Bodo Weber, analist nga Berlini, njëherësh njohës i zhvillimeve në Ballkan, tha se publikimi i akt-akuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë një gjë “e pritur dhe e papritur”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se të gjitha përpjekjet e Thaçit për marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Serbinë prej tre vitesh “kanë qenë treguesi më i mirë se ai do të akuzohej”.
Weber tha se vendimi i Prokurorisë Speciale për të publikuar aktakuzën ka lidhje me takimin e planifikuar në Uashington, midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, më 27 qershor.
“Kjo duket se i konfirmon edhe informacionet në prapavijë se që nga fillimi i negociatave është intervistuar disa herë nga përfaqësuesit e Prokurorisë, për të cilat, ndryshe nga politikanët e tjerë në Kosovë, nuk e ka informuar publikun. Sidoqoftë, publikimi i pazakontë i informacionit mbi akt-akuzën para konfirmimit nga Gjykata sugjeron se kjo është e lidhur me raundin e bisedimeve të së shtunës në Shtëpinë e Bardhë dhe frikën e prokurorit që presidenti Thaçi synon të negociojë një lloj amnistie", tha Weber.
Ai është i mendimit se duhet pritur dhe parë se çfarë ndërlikimesh do të ketë kjo për vazhdimin e dialogut, për takimin në Uashington dhe për samitin e planifikuar në Paris.
"Aktorët perëndimorë kanë qenë të vetëdijshëm me vite se momenti kur publikohen akt-akuzat mund të jetë një pengesë e rëndësishme për dialog. Gjykuar nga reagimi i fundit ndaj një deklarate të këshilltarit të ish-kryeministrit [Albin] Kurti për krimet e luftës, të kryera nga shqiptarët e Kosovës, nuk do ta përjashtoja mundësinë që pala kosovare t’i braktisë të dyja takimet", tha Weber.