Vizitën e Ramës në Vlorë, në hapjen e sezonit turistik në Orikum, e kanë paraprirë disa ngjarje të renda kriminale që nga vrasjet e deri të trafiku i kanabisit. Vlora dje u trondit nga breshëritë e automatikut dhe vrasja e një 29 vjeçari. Ndërsa sot, në këtë qytet që priste Ramën, deputetin e saj, pasi Rama është deputet i këtij Qarku, një gomone ishte bërë gati për të transportuar 700 kilogramë kanabis drejt Italisë.
Të gjithë e prisnin me interes fjalimin e tij. Më shumë se sa shqiptarët që janë të interesuar për të kaluar sezoni turistik në këtë vend të bukur, të interesuarit ishin banorët e Vlorës. A do të përmendte Rama ndonjë fjalë për sigurinë e banorëve? Këtë e prisinin vlonjatët.
Por si në estradë, sot, me radhë ministër pas ministri dolën e folën për Vlorën me det. Të njëjtin fjalim mbajti edhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe me Ramën që njihet për përgatitjen e fjalimeve të ministrave. Kreu i qeverisë ka harruar se është njëkohësisht edhe deputet i Vlorës.
Ai më së shumti duhet tu shërbejë atyre që u kërkoi votën për mandatin e tij. Por e kotë për vlonjatët. Rama nuk përmendi asnjëherë ndonjë masë shtrënguese apo që do ti paraprijë rritjes së sigurisë së banorëve të zonës fillimisht dhe turistëve të cilët i ftoi të kalojnë pushimet verore.