Deri ku e kanë limitin zonjat e Rilindjes

E mërkurë, 15 February 2023 08:45
 
 
 

Indinjata e djeshme e grave socialiste në Kuvend ndaj gjuhës së Berishës, hap një debat mbi kulturën e dominimit dhe përdorimit nga lideri të një trupe të tërë politike, këtë herë me ndjeshmëri të lartë, siç është ajo e përfaqësimit femëror në politikë. Çështja nuk është se përse Rama fshihet pas “fustanit të grave” për një skandal të caktuar, por se deri kur këto gra do ta përdorin këtë “fustan” për të mbuluar hipokrizinë dhe mungesën e personalitetit politik.

Reagimi ndaj gjuhës së Berishës, i bërë pikërisht në kohën kur i duhej liderit të zënë në çark, gjithsesi do të ishte i pranueshëm nëse zonjat socialiste do të kishin patur të njëjtin standard sa herë që edhe kryeministri i tyre, brutalisht apo duke flirtuar me kontekstin, përdor gjuhën seksiste. “Revolta” vetëm në një drejtim, i shndërron ato pikërisht në të kundërtën e asaj që pretendojnë të jenë. I kthen në numra që lëshojnë zë vetëm me urdhër nga lart. Spiropali për shembull është sot personifikimi më eklatant i kësaj dukurie.

Zonjat e mazhorancës nuk janë shqetësuar asnjëherë kur kryeministri, kolegen e tyre Albana Vokshi, nuk e thërriste në emër por Pamela, me një theks të qartë intimidues dhe seksist. As kur vite më parë, me xheste vulgare i shpjegonte zonjës Topalli në Kuvend nëse i ngrihej apo jo opozitës. Gratë e majta nuk bëzanë as kur lideri i tyre kaloi çdo limit duke selektuar fushatën e kaluar një foto me kontekst denigrues seksist të Grida Dumës, të cilën e shoqëroi dhe me pasthirrma “oh-oh” dhe më pas, gjoja për t’u justifikuar deklaroi se “Ju, Ilir Meta, Saliu dhe kush tjetër, tek kjo ‘ohoho’ dhe goja e Gridës shikoni gjëra që mua s’më bien ndër mend… “.

 

Madje ato dukeshin komode edhe kur kryeminstri nga karrigia e tij në Kuvend, sulmonte me fjalor të ulët kundërshtarin politik dhe i bërtiste në prani të tyre “o rrotë k…”. Shembujt e gjuhës seksiste dhe intimiduese të Ramës ndaj grave dhe në prani të grave janë të panumërta, por zonjave të partisë kjo gjë nuk ua vret veshin dhe nuk ua prek dinjitetin. Cipa e tyre bëhet e hollë dhe e ndjeshme vetëm ndaj kundërshtarëve, dhe kjo, atëherë kur ua kërkon kryetari që i ka përzgjedhur të jenë aty ku janë.

Dhe këtu vijmë pikërisht tek një prej shpjegimeve të kësaj sjellje politike me standard të dyfishtë. Po të shohësh sot, gratë që janë rritur në karrierë falë forcës së tyre dhe mbështetjes nga votuesit socialistë, janë një specie thuajse në zhdukje. Mjafton të sillni ndërmend zonjat e PS një dekadë më parë dhe të krahasoni personalitetin e tyre politik me ato që janë sot të emëruarat e Rilindjes, si në qeveri ashtu dhe në Kuvend. Karrierën e tyre, vendin e tyre, detyrën e tyre, e përcakton një njeri i vetëm, shpeshherë edhe pa i pyetur fare. Të shumta janë rastet kur ngritjen e tyre në ekzekutiv e kanë mësuar nga ekrani i televizionit.

Tipare dalluese të kësaj kategorie janë dëshmia e bësnikërisë, mundësisht që nga koha e Bashkisë së Tiranës; mungesa e identitetit politik; përsëritja besnike e mesazheve të liderit; zbrazëtia nga çdo liri mendimi e gjykimi; pranimi pa kushte dhe pa debat i rolit që të përcakton lideri dhe lëvizja e kontrolluar brenda hapësirës që u ka vizatuar po prapë lideri.

Zonjat socialiste, në një pjesë të konsiderueshme, nuk janë aty ku janë si rezultat i kontributit të tyre në politikën kombëtare, por si vullnet i tekave të kryetarit. Kryetari të vë, kryetari të heq. Më shumë se sa shqetësimin për komunitetin, në mendjet e tyre mbizotëron shërbimi për “mbretin”. Prandaj dhe “indinjata” e djeshme në Kuvend në emër të dinjitetit, kompromentohet pikërisht nga standardi i dyfishtë. Madje dhe nga hipokrizia, që sado të mbulohet, është e dukshme për këdo që ka ndjekur transformimin e PS në Rilindje. Për më tepër, që vetë zonjat e mazhorancës i njohin fare mirë sjelljet e liderit të tyre në mbledhjet me dyer të mbyllura dhe gjuhën që përdor jo në publik ndaj atyre vetë.

T’i nënshtrohesh të keqes brenda shtëpisë tënde dhe të shfaqesh si luftëtare ndaj saj kur e ndesh diku tjetër, më e pakta nuk të bën të besueshme. As për fjalët dhe as për “fustanin” që tenton të mbulojë kryetarin, kur kupton se është në hall

Modifikuar më E mërkurë, 15 February 2023 14:25
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...