Ish- deputetja e Partisë Demokratike Albina Deda, njëkohësisht kushërira e kryeprokurores Arta Marku, paralajmëron zbardhje të abuzimeve të ish-drejtuesve të organit të akuzës. Ndoshta e ndihmuar nga fakti se komunikon me kryeprokuroren, ish- deputetja akuzon Adriatik Llallën dhe vartësit e tij se po sponsorizojnë lekët e pista për të sulmuar mediatikisht prokuroren Marku.
“Ju thashë konsideratën time. Arta Marku ka ngjallur një shpresë në kënetën korruptive të një organi, i cili nga gardian i ligjit ishte shndërruar në ortak të krimit. Duroni dhe do shikoni se ku e kishin çuar Prokurorinë, Llalla, Fusha, Troci e të tjerë prokurorë që nga varfanjakë u shndërruan në grabitqarë e miliarderë. Një pjesë të parave të pista, ata po i përdorin sot për të denigruar Arta Markun, e cila nuk ka asnjë tagër ligjor nga ato që e akuzojnë” thotë ish- deputetja.
Kryeprokurorja Arta Marku akuzohet se u zgjodh në shkelje të kushtetutës dhe me mbështejten e Partisë Socialiste. Në vazhdën e këtyre akuzave hetimet e nisura prej saj opozita i konsideron të njëanshme dhe të orkestruara nga qeveria.