30 vjet nga rrëzimi i Murit të Berlinit

Premte, 01 November 2019 16:09

Simbole të mundura                           

Nga Qemal Sakajeva

 1.

Të ndodhesh në Berlin është gati e pamundur të zgjedhësh, çfarë duhet parë për kohën e shkurtër që ke. Sidoqoftë, disa vite më parë, i ftuar nga drejtori i përgjithshëm Dieter Weirich,  i Radiotelevizionit Deutsche Welle, me qendër në Këln, patëm edhe një lehtësi. Ai caktoi shoqëruese përgjegjësen e programit në shqip të atij radiotelevizioni të madh, Adelheid Feilcke- Tiemann. Gjatë udhëtimit të gërryente kureshtjen mendimi (anësor për gjermanen shqipfolëse): a do të mund të shihnim  lumin e Anës lumenjve, që Fan Noli na e ka shti në tru, me një vjershë të vetme, në mërgimin e tij, buzë lumenjve të Gjermanisë? Si i brezit të velur deri në mërzi me filma sovjetikë për luftën, filmi Rënia e Berlinit më kishte mbetur në krye, me flamurin drapër e çekan, shtrënguar në duart e ushtarit me pamje të përzhitur, mbi kupolën e djegur të Rajhshtagut, dhe britmat e dy ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe, të ngatërruar e të humbur nëpër turmë, duke kërkuar njëri-tjetrin, edhe si domethënie dashurie në artin e realizmit socialist: “Sasha! Aljosha!” Nën orën e historisë na kishin thënë se  dy ushtarët sovjetikë quheshin Kantarja dhe Melitoni dhe se flamurin e ngulën atje, në majën e majës së kubesë brinjëdalë, në orën 14 e 25 minuta të 30 prillit të vitit 1945. Kurse, për çdo 9 maj, hapeshin ekspozita të artit pamor. Gjithmonë shërbehej fotografia e tablosë Ngritja e flamurit mbi Rajhshtag, punim i përbashkët i dy rusëve, P. Ligonov dhe V. Panfilov.

Ato përfytyrime - mbetje të kohës - janë shtresuar diku thellë, si nisja e ngritjes së Murit të Berlinit (Die  Berliner Mauer) më 13 gusht 1961, nga lideri Valter Ulbriht dhe me miratim të Nikita Hrushov, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Kësaj i kishte paraprirë vendimi i Këshillit të Ministrave të Republikës Demokratike të Gjermanisë,  i  29 majit të vitit 1952, që pati përcaktuar krejt vijën e ndarjes me gjatësi 1383 kilometra. Kjo formoi të ashtuquajturin kufi me pjesën perëndimore të Gjermanisë. Me atë lakore të betontë e telash me gjemba, u mbyll unaza e jashtme përreth Berlinit Perëndimor, që e shndërroi në një ishull kapitalist brenda socializmit ndërsa pjesa lindore edhe kryeqytet të Republikës  Demokratike të Gjermanisë. Kurse Republika Federale Gjermane sajoi përkohshmërisht Bonin për kryeqytet të saj. Por më 9 nëntor të vitit 1989 u rrëzua Muri - fundi i Luftës së Ftohtë - pas dorëheqjes të liderit gjemanolindor Erik Honeker dhe zëvendësimi i tij nga Egon Krenz; u hap Porta e Brandenburgut dhe aty u luajt Simfonia e 9-të e Bethoven, në ditën historike të ribashkimit - bashkimi më madhështor për gjysmëshekullin e njëzetë; edhe  si  statistikë, sepse Muri, përveç ndarës, mbeti tragjik për nga viktimat sipër tij: 192 të vrarë, 200 të kapur morën dënime të rënda. Kurse Peter Feshter, një vit pas ngritjes, saktësisht  më 17 gusht 1962, mbeti i vrarë nën syrin e qelqtë të kamerave! I vrari i fundit ishte Kris Guefroi, më 6 gusht 1989, vetëm tre muaj përpara shembjes së përhershme të Murit.

2.

Zgjedhja u lehtësia: vizitë te Porta e Brandenburgut. Zumë vend në katin e dytë  të autobusit. Shpjeguesin në anglisht e pasuronte Adelheid me shqipen e saj të rrjedhshme. Përshkuam, mespërmes, zonën e dy Berlinëve të dikurshëm, që dallojnë në shumëçka. Vinça të lartë qenë  vendosur në një dendësi të pazakontë, për të ndërtuar ngrehina futuriste, aty, në brezin e tokës së vdekur, që krijoi “dy lloj gjermanësh” - të perëndimit dhe të lindjes. Si ndër ne, një shekull e ca më herët: nga coptimi i trojeve u krijuan “pesë lloje shqiptarësh” - të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë. Zonja Falke tha se, nga punimet e shumta, ditën dhe natën, nga gërrmimi i dherave, ik - e - ejat e kamionëve të rëndë dhe mbartja e materialeve të ndërtimit, ngriheshin pluhura dhe përhapeshin zhurma. Banorët protestonin shpeshherë e pandërprerë, se u ndotej mjedisi jetësor e nuk mund të duronin. Gjermania shpejtonte pabesueshëm për të bashkuar e ndryshuar kryeqytetin, për të zhvendosur administratën nga Boni në Berlin, si një kurim i domosdoshëm për mbylljen e plagës së ndarjes së madhe dhe përcjelljen në harresë të një kohe që edhe për shumë vjet do ta bëj të vuaj. Por, protesta e gjemanëve aty, shqiptarin e nxit të buzëqeshë. “Pse po qeshni?”, pyeti shoqëruesja. “Ne, shqiptarët, çfarë mënyre duhet të gjejmë, përtej protestës gjermane?”, thamë. “Për çfarë?”, pyeti. “Sepse: Ne lindim në pluhur. Rritemi me pluhur. Vdesim nga pluhuri”.

Sakaq u shfaq Rajhshtagu. Duke mos pasur asnjë informacion më shumë se sa u kishte dhënë shqiptarëve filmi sovjetik Rënia e Berlinit, nuk dinim edhe, nëse ngrehina e Rajshtagut kishte mbetur në këmbë apo qe rrënuar? Asnjëra prej të dy hamendjeve nuk të linte atë përshtypje të thellë, që të shkaktonte Rajhshtagu:  Ndërtesë e famshme. E dërrmuar nga politika. E rrënuar nga lufta. E harruar nga koha. E mallkuar nga urrejtja. E strukur tek Muri i Turpit. Ishte një gërdallë e braktisur, me dënim kah vetëzhdukja. Si të qe qënie njerëzore e fajshme. Mirëpo  9 nëntori 1989 iu bef përpara dhe ia ndryshoi fatin. Aty do të kthehej përsëri parlamenti i Gjermanisë së bashkuar. Dhe qe vendosur: kjo do të ndodhte para vitit 2000.

Muri famëkeq pranë tij nuk është më. Një tjetër, si ai, apo ngjashëm me të, nuk besohet të ndërtohet. Europa duhet të jetë bërë më e mençur nga fatkeqësia e vet.

3.

Atje, të sheshi i shtruar me mozaikë gurësh, në anën lindore të Portës, ç’të shihje? Për një shqiptar ishte befasi. Një treg i sajuar me tezga, fletë plasmasi e basmash. Ishte Gabi gjerman i simboleve të përdorura, me rrugica që holloheshin e përshkoheshin si damarë mespërmes mallrave. Para tyre rrinin durimtarë, ulur ose më këmbë, të zotët e simboleve në shitje prisnin të heshtur, pa thirrjet shurdhues e nevrike të Gabit shqiptar të veshjeve të përdorura. Të dy Gabëve - atij gjerman dhe atij  shqiptar - u kishin vdekur të zotët e mallrava, sepse  u kishte perënduar koha.

Njerëzit që shisnin, po t’u flisje rusisht, në rusisht të përgjigjeshin. Çfarë nuk të zinin zytë përpara tyre? Mund të blije kokore ruse. Po deshe edhe flakë të reja, nxjerrë nga garderoba e gjeneralëve  a ushtarëve, për një gotë whisky. Spaleta oficerësh dhe yje të hierarkisë me endje ngjyrë ari, sipas meritave në paqë a në luftë, si ato që  shfaqeshin në  gjoksin e udhëheqësit të superfuqisë në Sheshin e Kuq për festa. Ishte bërë proverbiale, deri përqeshëse , shpotia “Paska dekorata sa Brezhnjevi”, kur na zinin sytë ndonjë, që shkonte krenueshëm me gjoksin rënduar në të dy anët me to dikur në Shqipëri. Diku, në një copë plasmasi, kapelet radhiteshin si ushtarë të liruar a si të kapur rob. Uniforma hedhur mbi njëra-tjetrën, shpesh në shartim fyes, pjesa e epërme gjeneral, pantallonat ushtar; ku të përdorura e ku fringo, si të grabituara në depot e Ushtrisë së Kuqe, të cilat  qenë zbrazur. Njërën prej katër palëve fituese të Lufës së Nxehtë - si ushtri sovjetike - Mihail Gorbaçov i Perestrojkës e ktheu, sidoqoftë, me guxim në Rusi - si ushtri ruse. Por, ajo, mbeti pala e vetme e mundur në Luftën e Ftohtë. Kishte edhe këpucë meshini me shoje të trasha, me këmbalje të gjelbëra, pece të irrnosura e lidhëse të holluara. Ose fare pa to. Ca  qenë të ngrëna nga rreshtoret. Aty-këtu, Gabi i simboleve ndërpritej me ca mallra të llojit tjetër. Tregarët mbanin në shitje disa kuti plastike të tejdukshme. Brenda tyre, mbi një bazament të zi, rrinin në përqafim tre elemente: një copëz betoni hequr nga Muri i Berlinit; ajo fashohej me ngjyrat e flamurit të Republikës Demokratike Gjermane; dhe, mbi të, një miniveturë e markës gjërmanolindore Trabant, e  vetmja që ka fabrikuar dikur ai shtet, në atë lloj industrie,  dhe që krenohej me të, ndërsa Gjermania Perëndimiore prodhonte disa marka veturash, dhe secila më e famshme se tjetra. Gjermanoperëndimorët, edhe sot e kësaj dite, gajasen me atë automobil  gjermanolindor. Laryshia e tregut ishte e madhe. Njerëzit shihnin, blinin e shisnin. Por më të shumtët qenë kureshtarë se pronarë, buzëqeshnin me qesëndi, ngjeshur te tezga e orëve të dorës,  të xhepit, të tavolinës e të murit. Orë të shumta e kishin  fushën me flamur të kuq, drapër e çekan dhe yll. Disa, në fushën e rrumbullaktë, vezake apo katrore, e kishin të vizatuar figurinën e ushtarit sovjetik me kallashnikov në duar. Në ca të tjera lexohej Krasnaja Armia  (Ushtria e Kuqe). Plot syresh qenë zbukuruar me portretin e Leninit e të Stalinit. Të gjitha kishin të shkruar Sdjellano v CCCP (Prodhuar në BRSS). Mbajtësit e tyre i paskëshin ruajtur gjatë dhe ja, më më fund, të radhitura përtokë, prisnin të shiteshin si vjetrërsira.

Tri gjëra të bënin përshtypje në këtë Gabi ideologjik simbolesh: Koleksion thuajse i plotë. Gjendja e përdorur. Çmimi skajshmërisht fyes. Blerësit, përgjigjësisht lindorë, nuk dukeshin si koleksionerë. Më tepër ngjanin të ishin nostalgjikë të pandreqshëm që, po të  qe për ta dhe në mundësinë e tyre, do ta ringrenin Murin në një grimëherë. Ai  Mur, i ndërtuar për mbrojtjen e socializmit ( Antifaschistischer SchutzwaLL - Murmbrojtësi Antifashist), nuk është më dhe, për ironi historike, nën rrënojat e tij u varros socializmi. Pikërisht, aty bëhej dhe tregtimi çnderues i simboleve të tij. Asgjësuese tingëlluan fjalët e zotit Braun, një drejtues i televizionit Deutsche Welle të Berlinit, kur tha:  “Rusi ka punuar skllavërisht gjithë jetën për të marrë një derkoratë. Tani ai e shet atë për bukë. Dikush ia blen vetëm për 1 markë. Ky ishte socializm sovjetik apo gjermanolindor. E di që komunizmi sovjetik ka qenë më i frikshmi. Por, kam dëgjuar se, socializmi shqiptar ka qenë më i keqi”.

Shenjat ideologjike që patën trullosur gati gjysmën e njerëzimit për diçka që kurrë nuk e mbërritën, te Porta e Brandenburgut kishin marrë trajtat e vjetërsirave të kohës së shituar utopie. Shoqëria shqiptare vuan ende prej tyre, duke menduar e vjetëruar. Thënia tragjike e diktatorit, e keqe sa kumtin i një lufte që, edhe barë do hamë, por idealet marksiste nuk i shesim, kumbon ngjashëm sikur të ishte thënë enkas për  mbajtësit e simboleve të mundura: Te Gabi do vishemi, po simbolet e komunizmit tek Gabi nuk i  çojmë! Kurse gjermanët, gjithashtu, me histori të vështirë, kanë bërë tjetër gjë. Ndoshta, thelbin e asaj që ka ndodhur atje, e pati thënë Hans Peter Fogt i Televizionit ARD, tek po kundronim Rajhshtagun në përtëritje: “ U ndërtua për Fitore. U shkatërrua për Luftë. U rindërtua për Paqë”.

Modifikuar më Premte, 01 November 2019 16:12
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...