Për 2019-ën e zhgënjimit dhe për çdokënd që pret “fitoren e sigurtë” të 2021-it!

Hënë, 06 Janar 2020 09:51

Nga Gëzim Saliu

Viti që lamë pas ishte ndër më zhgënjyesit e të trishtët për Shqipërinë, ndoshta pa ekzagjeruar edhe më i vështiri i këtyre 20 viteve të fundit. Nga kriza e thellë politike te shifrat e skamjes ekonomike; nga dështimi i katërt me negociatat te shpopullimi i vendit dhe së fundmi ngjarja tragjike e 26 nëntorit, tërmeti që mori 51 jetë të pafajshme shqiptarësh.  Padyshim, asgjë të mirë nuk solli 2019 për Shqipërinë!

Në aspektin politik, kriza arriti kulmin në shkurtin e 2019-ës kur opozita dorëzoi mandatet dhe u përfshi në një valë protestash, të cilat përtej dhunës, gazit dhe arrestimeve, nuk sollën asgjë më shumë. Kriza do të thellohej më tej me vendimin e kryeministrit Rama për zhvillimin e zgjedhjeve lokale , edhe pse opozita nuk pranoi të ishte pjesë e tyre pa u marrë parasysh kushtet e saj. Votimet e 30 Qershorit, në kundërshtim me dekretin e Presidentit, rikthyen në memorien e shqiptarëve kohën e regjimit, ku vota ishte e destinuar për vetëm një parti.

Në më shumë se gjysmën e bashkive, kandidatët e PS-së garuan të vetëm e ndërsa në pjesën tjetër u përballën me ato që u cilësuan rëndom si “kundërshtarët kuklla”, të ardhur nga parti që synuan t’i jepnin një dorë Kryeministrit në vendosjen e tullave të legjitimitetit të 30 Qershorit. Por raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR e shkërrmoqi deri në thërrime të gjithë murin artificial të legjitimiteti të ngritur nga kryeministri, duke shprehur qindra kritika për procesin dhe përmbyllur gjithë vlerësimin me frazën : “Qytetarët nuk patën mundësi zgjedhje”.

Po opozita çfarë solli në 2019?! Djegia e mandateve i dha një shkundje të fortë farsës së një demokracie funksionale në Shqipëri, por në të njejtën kohë  i fali më shumë pushtet Kryeministrit, i cili prej 10 muajsh kontrollon 100 % legjilativin, përfshirë këtu edhe “opozitën e re”. Vërtet mazhoranca i  kishte numrat e shumicës që nga zgjedhjet e 2017, por largimi i opozitës nga Parlamenti i dha Ramës shifra bonus në sallë, gjë e cila shtoi arrogancën dhe etjen për pushtet deri aty sa kërkoi edhe shkarkimin e Presidentit, iniciativë që ndodhi për herë të parë në vend.

Me largimin e opozitës nga sistemi, PS drejton prej 6 muajsh përmes kryebashkiakëve të saj të gjitha bashkitë e vendit. Dhe kjo situatë sundimi total ka shanse të vazhdojë, pasi e vetmja mundësi stopimi e saj është te konstituimi i plotë i Gjykata Kushtetuese, gjë e e cila po vështirësohet për shkak të tentativave të pandalshme të mazhorancës për kapjen totale të institucionit kyç të demokracisë në vend. Përplasja me Presidentin për procesin e përzgjedhjes së emrave të kësaj gjykate, ka në thelb pikërisht këtë tentativë, e cila nëse do të realizohet, do të jetë goditja fatale për shtetin ligjor!

Nga sa më sipër, rezulton se opozita ka fituar vetëm betejën morale! Ajo ka arritur të nxjerrë në sipërfaqe në këto 10 muaj edhe atë pak llum që kishte mbetur pa u ekspozuar , duke paraqitur lakuriq të vërtetën rilindase. Por në të njejtën kohë, opozita ka humbur thellë në aspektin politik! Kryeministri dhe PS kontrollojnë të gjitha pushtetet, fjala e lirë ndodhet në rrezik e ndërsa drejtësia po shkon bash në atë drejtim që po përcakton era që fryn nga selia e purpurt.

Dhe më e rëndë duket situata nëse kjo frymë e pritjes së “vetëdegradimit rilindas” do përshkojë edhe 2020-ën. Madje janë jo të paktë zërat që flasin për durim, pasi nuk ka mbetur edhe shumë nga “fitorja e sigurtë” e 2021-it! Nëse kjo ndodh, ky do jetë gabimi fatal i opozitës!

Ajo çfarë është mësuar nga këto vite të pushtetit të socialistëve me në krye Ramën është se përballë aksioneve konkrete, nismave të kopsitura mirë që kanë fituar mbështetjen e duhur ndërkombëtare, Rilindja dorëzohet. Shembulli konkret është dekriminalizimi. Nëse atëherë opozita do kishte vendosur  të digjte mandatet si formë për të solidarizuar evropën për gjendjen ku ndodhej vendi si pasojë e numrit të lartë të njerëzve me rekorde kriminale që ishin përfshirë nga PS në Parlament e administratë, me siguri asgjë siç ndodhi më pas nuk do kishte ndodhur. Deputetët dhe kryetarët e bashkive me rekorde kriminale me siguri do ishin shtuar në masë e sot ndoshta mund të ishim një “Secondigliano” e Evropës!

Nëse PD, LSI dhe të gjitha partitë e opozitës së bashkuar do “flenë të qetë” këtë vit për të mbledhur forcat në 2021-in, mazhoranca do jetë padyshim në pozita krejt të favorshme për të betonizuar në 2020-ën të gjitha shtigjet që mund të sjellin ligjshmëri, demokraci dhe shtet ligjor! Dhe kur ta ketë bërë këtë, nuk ka popull e votë që mund ta shkundë nga kolltuku!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...