Kur e dinë tre, e dinë të gjithë

E Enjte, 02 Prill 2020 16:04

Nga Qemal SAKAJEVA

Atë ditë, domethënë më 25 mars 2020, që në mëngjes, gjithë ditën e deri në mesnatë,  kërkëllimat e këmbëve të karrikeve të qeverisë në rrëzim ishin si krismë e thatë pisqolle grykëshkurtër, që nuk dëgjohej prej buçimës nga e shtëna tronditëse e topit :  mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, “... ka një marrëveshje praktikisht, këtë ma  ka konfirmuar edhe presidenti në takimin që ishim”, tha  Albin Kurti. Ky ishte një denoncim nga foltorja e kuvendit dhe nuk e tha dikush nga deputetët e radhës, por vetë kryeministri  i Kosovës, ato orë ende kryeministër. 

Të nesërmen, Zëri i Amerikës transmetoi një deklaratë të përbashkët të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, ambadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe të dërguarit të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Mathew Palmer, ku ndër të tjera spikaste edhe kjo frazë :“I dërguari presidencial Richard Grenell nuk ka parë dhe as ka diskutuar kurrë një plan të tillë”, pra për korrigjimin e kufijve. Më pas, në një intervistë për emisionin Pressing T7, i pyetur se a e mbështet korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, me përgjigjen e dhënë Grenell e hapi  perden për të parë më shumë pas skenës: “Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion”, tha.

Menjëherë pasoi me deklaratën e tij presidenti Hashim Thaçi i cili, rreth ekzistencës së një marrëveshje mbi shkëmbimin e territoreve,  tha se “lajmet e rreme dhe spekulimet përbëjnë kërcënim të përhershëm”.

Mirëpo kjo çështje ka një histori, për shembull si dhe sëmundja COVID -19. 

Me gojën e tij, presidenti Hashim Thaçi ka folur jo njëherë, por shumë e shumë herë, pa u ndalur e foltore më foltore, që nga Prishtina, Brukseli e Vjena, duke kërkuar mbështetje politike dhe popullore, për  normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë me “korrigjimin e kufirit”, dhe se kjo është ide e tij.

Njëkohësisht presidenti  Aleksandër Vuçiç, duke folur jo njëherë por shumë herë, që nga Beogradi deri në Moskë, u kërkonte serbëve mbështetje që të mos humbej kjo mundësi për ta  zgjidhur problemin me “përkufizimin mes serbëve e shqiptarëve”,  dhe se kjo është ide e tij.

Tymnaja e krijuar prej të dyve mbi autorësinë e idesë, për një shqiptar është lehtësisht e dallueshme: kjo është ide e hershme serbe (Vuçiç gjendet brenda përmbajtjes, dikur nacionalist radikal serb në mendim, tani president serb veprues, - por jo autor); ndërsa Hashim Thaçi, duke u ruajtur të mos përlyhet  në bashkautorësi, e bëri edhe më zi: shkëmbimin e territoreve e shpalli ide të vet!

Funksionarja e lartë për Politikë të Jashtme e BE dhe ndërmjetësuese e bisedimeve Serbi- Kosovë, Federica Mogherini i pati mbështetur të dy dhe gati pati thyer këmbët që të arrihej marrëveshja në kohë shumë të shkurtër, - deri në mbarim të mandatit,- e ta shënonte si sukses të saj para largimit.Kjo ide, - e thënë nga Thaçit, e shprehur nga Vuçiçit, e mbështetur nga Mogherini, e përcjellë në televizione me një foto duke këqyrur mbi hartë  - u kundërshtua ashpër nga shqiptarët. Më pas folën kundër gjithandej. Por kur kancelarja Angela Merkel  e hodhi poshtë si diçka shumë të rrezikshme për Ballkanin, atëherë të gjithë heshtën. Hashim Thaçi e mbylli gojën. S’foli më.  Aleksandër Vuçiç  u pikëllua se ideja kishte dështuar. Madje e tha edhe në Kremlin, gjatë një vizite në Rusi. Edhe ai s’foli më.Asnjëri prej të dyve, as Thaçi me “korrigjimin e kufirit”, as Vuçiç me “përkufizimi mes serbëve e shqiptarëve”, nuk do të kishin nxjerrë nga goja sikur edhe një  germë të vetme, pa u bashkërenduar qysh më parë me projektin mbi shkëmbimin e territoreve.

Kjo ide kurrësesi nuk mund të thuhej para se ajo të ishte shqyrtuar në bisedime, pranuar si zgjidhje, e skicuar në hartë dhe e formuluar si tekst. Kur të dy presidentët mbetën foltoreve, në vendet e tyre dhe ato ndërkombëtare, nuk është se ata flisnin në parim, por kësisoj  testohej opinioni gjithandej, pa shpallur se një marrëveshje praktike e mbështetur nga Mogherini  si ndërmjetësuese priste diku kohën për t’u firmosur.

Grenell dha garanci zyrtare se “as ka parë dhe as ka diskutuar kurrë një plan të tillë” dhe se “nuk e shoh këtë si opsion”. Por kjo marrëveshje që thuhet se ekziston, sillet të jetë ekuacion me katër të panjohura. Tri të panjohura tashmë janë zgjidhur. E para: Grenell nuk e ka parë. E dyta: Grenell kurrë nuk ka diskutuar mbi një plan të tillë. E treta: shkëmbimi i territoreve si zgjidhje nuk është opsion për Grenell . Mirëpo duke ditur që Kosova,  në kohët e vona, sot e kësaj dite e në vitet që vijnë,  lidhjen e fortë  me SHBA e ka të shenjtë,  SHBA janë shteti i madh mbrojtës i pavarësisë dhe inteligjenca amerikane di shumë për të, Grenell mund të ndriçonte edhe të panjohurën e katërt: ekziston ose jo një plani i tillë? Siç lihet për t’u kuptuar, duke mos qenë opsion për Grenell,  ndoshta ky informacion është i pavlefshëm për t’u bërë me dije prej tij. Por Kurti nuk veproi asisoj dhe pati zëra se ai veproi gabim.

Sebia e kundërshtoi me luftë çlirimin e Kosovës. Serbia nuk pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk  kërkon falje për krimet çnjerëzore të kryera në Kosovë. Marrëveshjet për fluturime aeroplanësh, qarkullim trenash dhe rrugët janë të rëndësishme, por dihet që Serbia e kishte tregun e Kosovës. Çdo vit fitonte  450-500 milionë euro dhe për mallrat e saj nuk kishte rrugë të bllokuara. Megjithëkëtë Beogradi sillet në mënyrë armiqësore ndaj shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. 

Në gjithë morinë e personaliteteve që janë shprehur rreth çështjes, po të përdorim fjalët e Thaçit mbi “lajmet e rreme dhe spekullimet”, besohet se Thaçi nuk ka gënjyer duke ia  konfirmuar Kurtit marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve. Sepse ai e pati kthyer këtë në kauzë jetike të presidencës së tij. Të paktën janë tre veta që e dinë të vërtetën. Thaçi në Prishtinë. Vuçiç në Beograd. Mogherini në Bruksel. Aksioma thotë: kur një të fshehtë e dinë dy vetë, nuk është më e fshehtë. Ata nuk janë dy, por tre.

Modifikuar më Saturday, 04 Prill 2020 17:46
Login to post comments