Presidenti i Republikës, përtej emrit të Ilir Metës

E mërkurë, 16 October 2019 09:04
Nga Luan Rama  
   

Pa dashur të hyj në absurdin jo vetëm kushtetues e ligjor, por edhe logjik të nismës së Edi Ramës për shkarkimin e Ilir Metës prej detyrës së Presidentit të Republikës, pa dashur as të abstragoj mbi akuza që përgjithësisht mund t’i artikulojnë njerëz me formim të mangët e të deformuar profesional dhe intelektual, po përpiqem që përmes kësaj  qasjeje, të bëj një sprovë paanësie në vështrim të fenomenit, ashtu siç do të duhej ta bënte një vëzhgues politik të paktën, i cili merr përsipër t’i drejtohet publikut, qoftë ky lexues i vëmendshëm apo krejt indiferent ndaj asaj se çfarë ndodh me politikën shqiptare apo protagonistët e saj.

Për të arsyetuar drejt e për t’u fokusuar në thelbin e problemit, dua të nënvizoj pikë së pari se sulmet dhe akuzat ndaj Ilir Metës nuk përbëjnë më ndonjë çudi.

Sistemi i korruptuar dhe kriminal i qeverisjes që u shpërfaq më dukshëm në vitin 2016 me kanabizimin e të gjithë vendit sipas një plani të mirëmenduar për kapjen e shtetit, sado që jo me forcën e duhur, ndeshi në rezistencën e Ilir Metës, asokohe Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i LSI-së si forcë politike bashkëqeverisëse.

Jo vetëm distancimi nga modeli i rilindjes në administrimin e pushtetit, por edhe kundërvënia sa herë që maxhoranca e Edi Ramës tentonte që të shkelte Kushtetutën, e kishin konturuar ndarjen në qasjen e ushtrimit të përgjegjësisë në qeverisje e po aq, edhe papajtueshmërinë mes dy protagonistëve bashkëkryetarë, duke e bërë kësisoj Ilir Metën mbrojtësin e parë të Kushtetutës shumë më herët se ai të zgjidhej President i Republikës.

Në vitin 2008 kur me ndryshimet kushtetuese të propozuara prej Edi Ramës në opozitë e të votuara bashkë me maxhorancën e asaj kohe, u bë e mundur prishja e arkitekturës së organizmit shtetëror dhe ç’balancimi i raporteve mes pushteteve dhe institucioneve kushtetuese, Ilir Meta inicoi dhe udhëhoqi lëvizjen më tê madhe qytetare në mbrojtje të Kushtetutës, duke na dhënë që në atë kohë jo thjeshtë konturet, por gjithë përmasën e raportit të vet me ligjin themeltar të shtetit, si raport ekzistencial në mbrojtje të vetë demokracisë dhe funksionimit demokratik të shtetit të së drejtës.

Edhe pse një betejë e humbur ajo e vitit 2008, pasi Kushtetuta u deformua dhe u cënua në themelin e vet duke mos qënë më ajo që në vitin 1998 ishte miratuar me referendum popullor, gjithësesi, mbrojtja e Kushtetutës dhe kushtetutshmëria si konstante e panegociueshme e sjelljes politike dhe e përgjegjësisë qeverisëse,  ishte e mbeti një kauz e fituar për Ilir Metën, thelbësisht i përveçuar ndër të gjithë ata që politikisht lindën dhe u rritën bashkë me Partinë Socialiste.

Po ndërsa Edi Rama tentoi ta eleminonte politikisht Ilir Metën që me deformimet kushtetuese të vitit 2008, u detyrua ta pranonte atë si partner në qeverisje deri në cilësinë e bashkëkryetarit, siç ai pëlqente të artikulonte sa herë shfaqej mediumeve politike e publike, sepse e dinte shumë mirë se pa Ilir Metën ai as nuk mund të vinte dot në pushtet dhe  as mund të qeveriste.

Duke analizuar zhvillimet politike, kohë më parë kam shkruar se sistemi dypartiak që u vendos në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit, sa herë ka dashur të testojë nëse është i vetëmjaftueshëm, ka provuar të shkatërrojë faktorët e tjerë politikë. E kur këtë e ka parë të pamundur, atëherë ka tentuar të kundërtën; t’i afrojë, t’i bëjë për vete, t’i joshë, t’i përdorë.

Shumëkush mund të pyesë me te drejte se përse në Shqipëri ka kaq shumë baltë dhe destabilitet, përse tranzicioni ynë nuk ka fund.

Dhe një nga arsyet, në vlerësimin tim e qenësishme, është se pushteti ka synuar dhe ka tentuar të asgjësojë faktorë politikë influentë e kredibël që tejkalojnë interesat e tyre apo të grupit, pasi dominon tek ta vetëdija e shtetarit që udhëhiqet nga interesat e vendit dhe mbrojtja e zbatimi i Kushtetutës.

Në Shqipëri është modë e konsiderohet sukses të eliminosh apo të asgjësosh tjetrin.

Në Europë ndodh e kundërta.

Ndaj, duke iu rikthyer auditorit politik të periudhës pas përmbysjes së komunizmit e në në mënyrë të veçantë lëvizjes së studentëve të dhjetorit 1990, vërejmë se nuk ka mbetur kush tjetër në politikë prej protagonistëve të vijës së parë si faktor përcaktues, përveç Ilir Metes.

Prej formimit si politikan dhe prej përvojës si shtetar, prej përgjegjësisë si cilësi dhe maturisë si veçori e karakterit të tij, Ilir Meta nuk mund të mos e vendoste edhe Kryetarin e Shtetit në lartësinë e përgjegjësisë kushtetuese të garantit të mbrojtjes së Kushtetutës dhe të shprehësit të unitetit të popullit.

Ai nuk mund të bëhej ai që nuk ka qenë kurrë; marionetë në duart e dikuj tjetër vetëm e vetëm për interesa pushteti.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta nuk iu kundërvu as Edi Ramës, as kryeministrit dhe as maxhorancës së pushtetit, siç përpiqet ta shërbejë ERTV-ja dhe e gjithë media e të njejtës frekuencë me të.

Ai bëri vetëm atë për të cilën edhe maxhoranca e sotme e votoi si maxhorancë e djeshme, bëri atë për të cilën ishte betuar: Presidentin e Republikës.

Afërmendsh që nisma për shkarkimin e tij nuk është e Kuvendit.

Kuvendi për turpin e vet, vetëm pranoi të përdoret e t’i shtojë veprimtarisë në paligjshmëri të plotë, edhe një akt tjetër turpi në morinë e disa të tillëve, çka e bën atë realisht parlamentin më të pavlerë e qesharak të të gjithë historisë së parlamentarizmit në Shqipëri, që vetëm shprehës i vullnetit të popullit nuk është më.

Thjeshtë dhe pa asnjë ekuivok, nisma për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Republikës, është vetëm e Edi Ramës, me synim fundor kapjen totale të shtetit.

Pasi e kriminalizoi qeverisjen dhe maxhorancën që është produkt i një procesi zgjedhor të diktuar nga vullneti i grupeve kriminale, pasi e shndërroi korrupsionin ne nje dukuri endemike dhe filozofi të qeverisjes, pasi e kompromentoi reformën në drejtësi dhe e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatën e Lartë, pasi uzurpoi organin e akuzës përmes zgjedhjes antikushtetuese të Prokrorit të Përgjithshëm në zyrën e të cilit vazhdon prej tre vitesh të qëndrojë një “prokurore e përkohëshme”, pasi e shkatërroi ekonominë e vendit me sistemin e PPP-ve, pasi e ka shndërruar Kuvendin në “noterinë” e një tërësi ligjesh antikushtetuese, pasi ka uzurpuar organet e qeverisjes vendore me nje proces votimesh të paligjshme dhe me nje tufë kryetarësh me prapavijë kriminale, pasi sabotoi qëllimshëm çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, aspiron edhe marrjen e kapjen e institucionit të Presidentit të Republikës.

Sipas filozofisë gebëlsiane, ndërseu fillimisht tërë jeniçerërinë mediatike për goditjen, përbaltjen dhe denigrimin e Kryetari të Shtetit. Përdori gjithëfarëlloj konkubinash dhe eunukësh të pushtetit që të vetmen meritë kanë se janë të përdorshëm, e për të mbyllur ciklin, futi në ketë qerthull edhe vetë Kuvendin që pasi votoi një rezolutë si fletërrufe politike, krijoi edhe një komision hetimor!

Mirëpo, kur e pa që e gjithë kjo maskaradë antikushtetuese e nxorri zbuluar, mendoi të përdorë edhe Komisionin e Venecias, abuzimi dhe keqpërdorimi i autoritetit dhe emrit të të cilit, u be refren i zëdhënies së pushtetit që në mënyrën më flagrante të mundshme u shfaq me publikimin e manipuluar të një draft-raporti paraprak e kofidencial.

Pavarësisht të gjithave, raporti i Komisionit të Venecias e thotë qartë, që Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnje vepër që të justifikojë e përligjë shkarkimin e tij.

Kësisoj, ky raport është një rast oportun që Kuvendi i Edi Ramës, të paktën të mund t’i bëjë një nder vetes, duke u tërhequr nga rruga e turpit në të cilën gjendet.

Jo për të mbrojtur Ilir Metën, sepse Ilir Meta nuk ka nevojë për mbrojtjen e ndokuj, por, për të respektuar si në çdo vend demokratik integritetin, legjitimitetin dhe autoritetin kushtetues të institucionit të Presidentit të Republikës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...