Ankthi i Komisionit të Festës

Tuesday, 15 October 2019 12:33

Nga Agron Gjekmarkaj

Prej disa javësh, një dilemë e madhe vërtitet mbi kokat e trazuara të shqiptarëve. Gjumi nuk është më ai i pari, i rëndë plumb si i shqerrave nën hije të lisave motakë. Gërhimat që dridhnin xhamat prej furisë, janë të holluar si fëshfërimë puhize. Siguria është zëvendësuar me maraz. Vetëdija me tranim! Horizonti me re të dendura si shtëllunga leshi apo si vetullat e një Kryetari Akademie. Shpresa në pikëllim! Kryeministri, mjekra e të cilit po zgjatet e thinjet, e cila disave u duket si e Ismail Qemalit, po i ysht bashkëkombësit të mendojnë që hezitimi i Europës për të na hapur negociatat nuk paskësh lidhje me bëmat e tij dhe të qeverisë së tij, por me hallet që kanë pllakosur kontinentin, i cili ecën ngadalë si një ka plak, që s’di të lërojë tokën e vet. Pa e thënë, por duke e nënkuptuar, po i akuzon europianët për trashësi mendore që nuk e rrokin dot gjenialitetin e tij. Për të verbrit që nuk e shohin selametin, i cili rrethon vendin në këto gjashtë a shtatë vite po kaq. Për të shurdhet që në Kryeqytete nuk ndalen të dëgjojnë fjalimet e tij me altoparlantë plot thagmë e bujë si një leksion i madh për qytetërimin europian edhe! Faji i tyre krejt kur mendojnë që korrupsioni e ka mbërthyer në çdo qelizë vendin medoemos. Mendjelehtësi e kulluar kur një gjë fare të vogël si mosekzistencën e sistemit të drejtësisë e vënë në dukje me piskamë apo atë çka ka mbetur prej tij e konsiderojnë të kontrolluar politikisht, sigurisht! Eh, delikatesë spitullaqësh e përdrellakësh ngjan vënia e theksit te kriza e rëndë politike. E çfarë nevoje paskemi për opozitën?! Shqipëria ka gjetur rehatin që priste. Protestave iu gjet dermani, vrap e në burg kush turbullon! Një duzinë nga Unaza e Re me një dorë

Harbutëri të kujtosh orë e çast të inkriminuarit në Parlament e pushtet lokal. Çyrykët na kritikojnë për kanabisin e drogën a thua se këtu bëhet ndonjë punë tjetër?! Gjynah, të pikëllosh hajdutët e votave e t’u kujtosh epilogun gjyqësor, njerëz janë, një hall e kanë pasur që e kanë bërë! Duhet vënë dora në zemër nëse e kanë ende në kraharor! Pse një e dy i duhet kujtuar se populli po ikën, ndërsa qeveria mbetet, domethënë qeveri pa popull! Muhabet është ky?! Ai, Kryeministri francez, një cinik i poshtër, një e dy, aty e gjuan llafin. Si mund t’i hapim negociatat një vendi në krye të listës së azilkërkuesve, thotë i pafytyri!!!? Po nga rilindja urbane, nga trotuari i Belshit dhe qendra e Shijakut, pse nuk magjepsen?!

Më të poshtrit në këtë histori u dëftyen holandezët, në mos ndryshofshin mendje pas reflektimit që një letër e pazakontë i molepsi. Vetë ato, tetë ministresha të qashtra, u mblodhën tok në ballkonin e Shqipërisë e sytë hodhën nga Europa dhe i bënë selam, lanë punët e mëdha që bëjnë, ashtu të përzhitura dertesh, ngarkuar me shqetësim, me zemrën që iu rrihte prej patriotizmit, me penën e identitetit europian, i shkruan krajlit të tyre një manifest që të rrëqethtë mishtë! Pas çdo rreshti fshihej një mundësi për t’u zalisur! Pas çdo paragrafi, lotët këputeshin si ftua nga dega! Në fund, të vije të thërrisje, lum Shqipëria për këto vasha burrnesha që ka, të cilat si motra e Gjergj Elez Alisë po mbrojnë erzin e vatanit në ditë të kiametit!

Holandezët do të kenë frigorifer në vend të xhanit. Atë letër e ka firmosur vetë Elisa, Margariti, Manastirliu, Nepi etj! Nuk iu thokan asgjë këta emra atyre, teksa në cokaqet tona mileti i këqyr si shenjtore?! Si mund t’i prishet qejfi Nepit? Një luftë botërore është pesë me hiç ndanë mërzisë që i kanë shkaktuar ata gjind shpirtkazmë! Koloneli Tomson, çohu nga varri e futu një dajak atyre paloparlamentarëve holandezë! Që t’u nxehej gjaku, që t’u ngrihej logjika, ka nga ata që thonë se prisnin një letër më me ojna e sentimentalizma nga Cakaj, Braçe, Shalësi, Çuçi, Majko, etj., pas qortimeve që Gramozi u pat bërë kohë më parë. Ministrushet nuk duhet të bien pre e mërzisë. Një tjetër vikamë e tyre me dy faqe pritet për Makronin e metaltë. Fjala e tyre në perëndim ka peshë të madhe. Oriana Falaçi u merrte të keqen për nga rëndësia.

Komisioni i festës është ai që po kalon ditët e ferrit. I kompozuar prej katër vitesh nga Kryeministri, atij i digjen skenarët në dorë. Këtë vit i ka ndërruar drejtimin. Harxhet e festës zënë myk nëpër maraze. Mimi Kodheli, si intendente për miellin dhe petullat, tha një fjali që zuri mat të vegjël e të rritur: “Edhe po nuk na u hapën negociatat, më mirë do të jetë për ne!”. Mos vallë, festa do bëhet njësoj?! Mos aromë e byrekut do na ledhatojë hundët? Zërat në Tiranë nuk reshtin së pohuari që në garazhin e madh poshtë sheshit “Skënderbej”, ku do të strehohej Akademia e Shkencave, në rast bombardimi me kaçatorr nga shkrimtari austriak pro Millosheviç, Peter Hanke, po hyjnë pa pushim, mëzetër, deshër, cjepër, kazanë, tenxhere, pjata, garuzhde, dru zjarri, sallam, fuçi birre, verë, raki, birrë e të tjera miradija.

Me gjasë, të gjitha këto janë harxhe feste! Komisioni, kësaj herë, do jetë me ish-ministra si mundësi rehabilitimi. Ditmir Bushatit thuhet t’i kenë lënë të lexojë para njerëzisë letrën e tetë ministrusheve ndaj Holandës me njëfarë interpretimi, solemniteti e dihamash! Mbi të gjitha, pritet të lëshojë konsideratë për këtë akt diplomatik kaq të lartë, e stolisur me dhimbje, në lartësinë e të cilit vetë nuk u ngrit kurrë! Fatmir Xhafajt i janë lënë për lexim replikat e fundit të liderit në Parlament me Gjuz qerratanë, sidomos dialogët ku thumbohet Europa. Niko Peleshi pret e derdh dekorata në një kovaçhane në periferi të Korçës për heronjtë e procesit. Ikonomi me Ahmetajn bëjnë hesapet se sa shkon gazmendi i përgjithshëm kombëtar dhe çfarë duhet të nxjerrin nga xhepi i tyre, trokë?! Lindita Nikollën një mund i madh e pret, meqenëse Rama i ka besuar regjistrat e partisë, do t’i duhet të numërojë të gjithë të ftuarit me makinë llogaritëse ulur te hyrja.

Të pakënaqurit, surratëngrysurit, sfotuesit, dallaveraxhinjtë, orekspertët, shpifësit, ata që nuk hanë e pinë sa t’u bëhet plëndësi kacek apo çojnë dolli me ujë për liderin, do të jenë nën mbikëqyrjen e rreptë e besnike të ministrit të Brendshëm, socialist i orëve të vona, që shfaq militantizëm më të shumtë se çdo socialist i orëve të para, i cili, pas ahengut, pritet të bëjë një deklaratë nga të vetat, plot lartësi mendimi pa patetike e folklor, kundër popullit opozitar syplasur, që nuk gëzohet si ai!

Damian Gjiknuri do shtrojë një rrugë të re nga Rinasi në shesh për 300 milionë euro. Kumbaro ka më të besuarën e detyrave, vetë korrigjimin e fjalimit të liderit dhe rishkrimin e tij në pergamenë si dikur abacive.

Ndonëse qërohen patate, qepë, hudhra, grihet mish, shtrohen petë e lahen gota, pasiguria për fatin e festës është therëse. Fati i komisionit pastaj do marrë tatëpjetën po nuk u hapën negociatat. Një shpresë mbetët te Gramozi, i cili sido që të vejë do t’i gëzojë veteranët, të cilët, ndonëse ishin 5 vjeç kur bëhej lufta, i thyen dhëmbët nazifashizmit nga pelenat. E meritojnë një tasqebap të mirë, të uruarit! Një rrezik sillet mbi këtë ditë të bekuar! Ankthi qenka firaun i madh e nuk paska të sosur! E gërryen njeriun e gjorë aty ku s’e pret! Europë, haram e paç nëse për fajin tënd nuk i pranon sukseset e oratorit të madh! Po kaq po i pranove me ato palo kushte që na bëjnë me njollë e mbi të gjitha na lodhin e plakin Kryeministrin, o të pahajër! Po të keni mend në krye, e merrni t’ju qeverisë juve se ne nuk e meritojmë! Ju zgjidh problemet e Brexit me Anglinë, marrëdhëniet me Trampin, luftën në Siri e çdo travajë që shfaqet! Le t’ia ndiejmë pak mungesën shejtanit e kur të këputemi nostalgjie, këtu i kemi tetë ministrushet që i bëjnë telegram!

Rama-bushati0ministret

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...