Të dytin e njoha vonë

E Enjte, 30 Prill 2020 18:44

Nga Qemal SAKAJEVA

Të parin e njoha më 1970. Punonim në zyra të ndryshme në “Zëri i Rinisë”. Ai kishte bërë emër. Unë po hidhja hapat e fillimit në gazetari. Një ditë më ftoi pranë tavolinës së tij. Kishte nënvizuar një frazë në reportazhin tim nga zona e Dumresë : “Andej nga mali i Tomorit, qielli ishte nxirë si i fshikur me purtekë”. Si myzeqar që ishte, figuracioni dhe përdorimi i fjalëve ”fshikur” dhe “purtekë”, i kishin pëlqyer dhe, atë sekondë  dha një porosi gazetarie mbi individualitetin dhe stilin: “Kur ulesh të shtjellosh një temë, thuaj: kjo shkruhet  vetëm kështu, siç e shkruaj unë”.

Ky ishte Vath Koreshi, myzeqar nga Lushnja me origjinë, por shkollimi i mesëm në gjeologji dhe puna si teknik në një ekspeditë në Tropojë, i kishin krijuar tërheqje pasionante për Veriun. Edhe nga kjo, ai pati botuar e i përmendej një reportazh i  gjatë për fillrojtësin Pjetër Llesh Doda nga Domgjoni i Mirditës, i cili - pa e menduar se çfarë mund t’i ndodhte - ngriu në borën e madhe mes malesh, duke kryer sakrificën më të skajshme, për të ndrequr defektin në linjën telefonike. Pak vite më pas Vathi  shkoi në Kinostudio të punonte skenarist. Reportazhin për fillrojtësin e ktheu në skenar të filmit “Rrugë të bardha”, që u shfaq më 1974.

Të dytin e njoha më 1996. U vendos që ai të ishte nëndrejtor për anën artistike në Televizionin Shqiptar. Pasi trokiti në derë u fut në zyrë pa aktrim të thjeshtësisë njerëzore apo  mendjemadhësisë prej famës.

-Drejtor, jam Rikad Ljarja,- tha me zërin e plotë.

-Të njoh nga ekrani i madh. Ti je Deda dhe të tjerë si Deda.

-Edhe unë të njoh nga  faqet e gazetës dhe si drejtor i Televizioni Shqiptar.

Artisti shumë i njohur ishte tashmë në moshë të pjekur dhe  të punoje më të qe diçka shumë komode. Sepse: ishte i pranuar nga ata qindra punonjës për kapacitetin profesional; vlerësohej për mjeshtërinë e interpretimit; zotronte aftësinë njerëzore të qasjes; shfaqej elitar në mendimin kritik; kishte një kulturë që e zhbënte thënien se “aktorët aftësitë i kanë për të interpretuar mendimet që i shkruajnë të tjerët”. Me kohë më dha të lexoj krijimtari të veten dhe mbeta keq prej mosnjohjes time, të talentit të tij për të shkruar.

Përgjat marrëdhënieve të afërta në punë, një ditë Rikardi u fut në zyrë i përlotur. Loti i burrit është tronditës. Mbylla derën përbrenda me çelës. E  ftova të uleshim te këndi.

-Rikard, më ke gati të ndihmoj? Më thuaj çfarë duhet të bëj?

-Jo, janë shqetësime njerëzore të miat. Po përjetoj prej disa kohësh rrethana të këqia. Se si më erdhi sot. Ndjeva  se duhet t’i nxjerrja nga vetja.

Dhe rrëfeu shkurt.

-Më fal, -tha në përfundim. - I thashë këtu, le të mbeten këtu.

Asokohe, pas ndryshimeve, qe ndërprerë transmetimi i filmave të Kinostudios, sipas mendimit se ishin mjaft të ideologjizuar. Sidoqoftë kishte edhe trysni për t’i nxjerrë nga arkivi, ndaj në këshillin e televizionit u vendos që të përzgjidhnim mes tyre, pa marrë rolin e kritikës mbi to, sepse  ky nuk ishte tagër i tij.  U përpilua një listë e shkurtër dhe një ditë në javë u programua ora e filmit shqiptar. Dikur, punonjësi i departamentit të programacionit, vjen e thotë:

-Drejtor, lista e filmave shqiptarë për transmetim mbërriti në fund. Si t’ia bëjmë për nesër?

-“Rrugë të bardha”, -thashë pa u menduar.

Pas transmetimit, Rikardi kishte shkuar te programacioni.

-Pse u dha “Rugë të bardha”?

-Ka thënë drejtori.

Atëherë ngjiti shkallët dhe erdhi në zyrë.

-Drejtor, kishe urdhëruar të transmetohej “Rugë të badha”?

-Po.

U ul përballë, buzëqeshi dhe thuajse belbëzoi:

-Deda është si Lej Fen.

Më krodhi në mendime.

-Pjetër Llesh Doda i Domgjonit  ka qenë teknik malësor mirditor që sakrifikoi pa kinezëri, mbase aksidentalisht. Roli yt i Dedës është mjeshtëror, ndoshta kryeroli yt, - i thashë.

Kritikat për filmat e realizimit socialist, natyrisht kishi mbërritur. Siç duket e vuante përbrenda pa pasur asnjë faj me talentin e jashtëzakonshëm. Po të kishte qenë diku në Perëndim, përveç famës, do të  qe me mjaft para dhe shtëpi të mirë, jo aq të thjeshtë si ajo ku jetonte.

Dhe shkuam për kafe.

Qysh atëherë kaluan plot vite, secili me hallet dhe me stilin e vet të jetesës.

Një ditë u futa me bashkëshorten te Kafe 88 në krah të ish-Ekspozitës Shqipëria Sot. Në zbarazëtinë e kefeterisë së madhe, shihej vetëm Rikardi i ulur në kulltukun e ulët me shpinore mbështetur në kolonën e  gjerë me një pikturë varur më sipër. Mbase në pritje të shokëve. Eca drejt tij, i a shtrëgova dorën si dikur. Por hetova gjendje të rënduar shëndetësore. Vetëm pak muaj më pas, dikush në shtëpi dha lajmin: “Ka vdekur Rikard Ljarja”. Mbeta pa fjalë.

Eshtë kohë absurde e pamendueshme. Të gjithë të ngujuar me detyrim,  ngjajmë  si gjindje mbyllur shpellave për t’u mbrojtur nga egërsira. As për ngushëllim nuk shkohet dot. COVID-19 i ka tjetërsuar dramatikisht edhe ceremonitë mortore duke i bërë  më të dhimbshme. E Rikardit ishte po ashtu.

unnamed.jpg

Modifikuar më E Enjte, 30 Prill 2020 22:46
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...