Redaksionale
“Si ka mundësi që dy ministra të Brendshëm dalin të implikuar në trafik droge?! Si ka mundësi që PS-ja nuk e gjen dot një person për ministrinë e më të rëndësishme të pa implikuar në trafikun e drogës?
Ka qenë kjo pyetja e madhe e qytetarëve shqiptarë, e opozitës dhe e gazetarëve përgjatë gjithë këtyre ditëve. Një pyetje që nga ana tjetër ka marrë si përgjigje vetëm heshtjen dhe frikën e madhe.
Një kryeministër që refuzon të përgjigjet dhe braktis konferencën për shtyp, një kryetar komisioni parlamentar që nxjerr jashtë mediat sapo opozita merr fjalën. E gjithë Rilindja e bërë grusht në mbrojtje të përfaqësuesve të tyre më të ‘denjë’, Ramës dhe ushtarëve të tij më të bindur.
Praktikisht në vend kemi një rënie të shtetit. Qeveria i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar dhe tashmë luan thjesht rolin e avokaturës së kartelit të drogës, që është de fakto udhëheqësi i vërtetë në vend. Karteli bën ligjet, karteli merr vendimet, karteli ekzekuton projektet, karteli menaxhon paratë e shqiptarëve.
Ndaj është shumë e rëndësishme që më 26 maj shqiptarët të bashkohen dhe si një trup i vetëm ta luftojnë kartelin, ta shporrin një herë e mirë këtë qeverisje, dëmet e së cilës po bëhen gjithnjë e më të parikuperushme. /55news.al/