Padia e Ramës ndaj Haradinajt/ VOA: Kur u përkeqësuan marrëdhëniet mes tyre

Saturday, 18 Janar 2020 17:15

“Betimi për drejtësi” një emision i përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, raportoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ushtruar padi ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, me pretendimet se ka shpifur ndaj tij, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar.

Nga VOA

Në padinë e kryeministrit Rama, të cilën “Betimi për Drejtësi” pohon se e ka parë dhe e cila ka mbi 30 faqe, thuhet “Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Në padi thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

“Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të jetë thënë në tekstin e padisë.

Mes tjerash aty thuhet se kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Duke ju referuar disa deklaratave të zotit Haradinaj në të cilat është përmendur kryeministri Rama në tekstin e padisë theksohet se “kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë.

Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet mes tjerash.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetin facebook të mërkruën vonë se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama.

“Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.

Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave u përkeqësuan në pranverën e vitit të kaluar pas takimit të Berlinit më 30 prill të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron që mblodhën udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme në rajon, por, në qendër të diskutimeve, ishte çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas atij takimi kryeministri Haradinaj tha se është përballur me trysni nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura në nëntor të vitit 2018 që cuan në pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri Rama tha atëbotë se nuk i ka bërë trysni zotit Haradinaj për heqjen e tarifave por i ka sugjeruar të dëgjojë kancelaren Merkel dhe presidentin Macron që kane kërkuar nga Haradinaj që taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vete”.

Zoti Haradinaj tha më pas se “ekziston një dyshim i bazuar, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar lidhur me ndarjen e Kosovës dhe se ato diskutime janë bërë nën udhëheqjen e Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Polemikat në distancë ndërmjet kryeministrave janë përsëritur disa herë gjatë vitit të kaluar.

Modifikuar më Premte, 17 Janar 2020 18:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...