Mburrje e kotë

E Enjte, 22 August 2019 16:00

Nga Qemal SAKAJEVA
Me një rrethanë - e pandodhur fare - është sajuar një rrëfim enkas për t’i përplasur mendësitë: një suedez kishte blerë veturë të përdorur, dhe kur e pyetën për çmimin, tha vlerë shumë më të ulët nga sa pagoi; një shqiptar kishte blerë makinë, natyrisht të përdorur, dhe kur e pyetën se sa e ka marrë, tha një çmimi shumë më të lartë.
Morali i rrëfenjës: suedezi mëton të spikatë të mençurin; shqiptari të shfaqë shitmendësin.
Kjo i shkon për shtat deklarimeve nga funksionarë zyrtarë të lartë (madje është mjaft i përsëritur në vite), se Shqipëria është vend me shumë pasuri ujore në raport me madhësinë e territorit, duke mos harruar ta vendosin të dytin në Europë, pas Norvegjisë. Si e dhënë hidrologjike, natyrisht nuk duhet të jetë e pasaktë. Në librin “Prof. Ahmet Osja, Mjeshtër i madh”, me autor Prof. Asc. Dr. Zef Gjeta, specialisti i njohur i bujqësisë thotë se, “Shqipëria për 365 ditë derdh në detet e Mesdheut 37 miliardë m/kub ujë”(f.177), se “Liqeni i Shkodrës ka 2.2 herë ujë më shumë se gjithë shteti i Izraelit” (f. 312), se lumi Buna me 44.7 km gjatësi dhe 6.3 m thellësi derdh në detin Adriatik aq ujë se derdh gjithë Izraeli, se “Izraeli është një vend model i përdorimit të ujit”, ndërsa në Shqipëri pasurinë ujore “... e nënvleftësojmë në mënyrën më idioteske” (f. 300). Se çfarë pasurie nënkupton kjo, mjafton raporti i para pak ditëve i OKB-së mbi klimën, në të cilin, përveç të tjerave, thuhet se 1/5 e njerëzimit vuan mungesën për ujë të mjaftueshëm në kohën e sotme. Si pasojë është pakësuar prodhimi bujqësor dhe ndjehet shterimi i burimeve të ushqimit, gjë që përbën shkak madhor të lëvizjeve masive të popullsive drejt shteteve të pasura e të zhvilluara të Europës dhe Amerikës. Ka nisur të vërtetohet parashikimi i shkencëtarëve dhe politologëve më të njohur, se në horizontin e botës është shfaqur ajo që po përcaktohet si “Lufta për ujin”, duke e zëvendësur atë që njihet si “Lufta për naftën”.
Mburrja shqiptare për pasuritë ujore nuk është aspak qetësuese në kohërat që kalojmë. Një teleshikuese, më 16.8.2019 në mëngjes, në një kanal televiziv informativ “ e çpoi tullumbacen me majën e një gjembi”. Ajo foli me zemërim të madh në telefon nga Kolonja, duke njoftuar për diçka shumë vuajtëse në ditët me vapë të madhe: “Erseka nuk ka ujë. E di çdo të thotë që të mos ketë ujë Erseka rrëzë malit të Gramozit?!” Ajo telefonatë, po të ndiqej nga teleshikues që të flisnin për të njëjtën gjë - domethënë për mungesën e ujit - nuk do të kishte kohë për probleme të tjera. Në shumë fshatra të Myzeqesë së Lushnjës, por edhe të Fierit, kamionë autobotë të tregtarëve të ujit, u bien fshatrave kryq e tërthorë, ndërsa njerëzit dalin buzë rrugëve me enë nëpër duar të blejnë ujë për të pirë sepse nuk kanë mundësi tjetër, por edhe u kushton më lirë se sa uji i industrializuar mbushur në bidona plastikë që shitet nëpër dyqane. Shumë qytete nuk kanë ujë të pijshëm gjatë gjithë ditës, ndërsa taracat e ndërtesave, po t’i filmosh me dron, shpërfaqin drejt qiellit pamje çibanësh metalikë të hirtë, të lidhur me zgjatime tubash nëpër të cilët ngjishet uji prej motopomave elektrike që punojnë me zhurmim të mbytur, fshehur diku rrëzë mureve. Edhe kryeqyteti kësisoj, nuk ka ujë gjithë ditën, pa bërë fjalë pastaj që, ujin e paguajnë për të pijshëm, ndërsa mijëra familje ngaqë dyshojnë në garancinë shëndetësore të tij, ujin për të pirë e blejnë me bidona nëpër shitore. Kështu, çmimi i ujit të pijshëm kërcen firifiu, në një shifër jashtëzakonisht të lartë, sepse blihet dy herë, edhe i çesmës, edhe i shitoreve.
Ujërat tona të shumta derdhen në det. Ato nuk shkojnë te shtëpitë e njerëzve dhe te rrënjët e bimëve siç janë pasuritë dhe mundësitë. Sistemi ynë i ujitjes është i shkatërruar, i prapambetur, i pjesshëm, aspak efektiv. Fermerë tanë e mbështesin prodhimin e vogël bujqësor kryesisht në shirat e mundshëm. Vendi ka probleme të panumërta, madje të ngutshme për t’u zgjidhur, por duke përjashtuar ato që quhen çështje politike madhore të zhvillimit të demokracisë, zbatimit të ligjit dhe forcimit të rendit, për çdo qeveri dhe qeverisje, menjëherë dhe për shumë kohë, ndoshta dy janë që nuk presin asnjë ditë të vetme vonese: ndërprerja e emigracionit të shfrenuar, aq sa nuk ka sekondë që një njeri të mos mendojë të largohet nga vendi (përndryshe në Shqipëri s’do të ketë kush të punojë), dhe investimi e mbështetja e prodhimit bujqësor, ndër të cilët më i domosdoshmi është krijimi i një sistemi ujitës bashkëkohor. Izraeli “që derdh ujë në ditë aq sa derdh në Adriatik vetëm lumi Buna”, ka një bujqësi shumë të zhvilluar edhe sepse pasurinë ujore në sasi kritike e mirëpërdor deri te pika e fundit.
Mburrja jonë për pasurinë ujore (të falur nga Zoti) është e kotë (sepse lihet të derdhet në det pa u mirëpërdorur). Duke u vetëlëvduar për ujërat e Shqipërisë, zyrtarët e lartë ngjajnë me shqiptarin e thjeshtë që, ka blerë lirë veturë të përdorur, por si shitmendës që është, thotë për të një çmim të shtrenjtë.

Modifikuar më E Enjte, 22 August 2019 17:47
Login to post comments