Lajmi se hetimet për hetimin e Tahirit janë zhvendosur në Gjorm të Vlorës krijojnë një përplasje logjike, sepse pikësëpari kjo nënkupton një largim nga Tirana, bash aty ku qëndron “arma e krimit”, Kryeministri Edi Rama.
Çështja Tahiri është e thjeshtë dhe nuk mund të trajtohet sikur po gjejmë ndonjë gjilpërë në kashtë apo si një çështje që kërkon zgjidhjen nga ndonjë Sherlock Holms. Implikimi i tij në narko-trafik me kushërinjtë e tij Habilajt është i provuar katërçipërisht, madje qysh tek sedilja e makinës së vet me targë AA003GB për të vijuar me zbardhjet e regjistrimeve të Habilajve nga “çunat” e policisë italiane.
Po aq sa ka dalë zbuluar Tahiri aq cullak ka dalë edhe Rama, marrë parasysh faktin se, mirë që droga është prodhim i Tahirit, por Tahiri nga ana tjetër është prodhim i Ramës. Ky “farë droge” u vendos në krye të Ministrisë së Brendshme nga Edi Rama me këtë detyrë të posaçme, pikërisht për të kanabizuar Shqipërinë dhe për ta hedhur atë në rrjetin e karteleve të kokainës së Amerikës Latine.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka një varg provash vendimtare që e lidhin Edi Ramën me Tahirin, dhe këtu përfshihen përmbajtjet e atyre deklaratave të tija se Tahiri është” ministri më i mirë i qeverisë” dhe koha e bërjes së tyre, në momentet kur në Shqipëri ranë avionë me drogë, u kapën dhjetra tonelata kanabis, kur u zbulua fabrika e kokainës së Xibrakës madje edhe në orët e para të arrestimit të Habilajve në Itali.
Prandaj, hetimet nuk duhet të humbasin kohë në Gjorm apo gjetkë, por të shkojnë e të kapin vet “armën e krimit”, Edi Ramën!