Redaksionale
Lukunia e kritikave të dalë nga serveri i kryeministrisë është fokusuar në një thirrje që në fakt tregon se dhuna qëndron në themel të kësaj qeverie, edhe atëherë kur nuk e ushtron vetë, ankohet se pse nuk e dhunojnë. Nuk flasim thjesht për një propagandë politike, por nga distilimi i këtyre kritikave tregohet esenca e karakterit të vetë Edi Ramës: dhuna, si funksion i një patologjie frojdiste. Ky fetishizëm politik nuk duhet të analizohet thjesht në filtrat politikë, por në ato frojdiane dhe Edi Rama ka një mori precedentësh në këtë aspekt, duke filluar qysh tek aktet e divorceve apo keqtrajtimi që u bën bashkëpunëtoreve të tij femra.
Në këtë kllapi për të kritikuar revoltën qytetare rrodhi si një llurbë pikërisht ai vesi me të cilën Rama identifikon vetveten sa herë del para pasqyrës Dhunën! Edhe nëse do të pranojnë se revolta nuk qe e dhunshme, bumerangu i kritikëve, të lëshuar si zagarë nga kryeministri, demaskuan epshin për dhunë të Edi Ramës, si tipar psikologjik e cila në projeksionet ligjore merr edhe emërtesat krim apo narko-trafik. Në këtë prizëm, duke sulmuar protestën për mungesë dhune, këta kritikë në fakt po tregojnë suksesin e protestës e cila arriti që, përmes vet kasnecëve të Edi Ramës, të tregonte përkatësinë me dhunën që ka kjo qeveri, e cila në vetvete është një shëmbëlltyrë e vet karakterit të Edi Ramës.
Nën këndvështrimin politik, akuzat ndaj opozitës se pse nuk ushtroi dhunë vijnë si një shprehje e njëfarë parandjenje të Edi Ramës. Me koshiencë apo në subkoshiencë, mesazhin që emeton vet Rama është se, fundja ky nuk do të qeverisë për të dhunuar por do të qeverisë për t’u rrëzuar përdhunshëm./' 55news.al