotpushtetshme, në një ballkon të ndriçuar dhe me vështrim nga e ardhmja. Sa vota dhe sa pëlqime kishin sjellë ato foto, në Fshatin Shejtan, por tani ishte e kotë. Berlini solli një fiasco dhe një trishtim. Caksi rrinte me zemër të ngrirë për këtë, kishte një si parandjenjë që rrebeshi do të derdhej mbi kokën e tij dhe me flokët e qethura te parukieri më i mirë i Prishtinës, fytyra e tij shprehte brengë. Hidhte vjedhurazi vështrime nga Rambo100%, por ky i fundit, e shikonte tejpërtej, sikur të ishte një shishe boshe.

Kthimi në Tiranë, ngjante si kthimin në shtëpi, pasi nga vizita te mjeku ishte marrë një lajm i keq dhe i pandreqshëm. Kryeshefi u ndje i lodhur dhe në çark.

Vendosi që darkën ta kalonte me një ish mikeshën e vet, që jetonte në Gjermani dhe kish ardhur ta takonte. Vuri re që ajo pinte shumë verë dhe ay, e ndoqi pas në një dehje të lehtë, stafi rrinte në një tavolinë më larg dhe u vu re, se Kryeshefi derdhi edhe lotë.

Njeri prej këtyre lotëve, ndejti ca sekonda pezull në cepin e syrit, pastaj u rrokullis nëpër qimet e zbutura nga zbutësi superior “Paradise” dhe pikoi mbi tavolinë. Mikesha e ftohtë po fliste ndërkohë për një projekt dhe për studion UUUX33, ku ajo ishte bashkëaksionere sipas udhëzimeve të paradokohshme. Por mendja e Kryeshefit, u mbyt në mjergull, si mbytet në varkë e çpuar dhe e vjetër në një liqen të madh. Ngadalë, duke u zhytur qetësisht dhe ay, Kryeshefi, që nuk jepte më shenja jetëdashëse…

Koka ju var mënjanë dhe e gjeti veten në sediljen e avionit që po e kthente në Shejtan. Aty do ta fillonte përsëri nga e para, do të prekte tokën besnike dhe do të merrte forcë, mes fshatarëve të tij që besonin në mrekulli… Stafi do të përgatiste operacionin e koduar “Kamardarja e Berlinit”, por Kryeshefi përjetonte një parandjenjë. Teze Merkelin nuk do ta takonte dot më asnjëherë, mbetej Vuçiçi që do ja behte shpejt në Shejtan… Varka e mendimeve u zhyt përsëri në atë Liqen të përzishëm dhe ay fjeti përsëri, i mbrojtur nga pagjumësia e Fugsit, që mbështetej në pagjumësinë e re të Caksit…

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...