Ftesë për vetëvrasje

Diel, 13 December 2020 20:10

1NGA EDMOND TUPJA

Dikur, para dy dekadash afërsisht, intelektuali e analisti Fatos Lubonja, tek bisedonim për pandjeshmërinë e qeveritarëve tanë ndaj kritikave që u bënin atyre opozitarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, analistët dhe gazetarët, më tha shprehimisht: “Ne jemi ata që dimë vetëm të bëjmë gam-gam”.
Kjo fjali më është ngulitur në mendje dhe më duket se vlen akoma më shumë për këto gjashtë-shtatë vitet e fundit, sepse, sipas mendimit tim, sot ka arritur kulmin pandjeshmëria cinike e qeverisë së Edi Ramës ndaj kritikave që i vijnë nga brenda e jashtë vendit për gjendjen e rëndë ku po përpëlitet ankthshëm nga të gjitha pikëpamjet populli ynë shpresëhumbur.

Me shumë gjasë, kjo pandjeshmëri tejet e rrezikshme rezulton nga një proverb që ilustron më së miri taktikën e ndjekur nga kryeministri në fjalë: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara!”, të cilin proverb po ta aktualizonim, pra ne që bëjmë gam-gam (personalisht, edhe unë që leh, por më shumë me shkrim sesa me gojë), do të thoshim se karvani i bie të jetë qeveria aktuale (fjalë kjo pa ndonjë “h”, sigurisht); mirëpo, meqë çdo karvan ka dikë që e drejton, pra, një karvanar, i bie që ky karvanar të jetë pikërisht kryeministri në fjalë, ndërsa kafshët me ngarkesë të karvanit të jenë ministrat dhe zëvendësit e tyre.

Sikur këtë karvan/qeveri ta supozonim jo me kuaj, por me mushka, karvanari do të quhej mushkar, ndërsa ministrat dhe zëvendësit e tyre mushka, veçse mushka aspak xanxare, përkundrazi, tejet të bindura, madje të nënshtruara gjithë qejf, një qejf të paparë, të padëgjuar e të panuhatur ndonjëherë në historinë e karvaneve të paktën që nga Mesjeta e hershme e deri më sot!

Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri apo karvanari Rama, në fjalën e tij publike lidhur me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Lleshaj, më krijoi përshtypjen se këtë të fundit e paska patur kanakar thuajse po aq e paq sa kryebashkiakun Erion Veliaj. Mirëpo, duke parë mënyrën pompoze, mimikën hijerëndë dhe tonin solemn, me të cilët ai e komentoi dorëheqjen e detyruar të ministrit Lleshaj, mendova për një çast se do ta këshillonte krenarisht që ai, pra ministri Lleshaj, do të bënte mirë të jepte dorëheqjen e tij edhe nga… nga jeta! Po të kishte vepruar kësisoj, unë do të isha mërzitur shumë, sepse do të kisha dashur të isha unë – gam-gamisti jo aq me gojë sesa me shkrim –, i pari që t’ia sugjeroja ministrit Lleshaj një vetëvrasje të lavdishme (fjalë kjo me “d” dhe jo me ndonjë germë tjetër). Gjithsesi, më vjen sinqerisht keq, nga njëra anë, që kryeministri apo karvanari Rama nuk ia këshilloi kanakarit të tij të dytë vetëvrasjen si një veprim sublim për të hyrë triumfalisht në historinë tragjikomike të politikës shqiptare.

Por, ama, nga ana tjetër, përfitoj nga rasti që të jem unë i pari dhe i vetmi për t’ia drejtuar këtë ftesë për vetëvrasje, duke i kujtuar stoicizmin si filozofi që lindi në Athinë në shekulli III para J.K. për t’u përhapur në pjesën lindore të Mesdheut e të Azisë nga Aleksandri i Madh deri në periudhën e perandorisë romake, si edhe faktin që neostoicizmi lulëzoi gjithashtu në Europën e Rilindjes (për fat aspak mavi), sidomos në Francë. Mendimi i një numri filozofësh stoikë, siç na mëson zoti Internet, ishte ky: “Jeta duhet konsideruar si një përpjekje për ta pranuar vdekjen në kuptimin që vdekja nuk duhet parë si fatalitet, por deri diku si domosdoshmëri. Jeta nuk mund të ekzistojë pa vdekjen. Vdekja është kushti i domosdoshëm për jetën e çdo individi. Në fakt, Njeriu nuk ekziston paskajshmërisht, ai është i kufizuar dhe i përkohshëm.

Individi duhet jo vetëm të ndërgjegjësohet për vdekjen, por edhe ta pranojë atë. Rrjedhimisht, pranimi i vdekjes kalon përmes njohjes së kësaj të fundit si domosdoshmëri dhe jo si fatalitet”. Prandaj disa prej këtyre filozofëve gjykonin se duhej sfiduar vdekja pikërisht duke vrarë veten për t’i lënë kështu kësaj, d.m.th. vdekjes, të kuptonte se i përkiste Njeriut dhe jo asaj të përcaktonte rrethanat e momentin kur i duhej thënë lamtumirë jetës.

Këto fjalë po ia drejtoj ish-ministrit Lleshaj me besimin se ai do të bëhet stoik dhe do ta pranojë ftesën time për të dalë me lavdi heroike ose me heroizëm lavdiplotë, pikërisht si filozof stoik, nga kjo jetë duke fituar kështu admirimin e stoikëve dhe, pa asnjë diskutim, admirimin tim prej stoiku të vendosur aq më tepër që ai, ish-ministri Lleshaj, emrin e ka Sandër, çka të kujton Aleksandrin e Madh (me nënë shqiptare? Ha, ha, ha!), përhapësin e stoicizmit deri në pjesën lindore të Mesdheut e të Azisë, siç e përmenda më lart.

Së fundi, në qoftë se vërtet ish-ministri Lleshaj e pranon ftesën time për t’u vetëvrarë, dëshiroj e uroj që kryeministri Rama ta marrë në konsideratë ftesën në fjalë (që vlen edhe për atë, siç ia kam bërë tashmë të ditur para një viti e gjysmë, pra në datën 9 qershor 2019, po te kjo gazetë, në të njëjtën rubrikë, me të njëjtin titull), pranimi i së cilës, në kuadrin madhështor të stoicizmit, do ta rrethonte e mbulonte me një lavdi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, jo vetëm planetare, por edhe kozmike

Modifikuar më Diel, 13 December 2020 20:12
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...