Letra tronditëse dhe informacioni komik

Premte, 24 Prill 2020 16:51

Nga Qemal SAKAJEVA

Dikur dikush e paralajmëronte dikë :”Mos shko te ajo familje, ata janë të prekur!”

Në të vërtetë, pjesëtarët e këtyre lloj familjeve të panumërta  si zogiste, balliste,të pushkatuarish, të pasurish, kulakë, të arratisurish, të internuarish, të burgosurish sipas nenit 55, klerikësh  dhe të tjera përcaktime - nga i sapolindur deri te më i moshuari - nuk ishin të prekur nga gripi, tuberkulozi apo lebroza. Sëmundja e tyre ishte më e rëndë se ato. Për atë s’kishte vaksinë. Nuk ekzistonte medikament. Spitali nuk i shtronte për kurim. Mjeku nuk kishte pse t’i prekte me dorë. Lufta famëkeqe e klasave krijoi të sëmurët me  infeksion ideologjik. E vetmja masë sanitare ndaj binomit “armiq të partisë e të popullit” ishte goditja pamëshirë dhe karantina e përhershme.

Gjatë një shërbimi gazetarie më 1982, e pata pyetur P.M. që punonte te Fronti në Rrëshen, nëse vinin letra me ankesa të ndryshme. Po tha, vijnë mjaft. Ka nga ato që të fusin në dhè e s’ke çfarë bën. Merre e lexo njërën prej tyre, tha. Ajo letër ishte e shkruar në një faqe fletoreje shkrimi të fëmijëve të shkollës fillore, e mbushur me germa të mëdha,  fjalë e fraza me  kaligrafi të pakultivuar. Që në krye, dërguesi shquante veten kush ishte, se qe 60 vjeç dhe banonte në fshatin Orosh të Mirditës. Përmes Frontit në rreth, letrën ia drejtonte Nexhmije Hoxhës, të cilës i shprehte këtë kërkesë: “ Unë i nënshkruari ... kam vujtun  burgjeve, i dënuem me 20 vjet. Kam tre muaj i liruem prej burgu. Qyshse jam kthye në familje, nuk ma ka shkelë pragun e derës së shpisë asnjë njeri i katundit të Oroshit e përtej Oroshit, sepse mue dhe familjen na quajnë të prekun. Po e dërgoj këtë letër vetëm me një lutje: Më ktheni prapë në burgun ku kam vuejt dënimin. Atje isha ma mirë, se nuk rrija vetëm, por me shokë”.

Karantina që krijoi lufta e klasave nuk ndiqte rregulla higjieno-sanitare, mbyllje për 14 apo 40 ditë. Të prekurit politikisht e kishin infeksionin të pakurueshëm,  ndaj karantinimi i tyre ishte i përhershëm.

Fjala e huaj karantinë (nga  quarantena), e futur në leksikun e gjuhës shqipe,  ka qenë e njohur në kuptimin e mbrojtjes nga sëmundjet ngjitëse dhe për këtë përdorej  edhe dezinfektimi. Përdorimi  i saj përgjithësisht praktikohej më gjerësisht në stallat e lopëve dhe pularitë më të organizuara. Në hyrje të tyre, po qe se futeshin qerre, karroca apo ndonjë makinë, toka gërryhej si lug përtrup rrugës, betonohej me çimento dhe kohë pas kohe mbushej me solucionin përkatës  për dezinfektimin e rrotave. Për këmbësorët hapej një gropë e vogël diku anash, edhe ajo vishej me çimento,  dhe kalimtarët ishin të detyruar t’i lagnin shojet e këpucëve apo çizmeve dhe pastaj ecnin më tej.

Ato që emërtoheshin organizata të masave në rrethe kohë pas kohe dërgonin informacione në qendër, ku veçoheshin problematika të ndryshme. Kështu, A.M. me funkson kryesor në rininë e rrethit të Krujës, më 1977 kishte dërguar në Tiranë një informacion me seriozitetin më të madh tejet komik, në të cilin shkruhej: Më datën ... te pularia e Fushë-Krujës,  i riu ... ka  kryer  shkelje të rëndë. Konkretisht, ky i ri shpërfilli rregullin e karantinës te pularia, duke mos i dezinfektuar këpucët në solucion te gropa në hyrje të saj. Ai ishte futur në një drejtim tjetër, por u kap në flagrancë brenda në pulari, duke përqafuar e puthur një vajzë, e vetmja punëtore aty brenda në orën 2 pasdite. Për këtë thyrje të disiplinës së karantinës ai u kritikua në organizatën e rinisë dhe u mor masë ndëshkuese.

Shqipëria e vetizoluar si asnjë shtet tjetër, së jashtëmi zbatonte  karantinim të rreptë për të mos u prekur populli nga ideologjia borgjeze e revizioniste. Brendapërbrenda  vendit, me morinë e të prekurve politikisht në të gjithë territorin -  po të huazojmë titullin e  romanit Arkipelagu Gulag të shkrimtarit nobelist rus Aleksandër Sollzhenicin - shteti diktatorial kishte formuar  Arkipelagun Karantinë të Shqipërisë, që numerikisht përfshinte mijëra familje, të survejuara egërsisht sipas thënies që qarkullohej qëllimisht, se “Partia di edhe sa lugë ka çdo shtëpi”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...