Tubimet e opozitës dhe legjitimiteti i Policisë

Hënë, 20 May 2019 20:01

PËLLUMB NAKO

Edhe ne kushtet e një pasdite je kur shiu nuk pushoi për asnjë sekondë, mbështetësit e opozitës u mblodhën përsëri në Bulevard, njëlloj të shumtë si një ditë më parë. Gjithmonë në vazhdim të protestave të nisura më herët. Këtë radhë të fokusuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga ana e saj, edhe Policia arrestoi disa manifestues të radhës. Pas 80 syresh, vetëm një ditë më parë. Skena këto pothuaj pas çdo tubimi. Në qendër të ndërhyrjeve policore, sigurisht, është parandalimi i dhunës karshi organeve të Rendit, institucioneve të mbrojtura prej saj dhe respektimi i ligjit të tubimeve. Këtë gjë nënvizuan njëri pas tjetrit edhe dy zëvendësministra të Brendshëm, duke u angazhuar publikisht se Policia do të vazhdojë të kërkojë respektimin e ligjit.

Është pikërisht ky deklarim i dy zëvendësministrave, në dukje më normali që mund të ekzistojë, dhe që njëkohësisht përbën edhe thelbin e ngërçit. Policia do ta zbatojë ligjin se atë mision ka, por ajo ndodhet para vështirësisë së numrit të madh të manifestuesve që nuk i binden. Po aq të shumtë ata janë edhe kur marrin pjesë në manifestime të cilësuara nga Policia si të paligjshëm. Gjithmonë të shumtë, edhe kundërshtojnë Policinë kur ajo i paralajmëron të shpërndahen. Pra, kundërvajtja ligjore e “pjesëmarrjes në tubim të paligjshëm” apo ” kundërshtim i punonjësit të Policisë” humbet kuptimin ligjor. Në manifestimin e fundit u evidentua diçka që nuk ishte konstatuar më parë. Këtë radhë turma e madhe e protestuesve ishte kompaktësuar. Me fjalë të tjera, ishin disa dhjetëra mijë persona kompaktë që nuk respektuan ligjin për tubimet, si për orarin dhe për itinerarin e ndjekur. Si përherë dhe kudo, në raste të tilla nuk mungojnë as mendjet e nxehta agresive që hedhin lëndë piroteknike. Të gjithë pjesëmarrësit nuk iu bindën Policisë. Sipas kritereve ligjore, secili prej tyre konsiderohet pjesëmarrës në një tubim të paligjshëm dhe secili ka kundërshtuar Policinë. Pra, ligjërisht, të dënueshëm. Në rrethana të tilla, arrestimet e Policisë përqendrohen tek më agresivët. Normale. Por kush më shumë e kush më pak, të gjithë e kanë shkelur ligjin, ndaj dhe ai nuk zbatohet për të tërë barabartë, por me përzgjedhje. Nuk është normale. Pra, e pamundur që manifestime të kësaj natyre të trajtohen vetëm në optikën ligjore.

Por përse nuk mjafton ligji?

Sepse me atë që po ndodh, duhet specifikuar fakti se eliminimi i përplasjeve me Policinë nëpërmjet aplikimit të ligjit dhe zgjidhjet me natyrë politike janë pothuaj ngjitur. Kufiri ndarës i tyre është i zbehtë. Ndaj, dhe t’i kërkosh Policisë të zbatojë ligjin në një rast të tillë është komplekse. Dara e keqe, ndërmjet detyrimit për të zbatuar ligjin dhe pamundësisë për ta kryer atë siç duhet, është forma më e mirë për ta vënë Policinë në shërbim të vetes. Për fat të keq, nga ana institucionale, Policia e ka të pamundur t’i shpëtojë kësaj dare në një demokraci si ajo e vendit tonë. Në mjedisin e një klase politike qeverisëse të papërgjegjshme, me dashje ose jo, Policia është e detyruar të bëjë të njëjtën figurë si qeverisja dhe publiku ta kontestojë njëlloj me të.

Po përse ky paradoks? Përse nuk qenka normale të kërkosh nga Policia zbatimin e ligjit dhe ndërkohë për këtë gjë ajo të përfundojë e papëlqyer nga publiku?

Kjo sepse të gjitha ligjet që parashikojnë menaxhimin e tubimeve masive, të dhunshme ose jo, apo aspekte të tjera të prishjes masive së rendit publik, janë të lidhura ngushtë me prishjen e rendit social, i cili në bazë të ekuilibrit të tij ka institucionin e politikës. Pra, vlerësimi i kufirit se kur prishet ekuilibri i rendit social të një vendi, më shumë së ligjor, është politik. Në momentet kur ky ekuilibër i cenuar bën të pamundur zbatimin e ligjit, i takon politikës të ndërhyjë për të rivendosur paqen sociale. Dhe atmosfera aktuale në vendin tonë e tillë është.

Nëpërmjet mbajtjes së rendit publik, Policia garanton kohezionin social i cili në kohë përplasjesh të tilla masive me shtetin, mbetet mision i pamundur. Klasa qeverisëse, për interesa të saj, nuk i referohet këtij fakti dhe në vend të ndërhyjë me zgjidhje që janë të vetmet dhe në dorën e saj, vendos para Policinë, duke i kërkuar të zbatojë ligjin. Dhe në këtë rast, Policia nuk ka tjetër alternativë veçse të bëhet palë me qeverisjen, duke përballuar gjithë presionin. Ndaj dhe në parim, qëndrimi i krahut tjetër ndaj Policisë, në përgjithësi, nuk është negativ.

Ndërsa në rastin tonë, kur shohim një lidership policor të shquar për zellin e shtytjes së Policisë drejt ushtrimit me tepri të forcës, në tejkalim të caqeve ligjore, problemi mbetet brenda saj. Madje, as qeverisja nuk e ka të vështirë ta hedhë poshtë si limon i shtrydhur. Është e pamundur të ketë qeverisje të mirë dhe Polici të keqe, apo anasjelltas, qeverisje të keqe dhe Polici të mirë. Ato janë fytyra e njëra-tjetrës.

Po të shihet media, në këtë kohë manifestimesh konstatohet se përgjithësisht raportet e Policisë me ligjin, me tubimet, me pushtetin, manifestimet, sjellja e publikut, i trajton gjerësisht nën një optikë politike, duke qenë se në krye të manifestimeve janë përfaqësuesit e opozitës. Në fakt, problemi duhet parë edhe në një aspekt sociologjik. Sepse opozita nuk bën gjë tjetër veçse kanalizon pakënaqësitë. Dhe pakënaqësitë kanë rrënjë sociale të lidhura ngushtë me qeverisjen. Aktualisht, opozita nuk ka mbledhur rreth vetes njerëz të lumtur e të kënaqur që përplasen me ligjin për karriget e saj.

Në një kontekst, kur në mënyrë masive njerëzit përplasen me ligjin, kur nuk e kanë frikë atë, tregon qartë se qeverisja e bashkë me të edhe Policia kanë humbur legjitimitetin. Ka ndryshim të madh ndërmjet konceptit ligj dhe konceptit legjitimitet. Njerëzit marrin guximin të mos respektojnë ligjin kur institucionet e kanë humbur besimin e tij. Është besimi qytetar ai që legjitimon qeverisjen. Sipas sociologëve, legjitimiteti përkufizohet si aftësia që ka një organizatë (në rastin tonë Policia) për të krijuar bindje, me kusht që bindja të jetë e pranuar, e vullnetshme. Kur Policia perceptohet nga publiku legjitime, i bindet automatikisht, e njeh autoritetin e saj pa bërë shumë pyetje e diskutime. Edhe nëse nuk e njeh ligjin. Sepse ka besim tek ajo. Duket qartë që manifestimet kontestuese masive të kësaj kohe, me apo pa dhunë, po tregojnë se pjesa e popullsisë që manifeston, si edhe ajo që e mbështet atë, nuk i binden më autoritetit shtetëror. Jo vetëm në mënyrë vullnetare, por as edhe me frikën që ka individi natyrshëm nga shkelja e ligjit. Problemi që debatohet është nëse kjo pjesë është shumicë apo pakicë. Ndaj dhe procedimet apo arrestimet e shumta në numër nuk zgjidhin gjë. As rritja e ndëshkimeve ligjore në mënyrë joproporcionale. Bindja ndaj ligjit lidhet ngushtë dhe është e pandarë me legjitimitetin e institucioneve që përfaqësojnë ato. Me besueshmërinë.

Pyetja që bëhet është e thjeshtë: nga zgjedhjet e para politike, qeverisja aktuale e ka rritur apo ulur legjitimitetin? Besohet më pak apo më shumë ajo? Nëse do të ishte trend në rritje, opozita nuk do të kishte asnjë shans të grumbullonte aq shumë njerëz në kontestimet e saj. Ose e thënë ndryshe, do të ishte e pamendueshme për opozitën të ndërmerrte hapa të tilla në vitet e para të qeverisjes socialiste kur ajo reflektonte legjitimitet, kur njerëzit i bindeshin vullnetarisht ligjit në shumicë absolute. Vetë e humbi. Mostërheqja është frikë dhe ligji vetëm mburojë e përkohshme.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...