Opozita nuk do të lejojë edhe në seancën e nesërme që mazhoranca të vazhdojë të mos përgjigjet moralisht dhe ligjërisht për skandalin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj me vëllain e tij të dënuar për trafik droge në Itali.
Opozita do të kërkojë dorëheqjen e Xhafajt nga foltorja e parlamentit dhe nëse kryetari i kuvendit do të tentojë të bllokojë fjalën e deputetëve të saj , ajo do të komunikojë me qytetarët përmes Facebook.
Kjo situatë pritet të vazhdojë deri më 28 qershor kur jepet verdikti për çeljen ose jo të negociatave.
Edhe në komisionet parlamentare deputetët demokratë do të mbajnë të njëjtin qëndrim duke e fokusuar diskutimin vetëm tek akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama, si dy persona që sipas demokratëve mbrojnë krimin dhe korrupsionin.
Në mbledhjen e një jave më parë të grupit parlamentar deputetët demokratë propozuan bojkotimin e Kuvendit pas refuzimit të Fatmir Xhafajt për tu dorëhequr, po kryetyari Lulzim Basha, doli kundër me argumentin se ky vendim mund të dëmtonte procesin integrues.