Çdo berr nga këmbët e veta

Tuesday, 12 May 2020 11:30

Çdo berr varet nga këmbët e veta”, në traditën popullore shqiptare është proverbi më i njohur që përcjell sensin e përgjegjësisë personale.
… Këtë sens në traditën humaniste europiane e gjejmë në parabola, metafora dhe ese të shumta nga Shkrimet e Shenjta, trashëgimia klasike apo edhe iluministe sa që mund t’a konsiderojmë si shtyllë të moralit shoqëror po ashtu si dhe nxitjen për vepra të mira për të afërmin e shoqërinë.

Paragrafin didaktik të mësipërm do të kisha dashur t’ia kurseja lexuesit të mirëlëçitur, por e shkruajta me vullnet të plotë pasi dëgjova kryeministrin Rama të thotë se për hir të negociatave me BE (vini re: ende nuk janë çelur!) ishte i gatshëm të ulej në tryezë me kreun e shtetit dhe me shefin e opozitës. Kjo për të bërë çmos që integrimi europian përmes këtij simboli uniteti të ecë suksesshëm.

Dy vjet më parë, gadishmëria e zotit Rama ishte edhe më e avancuar në simbolikë e në logjistikë. Në prag të vendimit të Këshillit Europian për negociatat me Shqipërinë shefi i qeverisë Rama ftoi shefin e opozitës Basha të hipnin bashkë në avion e të fluturonin tok në çdo kryeqytet europian për t’u shfaqur dorë për dore para vendimmarrësve politikë me mesazhin unitar se duam negociatat. Jo pakkujt mund t’i ketë lënë mbresë ky demarsh imagjinar si dhe nuk e gjej dot përqindjen e njerëzve që e kuptonin se ishte i padobishëm. Qeverive europiane nuk u mungonte informacioni se të dy krahët e politikës shqiptare ishin shprehur për çeljen e negociatave si dhe në tërësi për vendin e Shqipërisë në BE. Pakashumë kjo vlen për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk u mungonte as informacioni se qeveria kërkonte negociata me pretendimin e progresit ndërsa opozita i donte ato edhe pse shihte regres. Për këto qeveri përcaktues nuk ishte teatraliteti I politikanëve shqiptarë por informacioni se kriteret konkrete të lëna si kusht ishin faktikisht larg pëmbushjes. Dhe vendimi i 2018 ishte i pritshëm: negativ për negociatat, sinjalizues i kushteve shtesë dhe inkurajues për përpjekje të mirëfillta.

Në Tiranë kryeministri Rama realizoi një kryevepër të komunikimit publik: në një anë i shpalli negociatat e çelura dhe suksesin e festoi duke ndarë dekorata e duke ngritur dolli me shampanjë; në anën tjetër ai fajësoi shefin e opozitës, i cili duke mos hipur në avion tok me të shkaktoi mossuksesin me negociatat.

Edhe digresionin e mësipërm mund t’ia kisha kursyer lexuesit të informuar, por çështja është aq e rëndësishme sa nuk e justifikon aspak riskimin.

Unë nuk jam e nuk ka si të jem kundra dialogut politik i cili në një demokraci plurale ndodh sa përmes debatit publik, aq edhe në institucionet legjitime.

Gjatë epidemisë presidenti, kryeministri e shefi i opozitës kanë patur dy herë mundësinë të shkëmbejnë mendime, paraqesin propozime e konfirmojnë qendrime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sipas mediave propozimi për anullimin e koncesioneve abuzive dhe kanalizimin e fondeve të tyre për përballimin e pandemisë ekonomike ka hasur në refuzim konstant dhe madje epik.

Në realizimin e 15 kushteve europiane, opozita ka rol vetëm në reformën zgjedhore. Përmbushja e të tjerave varet kryekëput nga qeveria e institucionet pranë saj. Kushtet e shtuara, nga pesë në nëntë e përfundimisht pesëmbëdhjetë, janë krijesa safi të kësaj qeverie; mjafton të kujtojmë proçedimin penal të votëblerësve apo edhe autogolin e minutës së fundit, ligjin antifjalë, i cili u kthye në kushtin nr 15.

Në këto rrethana, megjithëse e stërmundoj imagjinatën time, nuk gjej se çfarë mund të thonë më shumë Basha e Meta në tryezë me Ramën, më shumë se sa kanë thënë në media. Ah,po! Mbase i thonë e do Zoti e bindin, që të lërë mënjanë provokimet e reja si ai me Teatrin Kombëtar. Se ato jo vetëm mund të jenë embrioni i kushteve shtesë, por edhe shkëndija e konfrontimeve të reja.

Sa për Europën e negociatat, gjithkush të mbajë kryqin e tij e mundësisht të ecë në drejtimin e duhur. Duke mos harruar se çdo berr varet nga këmbët e tij. Edi Rama e njeh mirë këtë shprehje: për herë të fundit e ka përdorur për Saimir Tahirin.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...