Nga Flori Slatina
Prej dy ditësh, holli i ngushtë i Muzeut Historik Kombëtar është marrë peng nga një i ashtuquajtur festival apo panair libri. I trumbetuar me të madhe nga Ministria e Kulturës, ky biçimfestivali nuk është gjë tjetër veçse një aktiviteti i rëndomtë që ka si qëllim të përfitojë sa më shumë para nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, i Bashkisë së Tiranës apo edhe i Ministrisë së Arsimit. Organizatorët, janë ujq të vjetër dhe dinë të vjelin fonde dhe ministria, e cila e ka si qëllimin dhe objektiv të punës së saj qerasjen e klientëve të saj dhe të qeverisë, ndaj nuk e diskutoi fare por e zgjidhi qesen me (thonë) 15 milionë lekë e afërsisht po aq apo më shumë kanë marrë edhe nga Bashkia e Tiranës (na thonë që Ministria e Arsimit nuk ka rënë në këtë ngasje), pa llogaritur metrat katrore që ua kanë shitur botuesve për pesë ditë. Po çfarë është ky “festival” që “po zhvillohet natë e ditë” e qytetarët nuk ditkan gjë?!
Sot paradite të rrallë ishin ata që shkonin për ta vizituar “festivalin”. Ministria e Arsimit i kishte marrë masat për të lajmëruar shkollat e kryeqytetit që të shkojnë të vizitojnë panairin, ndërsa “të interesuar” ishin edhe entet shtetërore që shfaqen edhe si botues. Në atë pak hapësirë që mezi lëviz, jo nga njerëzit, por nga stendat e vendosura ngjitur njëra me tjetrën, dalloje lloj-lloj botuesish, por nuk të zinte syri as “Onufrin”, apo "Bota Shqiptare", as Argeta apo “Dituria”, as “Ombra” apo "Albas”, as “55”, as Omsca-1”. Natyrisht nuk mungojnë ata që janë partnerët e përfituesit e përvitshëm të qokave të Ministrisë apo edhe të qeverisë si “Dudaj”, “Toena”, “ldk”, “Poeteka” e pak ndonjë tjetër. Në dy vitet e para të Qeverisë Rama, MK financoi me shumë bujë një aktivitet të ngjashëm të Arlinda Dudajt, shumë e preferuara (botuesja) e Ramës dhe ky aktivitet që mori jo pak por 100 milionë lekë dështoi në mënyrën më qesharake dhe nuk zhvillohet më. Tani hyn në lojë Klik Ekspo Klik, i cili ka organizuar panaire makinash, mobiliesh, ushqimesh e lloj- lloj panairesh e tani synon edhe “festivalin” e librit. Po pse Ministra e mbështet këtë aktivitet, ku nuk angazhohen të gjithë?
Thuhet se ky “festival” është një veprimtari ndërkombëtare por nuk ka programe të afishuara, cilët shkrimtarë janë në panair, të vendit apo të huaj, çfarë librash do promovohen, çfarë gjallërie ka? Ku janë këto diskutimet e mëdha që pretendon organizatori e ministria? Janë punonjësit e bibliotekave të shtetit që detyrohen të jenë, dhe disa fakirë pedagogë të gjorë. Ku janë këta botues? Ku janë botuesit e Kosovës, meqenëse sipas MK “letërsia e Kosovës do të jetë në fokus”? A është aty “Buzuku”, po Shoqata e Botuesve të Kosovës? Askush. Gjithçka është një projekt në letër, një panair kotësish, me njerëz që hyjnë e dalin e nuk shohin asgjë për t'u parë, asgjë. Thjeshtë justifikojnë fitimet e organizatorit. Madje ata po pengojnë e po terrorizojnë edhe turistët që kërkojnë të vizitojnë Muzeun Kombëtar dhe në hyrje përballen me surpriza jo të këndshme, ku mezi gjejnë hapësira për të vizituar pavijonet?!
Është e turpshme dhe e pafalshme që Ministria e Kulturës, si gjithnjë, nuk konsultohet me specialistët, me ata që i japin jetë leximit e librit, me botuesit e rëndësishëm e profesionistë që kanë politika afatgjata e që nuk synojnë të rrëmbejnë edhe atë pak buxhet që jepet për librin. Si ka mundësi që kjo ministri të financojë gjithë ato projekte për “panaire”, apo veprimtari leximi”, kur organizatorë janë shoqata fiktive që nuk i ka dëgjuar kush e që ekzistojnë vetëm nga projektet që marrin nga shteti. Konkretisht MK mbështeti një panair libri në Fier, para pak ditësh, organizuar nga fondacioni “Harpa”. Pse? Kjo është veprimtari lokale, dhe duhet ta mbështeste bashkia e Fierit, ç'punë ka Ministria? Ministria ka mbështetur 23 veprimtari që kanë të bëjnë me librin. Disa prej tyre janë normale, kur i bëjnë të zotët e punës. Gjejmë në listat shumë OJF-ra që bëjnë festivale e aktivitete, siç shohim në vijim “Tirana lexon 2018” (fituese projekti është Instituti për Demokraci, Media, Komunikim), kurse “Botimet Shqiptare në Panairin e Frankfurtit” çuditërisht e organizon e panjohura “Qendra Art, Kulturë, Integrim” që nuk ka lidhje me librin, e deri te “Letërsia dhe qyteti”, apo “Leximi, një e ardhme e bukur”, etj. etj. që i organizojnë edhe qendra interneti e fotokopje apo grupi Ata (me ca lidhje sorosiane). Sigurisht që mes tyre ka edhe veprimtari që meritojnë vëmendje e mbështetje, por gjithçka duhej bërë me transparencë e me konsultime të gjera, jo me përzgjidhje klienteliste, për të kënaqur tekat apo pangopësinë e klientëve të Ministrisë e Kumbaros që i bëjnë reklama e publicitete flaso.