Zëri i Amerikës ka shkruar për protestën e sotme të biznesit të vogël, i cili mbylli dyert e shitoreve të tyre në shenjë proteste ndaj rritjes së taksave dhe vendosjes për ta të taksës së vlerës së shtuar, TVSH.
“Përfaqësues të bizneseve të vogla pohuan se krahas vendosjes së tvsh-së, mbi ta rëndojnë edhe 37 taksa të tjera, të cilat kanë mbyllur deri tani 82 mijë biznese të vogla në 4 vite. Ata pohojnë se taksat e reja po falimentojnë masivisht bizneset e ndershme dhe synojnë të pastrojnë terrenin për bizneset klienteliste dhe korruptuese të qeverisë.
Tregtarët e vegjël thonë se gjenden në një periudhë mjaft kritike, e ndoshta kohërat më të vështira, që po kalon biznesi i vogël. Me mbylljen e këtyre bizneseve, pohojnë tregtarët, ata po largohen nga vendi. Biznesi i vogël dhe i mesëm përbën 99% e biznesit shqiptare. Mbi to rëndon taksa dhe çmimet e karburantit dhe energjisë, fuqia blerëse ka rënë me 46 %. Protesta e tregtarëve të vegjël u mbështet nga opozita, që e konsideron si vazhdim të mosbindjes civile. Ndërsa qeveria tha se greva është pjesë e përpjekjeve të opozitës për të përfituar pikë politke nga vështirësitë që ndeshin grupe të ndryshme sociale”, shkroi Zëri i Amerikës.