Çfarë të bësh me gjërat e vjetra?

Hënë, 17 February 2020 13:19

Nga Qemal SAKAJEVA

Të moshuarit, pa para e pa trashëgimi, janë në telash edhe me ndonjë relikë. Ndodh që, jetën e tyre e ka shoqëruar ndonjë send, i cili është bërë edhe më i vyer nga vjetrimi dhe kujtimi i mbajtësit. I zoti i plakur, me mallëngjim të thellë e meditim të ngeshëm, nuk di t’i japë rrugë.

Për vete, di  çfarë vendi e pret. Sendet e vjetra, kujt t’ia lejë amanet?

Kam njohur bij që, një filxhan të të atit, e kanë mbartur kahdo i ka çuar jeta. Kam njohur bij që, orën e vjetër e kanë ruajtur më mirë se të qe e re, vetëm se ka qenë e stërgjyshit. Kam njohur dikë që, i humbi fotografia e vetme e gjyshes, pasi grabitësi ia rrëmbeu bashkë me portofolin, me pak lekë brenda, dhe, ai ndjehej thellësisht i dëshpëruar. Kam njohur nipin që, gjymin e bakrit, dyshekullorë, e ka shitur te grumbulluesi i metaleve. Aq sa pleq ka, aq sende janë, aq ruajtje, humbje e shpërfillje ndodhin.

Ky hall e kishte kapur edhe Hajrie Sinanin. Atëherë e moçme gati 90 vjeçe. E kurthuar në vetminë e saj, brenda shtëpisë, e brente veten përditë nga mosgjetja e zgjidhjes: “Kujt t’ia besoj të vetmen gjë të vjetër e të shenjtë?”. Nuk kishte shkollë as sa për të shkruar emrin. Por për 61 vjet ruan një amanet si njeri i ditur. Më 6 mars 1953, vjehrra e saj e pati thirrë t’i avitet te kryet, në minutin e mbramë të jetës.

-Hajrie, bijë. Amanet po ta la Kuranin. Po të thom, amanet dy herë. Ky asht Kurani që ma ka falë mësuesja, në Mejtepin e Stambollit, para 70 vjetësh.

Dhe, ia la në duar Librin e Shenjtë, futur në një çantë kadifeje të butë ngjyrë kafe. Ai është shumë i vjetër. 70 vjet e pati kënduar Hatixhja. 61 vjet e ruante Hajria. 131 vjet plot, i përdorur e ruajtur,  brenda një familjeje. Kushedi se sa kohë e ka pasë mbajtur mësuesja e cila, ndoshta, edhe ajo, e ka pasë dhuratë nga dikush tjetër, edhe më herët, kur librat ishin gjë e rrallë.

Ky Kuran kaloi një rrezik, në vitin 1967, pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha, mbi ndalimin e fesë në Shqipëri. Në fshatrat e kooperativës bujqësore të Fiersemanit, në Lushnjë,  dolën shtëpi për shtëpi, të kontrollonin për libra fetarë, t’i mblidhnin e digjnin. Urdhrin e pati dhënë kryetari i kooperatives, sipas direktivës së partisë, për zhdukjen e besimit fetar. Të gjitha u shkatërruan: Kisha e Shën Mërisë, në Babunjë të Vjetër, u rrafshua. Trualli i kishës dhe vorret e vjetra rretherrotull, u pluguan me traktor. Xhaminë e Babunjës e rrëzuan e, ku u çua një gur nuk shkoi tjetri. Vorret mbrapa saj u kthyen përmbys me një plug të madh “Martineli”. Po atë vjeshtë u mbollë me grurë. Ullirin shumëshekullor të Teqesë, pa një të dytë aq të moçëm, e lidhën me litar çeliku dhe e nxorrën nga dheu, me një traktor sovjetik “Stalinjec”. Kishën e rrallë të Shën Thanasit në Gradishtë e dëmtuan duke e përshtatur për magazinë. Mbi themelet e Kishës së Shënepremtes, në majë të majës së kodrës së lartë, përmbi Gropën e Kallmit, ngritën vilën, ku strehoheshin udhëheqësit nga Tirana, kur vinin për gjah në pyll. As Kishën Shën e Diela të Fiersemanit, në fushë, nuk e kursyen. Pasi e shëmbën, i prenë edhe selvitë e dafinat, një korie e vërtetë, tuallin e pluguan dhe toka u mboll me pambuk. Asnjë nuk mbeti në këmbë ss për fe, as për shenjë.

E trembur nga kjo furi rrënimtare, Hajria e hoqi çantën me Kuran brenda. Askush nga njerëzit e shtëpisë nuk e vërejti  heqjen dhe kurrkush nuk e diti fshehjen. Të ruajtur e të padëmtuar, e nxori nga fshehtësia dhe e vari përsëri në mur, vetëm më 1991, për Kurban Bajramin e parë, të lejuar për festim, pas rënies së komunizmit.

Më vonë ra në hall. Jam shumë plakë, gati 90 vjeç, thoshte. Sot për nesër. Jemi frymë. Njeriu asht si bryma para diellit. Tak të lëshon shpirti. E, kujt me ia përcjell amanetin?

Te djali i madh nuk i flinte shpirti. Djemtë e tij qenë rritur, po nuk besonte se ata dinë të çmojnë porosinë e stërgjyshes. Djal;i i dytë ka boll shkollë. I di e i do librat. Ka bibliotekë vetë e ka parë shumë biblioteka. Mirëpo shkollën e ka kryer në kohën e pafe të komunizmit. Dhe, plaka druan mos bie në mëkat me këtë përcjellje. Djali i tretë nuk është me shkollë. Tjetri djalë e ka gruan ortodokse. Aty, gjysma çmon e gjysma dronë. T’ia besoj mbesave nuk mundet. Ato kanë si shumë lakuriqësi në veshje. Si të lehtësohet zgjidhja?

-Nuk je vetëm ti në hall, me sendet e vjetra, - kujtova se e ngushëllova.

-E, kush tjetër asht në hall, si unë? - u kthye e pyeti.

-Shqipëria është në hall më të madh se ti, - i thashë.

-Qyyyysh?! - foli e habitur.

Ja, bash, si ti: Ka qytete të vjetër, e po u shëmben shtëpitë. Shteti, që është djalë i vetëm

trashëgimtar, i ka lënë të bien se nuk ka e nuk jep pare për to. Ka ura të moçme, që rrezikohen të këputen midis e të shëmben në lumë. Ka muzeume të ngritura me shumë shpenzime e pikojnë shi brenda, sa po u prishen  mure e sende. Ka hajna që grabisin sende shumë të çmueshme. Ka kështjella fort të lashta e nuk pyet kush për to. Ka pleqë 100 e sa vjeç, që nëpër botë vërsnikët e tyre i shënojnë nëpër libra mosharrese. E, këtu, tek ne, janë lënë që, edhe për bukë të shohin duarve të stërnipërve.

Plaka Hajrie, e pangushëlluar nga këto, foli prerë:

-Po, hall i madh asht! Enveri e prishi popullin. Ma e vështira punë asht me e ndreq një popull të damtuem. Nuk ka ma hall për një shtet se kur nuk mundet me i  trashëgue sendet e veta të vjetra.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...