Nga Qemal SAKAJEVA
Dikur nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, për një numër të kufizuar shikuesish, kryesisht gazetarë, shkrimtarë e zyrtarë të ndryshëm, në një sallë të Kinostudios Shqipëria e Re, u shfaq filmi amerikan “A day after” (Një ditë pas). Fabula e filmit artistik, natyrisht e trilluar, ishte kjo: Shtetet e Bashkuara të Amerikës një ditë pas goditjes me armë bërthamore nga Bashkimi Sovjetik. Duhet të kishe zemër të fortë për t’i përballuar pamjet në ekranin e madh. Pasi e shihnin filmin njerëzit që nuk kishin gjë në dorë - ndërsa ata vriten e shfarosen të parët - thoshin me vete: Të ndalen armët bërthamore! Mallkuar qofshin armët atomike!
Jo dikur, por më 22 shtator, një ditë pas tërmetit të frikshëm të 21 shtatorit, me epiqendër në detin Adriatik, fare afër qytetit të Durrësit, që goditi rrezikshëm gjithë Shqipërinë, bëhej një pyetje ekzistenciale nga njerëzit që nuk kanë gjë në dorë - por vdesin të parët: me kursimet e pakëta e vuajtëse, a do të bleni apartamente banimi në kate shumë të larta, le të themi në të 10-tin, të 15-tin, apo në kullat 20-30 kate që ndërtohen në Tiranë? Me këtë rast pati dhe dy informacione shkencore shumë të rëndësishme. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që në hartën sizmike të kontinentit është e ngjyrosur me të kuqe, domethënë territori më i rrezikuar nga tërmete shkatërrues. Gjithashtu, në një raport të dy shkencëtarëve amerikanë, Roger Bilham dhe Rebecca Bendick, Shqipëria vlerësohet me rrezikun me të madh në Eruropë për nga aktiviteti sizmik.
Mirëpo kjo është e njohur, sepse përgjat shumë viteve e shekujve më të hershëm ka pasur tërmete të fuqishëm. Megjithëkëtë çfarë ka ndodhur? Në këtë vend me veprimtari sizmike të lartë, me popullin më të varfër në Europë, në shtetin me korrupsion gjigant, në një shoqëri të etur për fitim edhe me vdekjen e tjetrit, janë ngritur pallate shumë të lartë, ngjitur e ngjitur pa mundësi për ndihmë në rast rreziku, vetëm për fitim maksimal nga çdo centimetër truall, nga çdo kilogram çimeto, nga çdo shufër hekuri, nga çdo tullë, kokrrizë rëre e materiale të tjetra. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, në Fier e në Vlorë, madje edhe në disa qytete të vogëla, madje-madje edhe në bregun e rërtë të Golemit - në Korçë fatmirësisht ende jo - janë ngritur rrokaqiej pa kuptim përveçse mënyrës për përfitim të shfrenuar, edhe duke i përçudnuar qytetet, ndërsa qyteteve dhe fshatrave u kanë emigruar banorët, aq sa një Zot e di se sa shtëpi nëpër Shqipëri janë të kyçura e pa frymë njeriu.
Në këtë rrethanë, pa e ditur se kur vjen faktkeqësia, siç janë të panjohura nga shkenca koha se kur mund të godasë termeti i radhës - por ndodh një ditë - në këtë vend nuk duhet lejuar më asnjë leje ndërtimi për ngrehina të larta e kulla. Në një shtet të varfër, pa shkencë, me pikëpyetje të mëdha mbi cilësinë e ndërtimit antisizmik, me korrupsion dhe manipulime të shumta, duhet ndaluar ngritja e ndërtesave të larta, gjigante e si përbindsha dhe duhet ushtruar kontroll me përgjegjësi të madhe për çdo ndërtim në një vend të rrezikur përherë. Madje, ngrehinat shumë të larta tanimë të banuara, vjetërohen çdo vit dhe amortizohen përditë nga mosmirëmbajtja.
Më 22 shtator në mëngjes, një grua me nivel jetese nën mesataren e shoqërisë, që ka blerë apartament në një ndërtesë të lartë në Tiranë, tha:
-Shpëtova kësaj here.
-Ku të gjeti?
-Në katin e 15-të, por pallati është 17 kate.
-Çfarë mendove të bëje?
-Asgjë. U ula në dysheme e iu luta Zotit.
-Po pastaj?
- Kam vendosur ta shes apartamentin, por a ka njeri që e blen?!