Nga Qemal SAKAJEVA
Përgjigje lapidare është dhënë në rastin më të fundit nga ambasada amerikane në Beograd, dhe le ta lëmë për në fund. Kurse sjellja e njëjtë serbe është përsëritur në panumërim, më të spikaturat e të cilave janë bërë edhe lajme botërore për keq.
Pasi huliganët nacionalistë ishin shfaqur gjithandej kundër Kosovës, kulmi qe shënuar në vitin 2010, në stadiumin “Marassi” të Gjenovës në Itali. Gangsteri Ivan Bogdanov me çetën e tij përdorën një përkim të dyfishtë: ndeshjen e futbollit mes skuadrave të Italisë dhe Serbisë dhe vizitën e Sekretares së Shtetit të SHBA, Hilari Klinton në Romë. Ata, që në minutin e gjashtë të ndeshjes hodhën flakadanë, më pas shpalosën parullën e madhe “Kosova është Serbi”, përdorën dhunë dhe gjuajtën me plot sende të tjera, gjë që çoi në ndërprerjen e takimit. Ambasadorja serbe në Romë, Sanda Rashkoviç - Iviç, reagoi pas këtyre pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt në RAI dhe të bëra lajm botëror: “Unë dhe gjithë serbët jemi të turpëruar” dhe “Këta ekstremistë nuk pëfaqësojnë ndjenjat e popullit serb”, tha ajo.
Por, për eleminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit 2016, gjatë ndeshjes së ekipit kombëtar të Shqipërisë me ekipin kombëtar të Serbisë,në stadiumin “Partizani” të Beogradit, më 14 tetor 2014, që në fillim të ndeshjes huliganët nacionalistë dogjën flamuri n e NATO-s, pas 15 minutash hodhën flakadanë, dhe më pas u thirrën parullat “Vritini, vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, ndërsa brenda në fushë u shfaq gangsteri Ivan Bogdanoviç, edhe pse i dënuar për të mos u lejuar të futet nëpër stadiume. Ky brutalitet zhvillohej para syve të presidentit Tomisllav Nikoliç, ulur në shkallët e stadiumit. Në këtë kohë fluturoi mbi fushën e blertë droni me parullën e famëshme “Autochthonous”. Sjellja serbe u bë lajm i bujshëm botëror, duke mbetur nëpër ekrane si refren i sjelljes më të keqe. Dihet, ndeshja nuk u përfundua. Shqipërisë iu dha fitorja në tavolinë nga FIFA.
Më 14 janar 2017, me mbështetjen e zyrtarëve më të lartë të Beogradit, u nis për në Mitrovicën e veriut treni - kishë, i dizajnuar nga Andrej Vasiljeviç, me studime të kryera në Kinë për dizajn dhe fotografi. Parulla “Kosova është serbi” ishte shkuar në 21 gjuhë të botës. Por treni provokues, i nisur përgjatë linjës hekurudhore Mladenovac- Lapovo- Kraljevo - Rashkë, nuk mundi të shkonte më tutje. Qeveria e Kosovës e ndaloi futjen e tij në Mitrovicën e veriut. Treni u detyrua të kthehej mbrapsht nëpër rrjetin hedhurudhor serb. Kjo sjellje arrogante qeveritare e Beogradit, gjithashtu u bë lajm botëror.
Por zyrtarët e lartë të Serbisë nuk shterojnë së krijuari me parullën pushtuese. Zëvendëskryeministri dhe ministër i punëve të jashtmë Ivica Daçi, në ditët e para të qershorit 2019, nxori nga portofoli një bankënotë amerikane 100-dollarëshe dhe mbi portretin e Presidentit Benjamin Franklin shkruajti me stilolaps në serbisht ” Kosova është Serbi”, dhe firmosi nën të. Shfrimi i inatit serb, kësaj herë nuk ishte i drejtuar më shumë kah Kosova, por, në pamundësi për të hedhur një raketë si Kim Jong Un, ministri i punëve të jashtme të Serbisë, njeriu i afërt i Sllbodan Millodheviç gjatë genocidit në Kosovë, me zemërimin e pafshehur pse SHBA udhëhoqi çlirimin e shqiptarëve, mëtoi t’ia përdhosë SHBA simbolin më të fuqishëm - dollarin: kjo bankënotë e zhgarravitur prej tij, pasi të qarkullonte nëpër botë, një ditë të mbërrinte në Bankën Federale të Rezervave. Ky lloj huliganizmi ia kaloin edhe Ivan Bogdanoviçit. Nuk dihet ku është ambasdorja serbe Sanda Rashkoviç- Iviç, dhe a do të mund të përsëriste për shefin e saj Daçiç, e të thoshte si atëherë “Unë dhe gjithë serbët jemi të turpëruar” dhe se ky “... ekstremist nuk përfqëson ndjenjat e popullit serb”. Por ministrit të punëve te jashtme Ivica Daçiç, një përgjigje të merituar ia dha ambasada e SHBA në Beograd, që ia dërgoi Shërbimit të Ballkanit në Radio Europa e Lirë. Në vend të parullës “Kosova është Serbi” mbi portretin e shkencëtarit dhe Presidentit Benjamin Franklin në bankënotën 100-dollarëshe, më mirë Ivicaq Daçiç të ishte munduar e të lexonte këtë thënie të Franklin: “Ji në luftë me veset tuaja, e në paqë me fqinjët”.