Me dhjetëra protesta janë zhvilluar javët e fundit në të gjithë vendin, të organizuara kryesisht kundër veprimeve dhe mosveprimeve të Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit fshihej në Shqipëri ndonëse ishte dënuar me burg në Itali.
Por në dy javët e fundit, janë të paktën pesë protesta të cilat nuk janë lejuar nga Policia e Shtetit.
Më 22 maj, familjarë të Ena Ftojit kishin kërkuar leje të protestonin përpara Ministrisë së Brendshme për të bërë thirrje për drejtësi për vrasjen e të riut në komisariatin e Korçës. Policia nuk e dha lejen, megjithatë, protesta u organizua.
Pak ditë më pas, më 30 maj, të rinjtë FRPD dhe LRI protestuan sërish përpara Ministrisë së Brendshme për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj. Sërish leja nuk u dha nga Policia dhe të rinjtë u proceduan penalisht.
Situatë e ngjashme u përsërit edhe në qytetin Elbasanit më 2 qershor, kur Policia tentoi të largojë protestuesit që prisnin në rrugë kryeministrin Rama. Efektivët u përplasën me qytetarët dhe deputetët e PD, në përpjekje për t’u hequr atyre pankartat nga duart. I njëjti veprim u përsërit edhe në qytetin e Belshit, po më 2 qershor.
Rasti i fundit është protesta e organizuar sot nga minatorët përpara Kryeministrisë. Ndonëse kishin paraqitur dokumentacionin sipas të gjitha kërkesave, sërish policia nuk u ka dhënë leje për protestën. Organizatorët janë shprehur të indinjuar për këtë vendim të Policisë, por gjithsesi, vijuan me programin e tyre dhe nga poshtë selisë së Ramës bënë thirrje për miratimin e statusit të minatorit. Edhe këta minatorë rrezikohen tashmë të procedohen penalisht.