3 nobelistë + 1 serb

Saturday, 12 October 2019 17:49

Nga Qemal SAKAJEVA/

Atëherë, domethënë 20 e ca vjet më parë, shkrimtari austriak Peter Handke ishte mbrojtës i Kasapit të Ballkanit - Sllobodan Millosheviç, por ende nuk e kishte marrë çmimin Nobel. Madje nuk i shkonte mendja askujt, ndoshta as atij vetë, se kjo mund të ndodhte. Por Akademia Suedeze e shpalli fitues të Nobelit në letërsi në tetor 2019. Si ai dhe në të njëjtën kohë pati dhe ndonjë nobelist tjetër në letërsi, që u vendos në përkrahje të krimeve çnjerëzore.

Mbrëmjen e 4 dhe 5 gushtit të vitit 2008, ndiqja në rusisht kanalin televiziv satelitor rus 1TVRUS EUROPE, rreth vdekjes së shkrimtarit Aleksandër Sollzhenicin dhe nderimet e mëdha të shtetit rus për të. Kur Sollzhenicin pati botuar në revistën e shkrimtarëve sovjetikë Novoe Vremje - Koha e re -  romanin Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit, edhe pse me njëfarë liberalizmi hrushovian, padyshim pati marrë në sy vuajtjet. Por zbulimi i sistemit të përbindshëm të gulagëve para botës me romanin Arkipelagu Gulag, ishte një shërbim prej të cilit pati zgjedhur me vetëdije përballimin e mundimeve. Madje, edhe marrjen e çmimit Nobel në vitin 1970, “për forcën etike me të cilën ruajti traditat e mëdha të letërsisë ruse”, e pati përjetuar nga izolimi në BRSS të Leonid Brezhnjev, deri sa edhe e dëbuan nga atdheu.

Por gjysmën e dytë të jetës e pati për t’u lakmuar.

E para, Aleksandër Sollzhenicin mori çmimin Nobel në 52 vjeç, në kulmin e moshës së vet dhe të Luftës së Ftohtë, duke ndihmuar me letërsi dënimin e tiranisë staliniste. Fjala ruse Gulag, e thirrur që në titull të romanit, u ndërkombëtarizua në të gjithë botën, dhe  thuhet në rusisht gati sikur gjuhët e tjera të mos kishin fjalën përgjegjëse.

E dyta, Aleksandër Sollzhenicinit jetoi plot 89 vjet: mjaftueshmërisht për të vuajtur 8 vite në kampet e internimit; për të sulmuar stalinizmin me vepra; për të bërë jetën e emigrantit politik shumë të përkrahur në SHBA; për të përjetuar rënien e komunizmit në BS; për t’u rikthyer përgjithmonë në atdhe; dhe për t’u bërë i diskutueshëm me lëvdatat ndaj pushtetit autokratik në Rusi.

E treta, Aleksandër Sollzhenicin e ceku lavdinë. Ai iku me nderimet më të mëdha, vendase dhe ndërkombëtare. Shteti rus ia kreu të gjitha, pa kursim e pa qortim.

Por Sollzhenicin nuk bëri tjetrën: nuk i dënoi gulagët jashtë arkipelagut sovjetiko - rus. Asnjëherë nuk deshi të shquante Gulagun Kosovë, në shtetin jugosllavo-serb. Sikur, thjeshtë, të mos e kishte parë, nuk do të qe edhe aq i kritikuar, sepse nuk është e thënë që ai të fliste, një për një, për gulagët kudo që ishin, sepse, në fund të fundit, kumti i tij për to ishte dhënë për të gjithë. Sikur Aleksandër Sollzhenicin të kishte ditur për Gulagun Kosovë e të kishte heshtur, nuk do të qe shenjuar gjithaq i padrejtë, qoftë edhe për moshën e shtyrë e pamundësinë për të pasur përjetime të dendura botërore, apo të qenit sllav rus e detyronte së brendshmi të heshtëte. Fatkeqësia e Aleksandër Sollzhenicin ishte e madhe, dhe kjo nuk mund t’i harrohet, pavarësisht se për këtë mbeti i fajësuar në një hapësirë të ngushtë gjeografike e nga një popull i vogël. Ai foli disa herë dhe doli në mbrojtje të mbajtjes edhe më tej të Kosovës si Gulag serb. Ai mbeti i kapur në grackën e nacionalizmit pansllav, sepse mbrojti nacionalizmin serb, Millosheviçin në krye të shtetit dhe Kishën Ortodokse Serbe, që patën krijuar Gulagun Kosovë pa arkipelag. Solzhenicin nuk belbëzoi asnjë fjalë në gjithë ato vite tmerri. Kur NATO, nën drejtimin e SHBA - vendstrehim bujar e për shumë vjet i Sollzhenicinit - i dhanë fund burgimit të populli shqiptar, autori i Arkipelagu Gulag e theu heshtjen: i dënoi ashpër bombardimet e NATO-s dhe i krahasoi  me sulmet hitleriane. Aleksandër Sollzhenicin u përputh plotësisht me politikën zyrtare të Rusisë, duke e kundërshtuar rreptë pavarësinë e Kosovës. Sollzhenicin shpejtoi t’u dërgonte letër serbëve të Kosovës, duke u thirrur vëllezër, duke u kërkuar të qëndrojnë ndaj shkatërrimit që po u bëkërkan shqiptarët, kulturës, vlerave dhe kishës serbe në Kosovë. Për Sollzhenicin, Pavarësia e Kosovës ishte Gulag.

Shkrimtari Aleksandër Sollzhenicin, me një mbyllje kësisoj të jetës, vërtetoi se i pa, i dënoi dhe ia bëri të njohur botës gulagët sovjetikë të krijuar nga stalinizmi, por mbrojti dhe u bashkua me nacionalizmin serb në krijimin e Gulagut Kosovë. Ai nuk ka humbur kushedi se sa duke hyrë kësisoj në kujtesën dhe vetëdijen e popullit të shtetit të ri, sepse Kosova është e vogël dhe ka pak lexues. Por fatkeqësia e tij ishte tronditëse, pasi ai që shkroi kundër gulagëve sovjetikë, u vërtetua i njëanshëm dhe i padrejtë, ngaqë mbështeti nacionalizmin serb mbi bazën e pansllavizmit.

Në përkrahje të genocidit dhe spastrimit etnik u vunë 3 nobelistë në letërsi + 1 serb: rusi Aleksandër Sollzhenicin (Nobel, 1970), iu kundërvu lirisë së shqiptarëve të Kosovës; kolumbiani Gabriel Markez (Nobel, 1982), me një esse të botuar në Allgemaine Zeitung, më 14.4.1999, nr.86, faqe 53, me titull Shokët e mi në NATO, u shpall kundër bombardimit të Jugosllavisë dhe kritikoi ashpër Havier Solanën dhe Uesli Klark, duke shkruar që ‘... të dy këta tipa, me veprimet e tyre promovojnë Luftën e Tretë Botërore”; austriaku Peter Handke (Nobel, 2019), mbështeti genocidin në ish-Jugosllavi dhe Sllobodan Millosheviç, deri edhe i pranishëm e me fjalim në ditën e varrimit të tij; pararendës mbetet Ivo Andriç (Nobel, 1961), jo vetëm si novelist me romanin “Ura  mbi Drin”, por autor i “Elaboratit” famëkeq të tij, me përmbajtje raciste dhe mbështetës i genocidit kundër shqiptarëve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...