Këshilltarët e Partisë Demokratike kanë bërë bjë deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak. Kreu i këshilltarëve demokrat, Kreshnik Çollaku tha se çdo qytetar është dëshmitar i taksave të reja të ngritura në kurriz të shqiptarëve. Taksa e fundit e ngritur është ajo e ujit. Aiu ka kërkuar qytetarëvë të Tiranës të paraqiten në gjykatë me faturën e ujit dhe të kërkojnë paratë e marra nga bashkia në mënyrë abuzive. Sipas këshilltarëve të PD-së vendimi për rritjen e çmimi të ujit është i pavlefshëm, pasi një vit më parë ky vendim u mor vetëm me votat e 25 anëtarëve.
Gjithashtu këshilltari Fatjon Topollaj tha se shumë shpejt gjykata do ta rrëzojë këtë vendim.
“Ky vendim ka kaluar në mënyrë krejtësisht të paligjshme rreth një viti më parë dhe sikurse gjykata na dha të drejtë për një padi të dorëzuar nga ne për pavlefshmërinë e 6 mandateve, gjykata shumë shpejt me të njëjtën arsyetim do të rrëzojë edhe çmimin e rritur të ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës”, tha Topollaj.
“Është aritmetikë e thjeshtë, këshilli i bashkisë përbëhet nga 61 anëtarë, ndërsa vendimi për rritjen e çmimit të ujit është marrë nga 25 anëtarë të rregullt të anëtarëve të bashkisë. Gjykata do ta shpallë të pavlefshme rritjen e çmimit të ujit. Rritja e çmimit të ujit është i pavlefshëm dhe qytetarët nuk kanë pse të paguajnë”, tha këshilltari i opozitës.