Adi Krasta u rikthye në media siç ai di, fuqishëm. Që mbrëmë, me shfaqjen e tij në Prishtinë, monologu hyrës është shpërndarë në një trajtë virale duke thyer çdo rekord shqiptar publikimi e rishpërndarjeje.
Pa sponsor, pa makineri PR-i, pa salltanete studiosh gjigande, pa infrastrukture të sofistikuar mediatike, pa teknika të përsosura marketingu.
Nga një kub pak metra katrorë, i një televizioni të thjeshtë, nga Prishtina, në 7 minuta, i vetëm përballë makinerisë së shfrenuar të PR-it të regjimit, të shfaqjes 24 orëshe në ekranin e televizionit personal të liderit, që përdor çdo teknikë marketingu në “studiot” e veta gjigjande nga Shqipëria në Itali, në programin më të ndjekur atje, nga Rai në Turqi, mes liderësh e sheikësh të një prej Konferencave më të pasura në botë, shoqëruar nga sponsor që qarkullojnë miliarda...dhe Adi Krasta fiton një betejë, që as nuk e ka menduar e kërkuar. Përkundrazi, ia kanë shpallur që në vitin 2014. Ndërsa ai ka bërë gazetarin, qytetarin e angazhuar, një mega industri politike e mediatike e ka parë si “armik”.
Para 7 vitesh, iu desh një Pallat Kongresesh, disa të ftuar klasi dhe një infrastrukturë e angazhuar mediatike. Dhe bëri zhurmë, tronditi mentalitetin dhe elitat. Por jo sa mbrëmë ku në 7 minuta, i vetëm, në një studio minimaliste, ku asnjë prezantues i përmasës së Adit nuk do ndihej komod për një shfaqje të madhe, do shkundte më shumë se herën e parë mendjet, frikërat, bindjet, alibitë dhe broçkullat e sistemit.
Sado lupa t’i vendosen sot, sado të perceptohet si betejë kokë më kokë e një lideri jo demkoratik me një udhëheqës shpirtëror, mos harroni, Adi nuk ka kërkuar e nuk kërkon vota, nuk është në fushatë, nuk ka futur duart në xhepat e shqiptarëve e nuk po lyp vëmendje me çdo kusht. Ndaj llogari i jep vetëm familjes së tij.
Tjetërkujt i duhet vënë lupa me kërkesë llogarie për çdo hap hedh e çdo fjalë thotë.
Sot në historinë e shkurtër të medias shqiptare u shkrua një ndër paragrafët më domethënës të saj: 7 minutat që shpartalluan rrjetin dhe sistemin nga një kub.