Fahri Balliu: "Feja dhe kombi janë si trupi me shpirtin"

Hënë, 16 December 2019 16:15

Nga Fahri BALLIU

Jam i lumtur që marr pjesë në këtë promovim të librave të z. Sulejman Rexhepi, dhe unë e shikoj këtë si shprehje të kapacitetit intelektual të Bashkësisë islame në Maqedoni. Me këtë titull që ka vepra, unë jam vetë botues librash, pra titulli “Për fe dhe Atdhe”, do të më bënte mua dhe çdo shqiptar jo 200 apo 300 km larg sa është Tirana, po 3000 të ishte, për këtë titull paraqiteshe një tubim të tillë. Dhe këtë do t’ia shprehim si një mirënjohje të madhe z. Sulejman Rexhepi.

Mua do të më falni se nuk jam mësuar shumë me terminologjinë teologjike, por më lidhin me ju shumë gjëra.

Kam qenë zv/ambasador i Shqipërisë në Shkup, në vitin 1992, dhe jam prej atyre që kemi hedhur gurin e themelit në krijimin e zhvillimin e partive politike dhe të shumë aksioneve të ndryshme të jetës shqiptare në Maqedoninë e atëhershme.

Një nga këto angazhime të mëdha ishte Universiteti i Tetovës. Figura e Fadil Sulejmanit është e njohur për ju por ju nuk e dini se lufta e përpjekjet e diplomacisë ishin një ajsberg. Ka sipërfaqe të dukshme, po 90% e saj e ka nën sipërfaqe.

Sulejman Rexhepi ka qenë  mbështetës i filozofisë dhe i praktikës diplomatike të shtetit shqiptar për krijimin me çdo kusht të Universitetit të Tetovës, që u gjakos nga policia maqedonase. Dhe të gjithë kemi qenë në një luftë e rrezik të madh, por më i rrezikuari ka qenë Sulejmani.

Jam shumë vlerësues për pjesëmarrjen e njerëzve të nderuar për zv.kryeministrin Osmani, për ministrin e Arsimit z. Arbër, për shkak se ata duhet ta kenë në krye e sipër Bashkësinë Islame sepse ajo nuk u shërben me mençuri vetëm në votime, por u shërben dhe në formën e mënyrën e drejtimit të shtetit. Ajo e zbërthen dhe e shpalos nga dita në ditë jehonën e punën reale të qeverisë ku ne na intereson veçanërisht pjesa dhe fati  i shqiptarëve.

Në këtë kuptim do të thosha se pikërisht këto libra të Sulejman Rexhepit, lënda që është aty brenda, është një diagramë e fatit të shqiptarëve dhe e zhvillimit të tyre në Maqedoni. Dhe është një mësim serioz dhje sigurisht 6 vëllime nuk mund të analizohen në një promovim që është vetëm festë e nuk është konsulencë shkencore.

Jam shumë i kënaqur që këtu ndodhet kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, z. Bujar Spahiu që vjen nga një familje patriote e jashtëzakonshme e Kukësit. Nuk është rastësi që këtu është kryetari i veteranëve të Kosovës, sekretari i Bashkësisë islame të Kosovës, pra ne jemi të gjithë këtu, disa burra që duam fenë por duam edhe atdheun, por atdheu është shumë më i madh se të gjitha fetë e botës.

Është atdheu ai që i jep kuptim besimeve dhe zotit sepse ka qenë më i hershëm, më i mëparshëm dhe ai i jep fytyrën burrit që e shërben me çfarëdolloj besimi në çdo besim që ai është. Unë mendoj se duke qenë një botues dhe jashtë rrjedhave zyrtare të besimeve, ne kemi botuar në shtëpinë tonë botuese edhe Papa Ratzinger, kemi botuar edhe Atenagorën, por fjalët për Fe dhe Atdhe më kujtojnë një shprehje të mrekullueshme të z. Sulejman Rexhepi, i cili duke marrë dekoratën “Gj. K. Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij z. Ilir Meta, tha: “Skënderbeu dhe figura e tij na hap derën e argjendtë të Atdheut. Dhe dera e argjendtë e Atdheut hapet vetëm me vepra të mira e të mbara, duke njohur historinë, qoftë e Islamit, qoftë historinë tonë kombëtare dhe duke qenë ndaj tyre shumë harmonik ashtu si e kanë traditë besimet tona në Shqipëri, për harmoninë e tyre të shkëlqyer, mbresëlënëse në plan botëror.

Luftërat fetare janë luftërat më të egra të planetit në historinë e njerëzimit. Në qoftë se ne kemi bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, luftërat fetare kanë qenë më të tmerrshme se Hiroshime e Nagasaki dhe jo pak prej tyre kanë prekur e shfarosur popuj të tërë. Shqiptarët ia kanë dalë të mbijetojnë dhe ne duhet të zbulojmë arsyet pse ne kemi arritur të mbijetojmë e të jemi kështu si jemi në harmoninë fetare. Indro Montaneli është një gazetar i famshëm italian që jetoi 96 vjeç. Ai erdhi në Shqipëri, 2 herë  në kohën e Zogut dhe një herë në kohën e komunizmit. Ka shkruaj një libër të cilin ne e kemi botuar, ku tregon se njeriu që e shoqëronte në udhëtimin nëpër Shqipërinë me kuaj në kohën e Zogut, ishte një mysliman tiranas që quhej Muhamet. Dhe Pas disa ditësh ky njeri i famshëm i botës, iu shtua puna dhe kontaktet dhe shoqëruesi i thotë, “ndoshta na duhet një njeri tjetër se nuk i përballoj dot të gjitha takimet, lëvizjet dhe jam gati ta paguaj me këto lekët që më jep mua”. Nuk ka problem, i thotë Montaneli, vetëm gjeje si veten tënde. Pa merak i thotë Muhameti, do marrë një vëllaun tim. Dhe punësuan një njeri tjetër. Shërbimi po shkonte në mënyrë të shkëlqyer. Muhameti dhe i punësuari këndonin çdo natë dhe i përgatisnin ushqimin dhe sigurimin për njeriun  që shoqëronin, Indro Montanelin, për të cilin interesohej i pari i qeverisë fashiste, vetë Benito Musolini. Aq i rëndësishëm ishte ai. Një ditë Montaneli e pyet shoqëruesin, “Ore Muhamet, si quhet ky personi tjtër?”. Muhameti i përgjigjet: “Quhet Kristo”. Po si e ke vëlla ti, i tohtë Montaneli, këtë e quajnë Kristo?!”. Ne jemi bërë vëllezër prej gjaku, i përgjigjet Muhameti.

Dhe Indro Montanelli shkruan në librin e tij, duke çuditur botën atëherë. Vetëm në Shqipëri Krishti dhe Muhameti ecin dorë për dore. Në asnjë vend tjetër të botës nuk ndodh kjo.

Mua do të më falni nëse bëj ndonjë gabim, por vij nga një botë pak më liberale por të vërtetën dua t’ua them edhe pse mund, apo të më paragjykoni. Unë jam botues i librit “Mehmet pushtuesi”. Mehmet Pushtuesi është sulltani më i ndritur i Perandorisë Osmane, njeriu që ktheu Kostandinopojën në Stamboll. Dhe kur fitoi luftën, pasi kishin rënë disa sulltanë para tij, dhe ai arriti triumfin më të madh që kishte arritur Perandoria Osmane, që ishte marrja e Kostandinopojës, e mori perandorin Kostandinin, që me zor e gjetën se kishte luftuar si ushtar i thjeshtë (dhe e gjetën nga sandalet që i kishte prej floriri), pra e mori trupin e tij, e vendosi në qendër të qytetit e i bëri një ceremoni të jashtëzakonshme varrimi.  Duke e marrë kokën, se ia kishin prerë e duke ia ngjitur me mjaltë, tha: “Perandori duhet varrosur si perandor!” Me këtë ai fitoi të gjithë simpatinë dhe të gjithë përkushtimin të banorëve të atij vendi. Por vetë ai, se gjërat nuk janë bardhë e zi, siç mund t’i dimë ne,  e kishte nënën katolike, hungareze. Por njerëzit duhet t’i dinë këto gjëra, të mos shkojnë me një zell të tmerrshëm si kur gjërat këtu ndahen e nuk mundet kurrë të pajtohen më mes tyre. Në botë dhe në Shqipëri  pajtohen, në Shqipëri pajtohen patjetër.  A e dini thënien e famshme të Petro Nini Luarasit? U bashkua Perandoria Osmane me Patriarkanën greke dhe e helmuan, e vranë sepse ai kishte shkruar: “Në qoftë se na thonë se Krishti është grek, larg duart e nuk e ndjekim prapa. Se ne e duam shqiptar Krishtin. Po deshën, po nuk deshën le të shkojnë te grekët!”.

Këto figura duhet të jenë të pranishme në edukimin dhe kulturimin islam, të dihen të gjitha këto histori kaq të bukura e kaq të forta. Ajo studentja që recitoi me aq talent vjershën, ajo është vjersha e At Gjergj Fishtës. Kush ishte At Gjergj Fishta? Ka nga ata që i paragjykojnë këta njerëz, se i shikojnë me atë veshjen e priftit dhe mendojnë ndryshe, “kush e di se çka ai njeri brenda?!”. Për këtë njeri mua personalisht më ka treguar shkrimtari i famshëm Petro Marko këtë histori. Fishta po ngjitej në hotel “Dajti”. Jemi në vitin 1936. Dhe Petro ishte vetëm 20 vjeç, kurse At Gjergj Fishta në fundin e tij, ishte figurë e madhe e kombit shqiptar. Duke u shkëmbyer te shkallët At Gjergj Fishta i thotë:

“Si je Petro?”

“Mirë Pader!”

“Po ç‘mirë zeza, more Petro, kjo botë është mjeruar fare!”

“Po pse padre, se kur e thua ti këtë...“

“Po, e them, se Padre Fishta – prift dhe ti komunist. Të dyja nuk shkojnë te jeta e njerëzve”.

Prandaj duhet kujdes se zelli i tepërt të çon tek ISISS. Po si fillon? Fillon te gjërat e vogla dhe komunikimet e përditshme. Me këtë rast unë dua ta përshëndes atë që tha dhe drejtori i  nderuar z. Skënder, se “Z.Suljemani është denoncues i falsitetit islam të ISSIS-it. Por për këtë dua t’ju them pak më poshtë gjëra të tjera. Për shembull. Një ditë po diskutonim me z. Sulejman Rexhepi, kur ishte i  ftuar në konferencën më serioze që është bërë ndonjëherë për çështjet e lirive fetare, organizuar nga departamenti i Shtetit në Tiranë, për përdorimin e fjalës “hallall”. Kemi dyqan hallall, pica hallall, sallam hallall. Madje atje në Tiranë kanë arritur dhe lavazh hallall. Kjo fjala hallall ka një peshë, “hallall qumështi i nënës!”, si mund ta zbresësh te pica italiane?! Këto janë përdorime të tepruara. Zelli i tepërt është i gabuar. Merreni pak thjeshtë. Jeni në një mort. Çdo njeri e ndjen dhimbjen në raport që ka me të vdekurin. Çdo njeri që qan më shumë se i ati, e ëma, apo vëllai i të vdekurit bëhet qesharak. Po kështu edhe në dasmë. Çdo njeri nuk mund të bëjë dolli për krushkun, nusen apo dhëndërin!

Gjithkush ka vendin e vet, nuk ka nevojë të bëhemi zelltarë të mëdhenj.

Ne nuk mund ta duam islamin më shumë se ata që e kanë shpikur.

Nuk është detyra jonë.! Detyra jonë është që këtë fe kaq të bukur, ta vëmë në shërbim të atdheut (motra ime quhet Mevlude). Vetëm atëherë ky islam bëhet i vërtetë. Pa të vajtojmë ne për hallet e ca të tjerëve, që vriten e priten e të marrim armët e të shkojmë atje, kjo është e shëmtuar.  Le të shkojnë atje në Mitrovicë ata, që vajtën atje.

Besoj se më mirëkuptoni se i them fjalë zemre.

Bota islame në histori ka njerëz të ndritur të planetit. Në historinë e Shqipërisë ajo i ka po kaq të ndritur. Nga Hoxha Tahsim e deri tek hafiz Ibrahim Dalliu në Tiranë, deri tek hafiz Korca e deri tek Sulejman Rexhepi, Bujar Spahiu... janë njerëz që e duan atdheun, e duan edhe Zotin. Po i ndave këto të dyja nuk je gjë, je zero. Pse?

Sepse atdheu dhe feja janë si trupi me shpirtin. Janë ena ku ti fut besimin. O do hedhësh trupin poshtë, o do hedhësh shpirtin.  Po i ndave, edhe Allahun e ke zemëruar.  Dhe ai nuk do që myslimani shqiptar të jetë si myslimani arab. Jo mor zotëri! Arabi ka punën e vet, që ka veshja, shkretëtira, lloji i ushqimit që ia jep edhe fukarallëku atje, me gjithë sendet për të vrarë kafshë të egra. Çfarë do vrasim ne këtu?! Allahu do që kombet ta marrin fenë islame dhe për hir të saj të kuptohen me njëri-tjetrin. Po jo shqiptari të bëhet si arab, arabi të bëhet si pakistanez, pakistanezi të bëhet si ujgur kinez.. nuk është kështu.. Secili të ruajë fytyrën e vet, atje ku është, ta besojë e ta dojë besimin e fenë. 

Rrezikonte të fitonte për patriarkanën një prift rus. Kuptohet që kjo ishte shumë e rëndë. Pak ishte Bashkimi sovjetik që kishte eehe gjithë Evropën Lindore, të merrte tani edhe kreun e patriarkanës. Dhe me avionin e presidentit të SHBA të asaj kohe, vjen një prift nga Bostoni që kishte qenë pranë Fan Nolit, u fut në votim dhe u zgjodh shefi i ortodoksisë botërore. Dhe ky të parin që thirri ishte prifti i kishës arbëreshe. Ai ishte një djalë i ri, po shumë i kulturuar. Hyri në zyrën e tij, të kryepatriarkut, që ishte sa kjo salla, dhe duke qenë i ri u kompleksua dhe i foli kryepatrarkut në greqishten e vjetër. Kryepatrarku nuk e ngriti kokën. I foli latinisht serish nuk e ngriti. “Epo, mendoi me vete, ky vjen nga Amerika, po i flas anglisht”. Dhe kryepatrarku  u ngrit dhe prifti arbëresh kur e përshkruan, thotë se u ngrit si një dallgë e bardhë deti dhe i thotë:

“Mor djalë, na fol në gjuhën tënde, shqip!”, se ishte nga Pogoni i Gjirokastrës.

Dhe çfarë ndodh tani, për shkak të budallallëkut tonë?! Organizohet ceremonia e përkujtimit të tij në SHBA dhe shkon dikush nga Shqipëria. Kur kthehet në Tiranë më thotë se isha në një ceremoni përkujtimore të këtij personazhi. Dhe i them, po ti e di se ai është shqiptar? Dhe i jap librin që unë kam botuar, të Dom Lush Gjergjit, për këtë kryepatrark që quhet Atenagora.

Para se të vinte feja islame, ka qenë një fe tjetër. Para kësaj ka qenë një tjetër. Do dalin edhe të tjera, se bota ka punën e vet. Po ti duhet të ruash kontinuitetin, se ti je shqiptar. Leka thotë kisha për Aleksandërin e Madh se e quan ilir, se ai e kishte nënën ilire, nga babai le ta gjejnë këta se çfarë është! Qumështin e ka pirë nga nëna ilire, se si thotë një fjalë e urtë: “Punës shihi anën, fëmijës shihi nanën!”

Unë kam qenë një nga njerëzit që kisha miqësi me hafiz Sabri Koçin. E ka thënë edhe shkëlqesia e tij, presidenti Ilir Meta se “Hafiz Sabri Koçi u thotë disa emisarëve arabë, në vitet e para të pluralizmit: “Për fenë mos më ngacmoni, se kam teologët shqiptarë të traditës. Ju po deshët, ndihmoni me ndonjë financë për xhami e shkolla, se për fenë e di unë vetë!”.

Prandaj ne nuk duhet të presim të na mësojnë askush fenë, as turqit. Duhet të jemi vlerësues me kujdes, historikë sepse një popull që nuk ka kujtesë meriton të zhduket. Ne nuk duhet të harrojmë që ne e kemi mik Turqinë, po nëse në Turqi ikën Ataturku që është një gjeni dhe do të heqi edhe Ataturkun vetë, ai nuk pyet më për ty. Ai ka hequr Ataturkun, do pyesë për shqiptarët? 5 mijë bilion dollarë ka Turqia sot investime në Serbi, me parimin “investimet në Shqipëri, xhamitë në Shqipëri”. Pastaj duhet të  dimë, që janë tre marrëveshje, dy me mbretin serb e një me Titon për përzënien e shqiptarëve. Ku i çove? 10 milionë shqiptarë në Turqi, asnjë shkollë. Dhe para 2 vjetësh kanë filluar të hapin ndonjë shkollë. Pastaj kur flasim për kombin, kush na e dha Kosovën? Amerika na e dha Kosovën. Pa SHBA nuk bëhej. Është si të thuash bëhet një gjë pa Zotin. Në këtë kuptim ne duhet të jemi realistë, të respektojmë e të dashurojmë fenë islame, njëri – tjetrin, vëllezërit. Ne nuk mund të bëhemi zëdhënës të njërit apo tjetrit. Ne duhet të bëhemi zëdhënës të fesë islame e cila ka shenja të një ndryshimi dhe revolucioni të madh nga princi aktual në Arabinë Saudite, i cili po vendos disa gjëra të reja që ia kërkon koha. Kjo sepse shekuj më parë ka qenë feja islame e para në shpikje, në algjebër, në përparimet e njerëzimit. Shikoni me vëmendje se çfarë ka bërë në Spanjë, në aspektin e përparimit, pastaj mund të kthejmë sytë edhe nga Afganistani, të shohësh të kundërtën e përparimit. Kur duam të tallemi me një gjendje të mjeruar themi: “Na i kanë bërë rrugët si në Kandahar!”.

Ne nuk duhet të shkojmë pas kësaj, duhet të rendim pas përparimit, reformave. Unë mendoj se Sulejman Rexhepi është një figurë e cila nuk mund të ndërrohet me puçe. Ne e dimë se mollës që ka kokrra i gjuajnë me gurë. Ka edhe ndonjë pemë që nuk ka asnjë frut dhe vete ndonjë bagëti e ha ndonjë gjë. Në këtë kuptim unë do t’u ftoja juve, me këto mundësi që kemi, sepse ju jeni njerëz me influencë në popull, që kontaktoni me diturinë dhe me padijen e tij, por sipas pikëpamjes sime, gjithkush ka mendimin e vet, por populli jo në çdo veprim duhet respektuar, sepse në histori ka popuj që kanë shkruar fatin e tyre të zi. Diktatorët dalin nga duartrokitjet e popullit. Dhe kjo është përgjegjësi e tyre. Kjo është përgjegjësi për popullin. Dhe ju, duke qenë se jeni njerëz me influencë, duhet të përplaseni me padijen e injorancën e tyre, duke e futur në këto hulli  të bukura që ky libër me 6 vëllime na ofron e që mua më kujton ca botime luksoze të De Gaule në Francë. Këto gjëra që shkruhen këtu e këto qëndrime, duhet të nderohen e të jenë pjesë e punës suaj.

Hafiz Sabri Koçi vajti në një shkollë në Cërrik, me një mikun tim, por para se të shkonte atje bleu një çelës të madh dhe e mbylli atë shkollë se ato gjëra që thuheshin atje, në shkollën e hapur nga ca islamikë të sulltanit, nuk kishin lidhje me recetat e Kuranit. E mbylli atë shkollë sepse ajo që të mëson për të ligat, duhet mbyllur.

 Unë këtë vend e njoh më mirë se shumë nga ju këtu. Duhet të dini një gjë! ISISSI është produkt i injorancës dhe shumë arsyeve të tjera. Shqiptarët që kanë shkuar të luftojnë atje, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova, ka shumë arsye, si varfëria, apo injoranca, por ka edhe një gjë tjetër.

Kur unë kam qenë këtu si zv/ambasador dhe në atë kohë kishte shumë literaturë islame që hynte në Shkup nga Kosova.  Dhe pyes, “Sulejman, nga vijnë këto, i boton ti këta libra?”, jo më thotë. Ato libra kanë një ISBN që është libër ilegal dhe pasi kërkuam e gjetëm se këto libra vinin nga Beogradi. Unë personalisht kam shkuar dhe parë shtëpinë botuese në Beograd që i prodhonte e i sillte këtu ato libra. Dhe ishin tekste ku shkruhej çfarë thoshin ata për Islamin. Duhet të dini që shërbimet sekrete ruse e serbe investojmë më shumë se vendet arabe që shqiptarët të bëhen islamë radikalë dhe Vuçië, kur shkon nëpër Evropë e në botë, mban një dosje me fotot e shqiptarëve që ishin në ISISS dhe i tregon botës këta janë shqiptarët. Jo, mor zotëri, shqiptarët nuk janë ata 100 veta që keni mashtruar ju, me rrjetet e spiunazhit dhe kërcënimet apo rasti i asaj gruas që le familjen, burrin e fëmijët e ikën atje. Shqiptarët janë ata që janë këtu, që e denoncojnë ISSIS-in. Në këtë kuptim unë mendoj se kemi një korridor të mrekullueshëm, gati poetik, që këtë fe të paqes, që aq sa kam lexuar unë nga kultura islame, Zoti thotë të dish të lexosh. Nuk ka gjë më të mirë sesa të dish e të lexosh. Pra me këtë frymë ne mund të bëjmë shumë punë, ne mund ta detyrojmë edhe Bujar Osmanin, edhe Aliun dhe t’i themi që kjo hyrja e Shkupit këtu, kur vjen nga Kosova, pse është më e keqe se ajo që del në kufirin bullgar? Pse nuk është rruga deri në Qafë - Thanë po deformohet për të shkruar në Ohër? Këtë luftë duhet ta bëni ju, të detyroni politikanët shqiptarë që paratë, taksat që ua merr shqiptarëve, u merr edhe ryshfete, edhe gjoba policie, u merr edhe taksa bizneseve, dhe investimet i ke në disporporcion. Dhe nuk ka nevojë të pyesësh si ka punuar kjo qeveri. Shikohet ky fakt dhe kjo është nota për ta. Por ju mund të luani një rol shumë të madh në këtë aspekt social – politik, t’i detyroni ata, qeverinë maqedonase, të detyrohen këta djemtë tanë që janë në qeveri, që shumica e tyre janë miqtë e mi, duke filluar nga Aliu, të detyrohen, duhet të punohet për investime për Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, të ketë lekë për shkollat. Kjo është beteja sot. Pse carë beteje do bëjmë, ideologjike?! Maqedonia nuk ka pasur kurrë ideologji. Një herë më ka thirrur peshkopi i Ohrit kur isha zv/ambasador dhe më tha me ironi:

“Po ju z. Balliu carë bëni 24 orë këtu?!”

“6 orë fle”, i thashë.

“Jo atë, pjesën tjetër”, pyeti.

“Do të ta them po të ngelet hatëri, i thashë. Pjesën tjetër po kërkoj një person, po nuk e gjej”.

“Kë kërkon?!”, më pyeti.

“Çfarë nuk gjej këtu në Maqedoni, serbë, shqiptarë, bullgarë, gjej grekë, romë, por maqedonas nuk po gjej dot!”.

Është pak e vështirë. Ne i kemi dhënë fytyrë evropiane Maqedonisë. Janë shqiptarët, jeni ju. Është ai Reizi që ka votuar të jeni në NATO. Jeni ju teologët që nga kjo pikëpamje i bëni kombit shërbimin më të madh. Dhe pjesën më të madhe të influencës ruse e mposhtni ju dhe ju jeni fituesit për në NATO dhe perëndim!

Modifikuar më Hënë, 16 December 2019 19:17
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...