Kulisat/ 24 orët e vështira të Albin Kurtit për taksën

Saturday, 29 February 2020 14:29

Që prej 3 shkurtit, ditës kur pas 15 vitesh karriere politike u ngjit në zyrën e kryeministrit, java që po mbyllet, ka qenë ajo më nervëshkatëruesja për Albin Kurtin. Ditë pas dite, mbi të është rritur një presion i dyanshëm për të mos mbajtur një premtim ekektoral të sendërzuar edhe në programin e qeverisë: ai se taksa 100% ndaj prodhimeve serbe do të hiqet vetëm pasi të zëvendësohet me reciprocitetin.

Nga njëra anë presioni i tmerrshëm i të dërguarit special të presidentit Trump për dialogun Serbi – Kosovë, për ta hequr taksën sa më shpejt, i është bashkëngjitur edhe trysnia e partnerëve të koalicionit LDK-së, që kërkesat që u vijnë nga Uashingtoni i vlerësojnë më shumë sesa parimet për të cilat janë votuar.

Këtyre telasheve u janë shtuar edhe presionet nën rrogoz të amerikanëve, të cilët kanë furnizuar shtypin e Kosovës me lajme se Albin Kurti gjendet nën një ultimatum për ta hequr taksën deri të premten (28/02/2020). “Të premten, Richard Grenell e shqyrton çështjen e tarifave se a janë hequr apo jo. Ose, nëse kjo nuk ka ndodhur, ai pritet që të merr një hap të largimit të Shteteve të Bashkuara nga kjo çështje – duke e konsideruar kështu Kurtin si joserioz për partner të Uashingtonit”, i tha një burim diplomatik Gazetës Express.

Të enjten paradite, pra 24 orë përpara ultimatumit të përfolur në publik, doli edhe ai që duhet të konsiderohet si krahu i djathtë i kryeministrit, zvendësi i tij nga LDK, Avdullah Hoti. Pa një miratim paraprak të kabinetit qeveritar ai bëri një deklaratë shumë kërcënuese që kërkonte heqjen e taksës: “Tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshmë për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Çdo shtyerje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e një anëshme nuk mund të mbroj apo avansoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, shkroi zv kryeministri në Facebook.

Në fakt, ajo që nuk dihet nga publiku dhe që Lapsi.al e ka mësuar është se për shkak të trysnisë së fortë amerikane mes partnerëve të koalicionit ishte krijuar një krisje.

Si pasojë e saj, megjithëse kryeministri Kurti do ta mohonte këtë fakt më pas, ishte rënë dakord që të shtyhej edhe mbledhja e parapërcaktuar e qeverisë. Qëllimi qe i qartë, çarja nuk duhej ekspozuar në publik.

Për ekzistencën e saj palët ishin qartësuar. Në mesditen e së enjtes Albin Kurti dhe Avdullah Hoti ishin takuar kokë më kokë në godinën e qeverisë. Sipas burimeve të Lapsi.al, biseda nuk ka shkuar paq. Kryeministri e ka informuar zëvendësin e tij se do të tregojë një shenjë të vullnetit të mirë duke deshmuar se i dëgjon parnterët ndërkombëtarë, duke bërë një tërheqje nga një pjesë e taksës. Hoti ka mbajtur qëndrimin se tërheqja duhet të ishte totale dhe e menjëhershme ashtu sikurse e kishte kërkuar Rik Grenell.

Me këtë mospajtim ishin ndarë dhe atë së pari e nxorri në publik, Avdullah Hoti duke publikuar statusin në faqen personale të Facebookut ku kërkoi veprim të menjëhershëm sikurse e donin amerikanët.

Pak kohë më vonë Albin Kuri njoftoi një konferencë të papritur shtypi në ora 18 30 të pasdites.

Kur u shfaq para kamerave, ai nuk kishte lirshmërinë e zakonshme dhe në fytyrë i lexohej ngërçi i orëve të tensionuara. Zgjidhja që prezantoi para publikut qe një masë ekuilibrise edhe për ti dhënë një shenjë ndërkombëtarëve edhe për të ruajtur dinjitetin e shtetarit edhe për të mos përçarë koalicionin edhe për të mos shkelur angazhimet para zgjedhësve dhe programin e qeverisë.

Por, mbi të gjitha dhe sidomos për këtë, ajo ishte një lëvizje për të fituar kohë.

Ajo konsistonte tek heqja e taksës 100% për lëndët e para, që i shëbenin prodhuesve kosovarë disa prej të cilëve i kishte rreshtuar pas vetes, në 15 mars. Por kjo shenjë e vullnetit të mirë-sipas tij- do të qe e vlefshme vetëm nëse Serbia e ndërpriste lobimin për heqejen e njohjes së Kosovës nga shtete të treta. Nëse Beogradi sillej në këtë mënyrë, taksa binte plotësisht në 1 prill. Nëse Serbia vazhdonte të sillej në mënyrë destruktive tarifa do të riinstalohej në 15 qershor dhe aplikimi i masave të reciprocitetit po në të njëjtën datë.

Si duhej kuptuar ky qëndrim i kryeministrit i shpallur me urgjencë?

A qe kjo një tërheqje e turpshme?

A qe kjo një përpjekje për të dhënë diçka por pa prekur dinjitetin dhe angazhimet?

Këto pikëpyetje zor se merrnin përgjigje edhe nga qëndrimet ambigue që Albin Kurti mbajti në konferencë. Për partnerin e koalicionit LDK-në, ai thoshte se “jemi të unifikuar dhe bashkë”, ndërkohë që deklaratat publike dëshmonin për të kundërtën. Për partnerët e huaj, ai pretendonte se i kishte rakorduar qëndrimet, por pastaj shtonte se “nuk mund të bënte rrokadë mes atyre që e kishin votuar dhe ndërkombëtarëve”.

Gjithësesi, ata që e kishin ndarë mendjen se Albini në pushtet do ta tradhëtonte ish opozitarin e dikurshëm, e komentuan këtë si një shenjë tërheqjeje të turpshme. “Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia” nxitoi të komentonte ish kryeministri Haradinaj që e kishte vënë taksën.

Edhe kreu i parisë më të madhe të opozitës, PDK, Kadri Veseli, ironizoi me tërheqjen e Kurtit para shantazhit të amerikanëve: “Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët. E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, shkruajti Veseli.

Atëherë, a ishte zbythur Albin Kurti?

A i kishte mashtruar ai zgjedhësit, a kishte ngrënë shantazhin sikurse e akuzonin kundërshtarët e tij?

Që kjo të pohohej pa droje përpara ishin dy kushte. Së pari që propozimi i përshkallëzuar i kryeministrit të pranohej nga partneri i koalcicionit LDK-ja dhe më kryesorja, që ai të kënaqte amerikanët që ishin epiqendra e gjithë këtij presioni.

Sepse kundër kryeministrit, që nuk ka mbushur as një muaj në detyrë, ishte forëzuar një koalicion i çuditshëm kundërshtarësh, që përbëhej edhe nga ata që e akuzonin si tradhëtar edhe nga ata që nuk ia quanin “tradhëtinë”, pasi i dukej e paplotë.

Pyetja që shtrohej plot tension ishte: a do e pranonte Uashingtoni dhe Grenell këtë lëvizje të re?

A do ta lexonin ata si një hap vullneti të mirë, ashtu sikurse tha Kurti, apo si një përphekje për të fituar kohë, ndërkohë që Grenell, me harbutërinë e një kaubojsi dontte ta ulte sa më shpej në dialog?

Ky ankth nuk zgjati më shumë se disa orë.

Sinjalet e para erdhën nga eksponentë të LDK-së që me sa duket luajnë telefonin e prishur me diplomatë përtej Atlantikut.

Zv kryeministri Avdullah Hoti e quajti masën të paplotë. Ai deklaroi se anëtarët e kabinetit të LDK-së ne qeveri nuk e votojnë atë: “Ekziston një limit i ngushtë kohor që ne si qeveri e re të dalim në krye të proceseve. Nëse nuk dalim në krye të proceseve, nuk na falet”, tha ai në televizionin T7.

Po të njëjtën gjë përsëriti dhe kreu i LDK me një gjuhë më të moderuar: “Kosova duhet të heq tarifën, në mirëbesim me SHBA-të dhe BE-në” deklaroi Isa Mustafa.

Ndërkohë Avdulla Hoti që vazhdonte të jepte intervistë në T7 kishte kërcënuar edhe prishjen e qeverisë: “ne nuk qëndrojmë nëse taksa nuk hiqet plotësisht” lëshoi ultimatumin ai.

Për Albin Kurtin gjithçka po bëhej më e vështirë. Tani fjala nuk qe më për kundërshti, por për rrëzim të qeverisë. Dhe ky kërcënim dukej se ishte i pilotuar nga Uashingtoni, madje drejtpërdrejt nga Rik Grenell.

Ndonëse nga qëndrimet e LDK-së ajo që pritej nga Grenell ishte nuhatur, lajmi nuk vonoi të bëhej publik. Krahu i armatosur i Trump, që tani mbante mbi supe edhe kostumin e drejtorit të inteligjencës së SHBA, e goditi edhe pas tërheqjes Albin Kurtin duke e konsideruar aktin e tij gjysmak. “Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është shumë i qartë: tarifat duhet të hiqen krejtësisht”. Zoti Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e qartë sot presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë” shkroi ai në Twitter

Qeveria rrezikohej, amerikanët vazhdonin presionin. Po çfarë kërkonin ata duke nxitur edhe këtë destabilitet të brendëshëm politik?

Po ti besohet gjithmonë Avdulla Hotit, që këto kohë ka bërë më shumë zëdhënësin e Grenellit sesa dyshin e qeverisë, plani është i qartë: “Nuk mund të jemi kreativ as në listimin e pikave të ndryshme, as në parafrazimin e çështjeve me elokuencë. Ka marrë fund ajo…Nëse taksa hiqet nesër, krerët e shtetit të martën do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për ta rifilluar dialogun” ka deklarauar ai.

Pra, Albin Kurtit pak a shumë po i kërkohet e pamundura: Të tërhiqet krejtësisht nga premtimi elektoral dhe programi i qeverisë të sapo miratuar. Të shkelë me këmbë qëndrimin e tij se më i rëndësishëm se dialogu në vetvete, janë parimet mbi të cilat ai ndërtohet. Dhe së fundi të heqë dorë nga pozicioni i drejtuesit të dialogut, si njeriu më i votuar nga zgjedhësit, duke e ndarë këtë me të preferuarin e Rik Grenellit, Hashim Thaçin.

Të gjitha këto barriera duken të pamundura që Albin Kurti ti pranojë. Prandaj, me gjithë tërheqjen e pjesshme, dita e së enjtes ishte një ditë e vështirë për të. Një ditë kur nuk duhej të përballej as me logjikë as me argumenta, por thjeshtë me arrogancën e të ngarkuarit të Trump, të cilit me sa duket nuk i intereson dialogu shqiptaro- serb në vetvete, por thjeshtë ofrimi i një dhurate parazgjedhire për presidentin e tij.

Në rrethana të tilla, hapsirat e manovrës së kryeministrit kosovar, duken krejtësisht të vogla. E vetmja dritë shprese në këtë peisazh të errët dukej deklarata e BE, nga Brukseli, që qe shumë më e ndryshme nga ajo e Grenellit. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së e konsideroi propozimin e Albin Kurtit si një hap që mund të ofrojë një mundësi për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Por midis ngadalësisë europiane dhe këmbëngujes arrogante të Uashingtonit, shumëkush e ka të lehtë të imagjinojë se nga rëndon peshorja. Këtë natyrisht e di edhe Albin Kurti, mbi të cilin, ndonëse e hoqi një pjesë të taksës, presioni vazhdon të jetë më i madh se kurrë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...