Beteja për Metën dhe beteja për vetveten

Premte, 21 February 2020 13:43

Konflikti i fundit mes Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe Kryeministrit Edi Rama ka nxjerrë në plan të parë edhe një herë mundësinë permanente të konfliktit, me të cilin bashkëjeton pareshtur shoqëria shqiptare

Nga zyra e tij, Ilir Meta ka bërë të ditur para opinionit publik një sërë faktesh që zbulojnë përpjekjet për një “grusht shteti” nga ana e maxhorancës dhe ka thirrur qytetarët për të zbritur në shesh për mbrojtjen e Kushtetutës. Aksioni i tij po përpiqet të relativizohet nga kundërshtarët e tij politikë me argumentin se ky aksion lidhet me frikën e tij nga një shkarkim i mundshëm nga Parlamenti.

E bën për të mbrojtur Kushtetutën apo veten e tij, kjo ka shumë pak rëndësi para një fakti të thjeshtë, të rëndë dhe të qartë për të gjithë: aktet e qeverisë dhe shumicës parlamentare, në thelb, nuk cenojnë vetëm Ilir Metën si President, si politikan apo si njeri, por Kushtetutën e Shqipërisë dhe integritetin e institucioneve që burojnë prej saj, institucionin e Presidentit të Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese. Në mënyrë arbitrare dhe banale, ligjet që ka nxjerrë dhe po përgatitet të implementojë qeveria e Kryeministrit Rama synojnë futjen nën kontrollin e këtij të fundit të dy institucioneve të vetme, që ai nuk i ka ende nën kontroll. Njërin sepse Meta si President i Republikës, i zgjedhur nga e njëjta maxhorancë, nuk ka pranuar t’ia nënshtrojë kontrollit të tij dhe tjetrën sepse është në konstituim e sipër.

Është, pra, më se e qartë se në këtë rast gjëja me më pak rëndësi është pikërisht ajo që ka të bëjë me faktin nëse Meta do të jetë apo jo President, do të jetë apo nuk do të jetë në politikë (edhe nëse ky është motivim për aktet e Metës). Kryesisht e mbi të gjitha e rëndëishme në gjithë këtë histori është nëse Rama do të jetë Kryeministri me pushtet të pakufizuar, që kontrollon edhe pushtetin legjislativ përmes Parlamentit surrogat, edhe pushtetin administrativ, edhe sistemin gjyqësor në të gjitha nivelet e tij, edhe SPAK-un, edhe pushtetin e katërt, median, edhe pushtetin lokal, edhe shoqërinë civile, edhe universitetet, pra, gjithçka. Dhe beteja, nëse do ta bëjmë si shoqëri një të tillë, do të duhet të bëhet pikërisht për këtë. Nëse ne si shoqëri e pranojmë pushtetin e pakufizuar të një personi, i cili deri tani ka treguar se është i paaftë për ta ushtruar në dobi të qytetarëve të vet dhe i aftë për të abuzuar edhe me atë pushtet, që normalisht do të duhej ta ushtronte si Kryeministër i vendit: pushtetin administrativ dhe legjislativ.

Edhe nëse do t’i merrnim si të mirëqena argumentet e propagandës qeveritare dhe propagandistëve të saj se nuk ka asgjë të moralshme në aktin e Metës, një gjë nuk mund të mos e themi: dështimi i tij dhe fitorja e Ramës do të jetë me pasoja tragjike për fatin e demokracisë shqiptare. Kështu që beteja që po bën Meta nuk mund të jetë vetëm betejë e tij, ajo duhet të jetë një betejë për moskurorëzimin e Ramës diktator, betejë për të mos i dhënë shkelmin përfundimtar demokracisë shqiptare dhe ekuilibrit të pushteteve në Shqipëri. Humbja e Metës do të ishte automatikisht kalimi nga modeli i Republikës Parlamentare gjysmëdemokratike në modelin e Sulltanatit Kryeministror.

Nëse rruga që ka zgjedhur Meta për ta kundërshtuar Ramën është e drejtë apo jo, kjo mbetet për t’u diskutuar. Nuk di të ketë ndonjë rast në ndonjë vend normal demokratik, kur Presidenti i Republikës të këtë zbritur nga zyrat e tij në rrugë për të ngritur popullin në protestë kundër qeverisë. Po, ndërkohë, dihet fare mirë se nuk ka vend demokratik në botë ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen me përdhunë dhe në shkelje të hapur të Kushtetutës, ku ata betohen te noteri, ku Presidentit i hiqen të drejtat kushtetuese me ligje të miratuara në Parlament që bien ndesh me Kushtetutën, pa e ndryshuar kushtetutën, ku miratohen ligje që shkelin të drejtat themelore të njeriut, ku parlamenti dhe pushteti vendor mbushen me eksponentë të krimit të organizuar dhe ku zbulohet përmes përgjimeve se krimi i organizuar në bashkëpunim me ministra, deputetë e kryetarë bashkish është përfshirë në vjedhjen e votës, ku badigardët e Kryeministrit nxjerrin nga salla një student që i bën pyetje Kryeministrit e shumë mynxyra si këto.

Në këtë kuptim, akti “anormal i Presidentit”, që zbret në rrugë kundër aktit “normal” të kriminelëve që uzurpojnë pushtetin dhe shkatërrojnë demokracinë të duket më se normal. E vetmja gjë që mund të diskutohet në këtë rast, është kjo: A është kjo rruga e vetme për ta kundërshtuar regjimin totalitar që po konsolidohet? A është kjo e duhura? A duhet konsultuar me faktorin ndërkombëtar? Dhe që beteja e Metës të shndërrohet në një kauzë me rrezatim të gjerë duhet menduar mirë: për strategjitë, taktikat, aleancat dhe rreziqet në mënyrë që shoqëria të gjejë aty mundësinë për të shprehur në mënyrë referendare refuzimin e një sulltanati politik./panorama

Modifikuar më Premte, 21 February 2020 13:47
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...