“Austria dhe Danimarka duan të hapin kampe të të dëbuarve në dyert e BE-së”. Me këtë titull, prestigjiozja franceze “Le Monde” shkruan se Danimarka dhe Austria, por dhe vende të tjera, po kristalizojnë idenë e tyre për ngritjen e kampeve për ata që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe atyre që u refuzohet kjo kërkesë.
Si vende të mundshme, ideatorët shohin Shqipërinë dhe Kosovën, si vende që kërkojnë të anëtarësohen në BE. Shkrimi është shkruar nga Blaise Gauquelin (korrespondent i “Le Monde” në Vjenë), Anne-Françoise Hivert (korrespondent në Malmö, Suèdi), dhe Jean-Pierre Stroobants (zyra europiane e “Le Monde” në Bruksel).
AUSTRIA DHE DANIMARKA DUAN TË HAPIN KAMPE TË TË DËBUARVE NË DYERT E BE-SË
Sipas Kryeministrit danez, Kopenhagën është në diskutim me Vjenën dhe “vende të tjera” të Unionin për zbatimin e “rregullave të reja europiane të azilit”. Ndarjet e tyre dhe presioni i populistëve janë shkas për lindjen e ideve më mahnitëse midis udhëheqësve europianë në lidhje me trajtimin e kërkuesve për azil dhe largimin e atyre që u është refuzuar azili. Të martën, më 5 qershor, Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen, njoftoi se vendi i tij ishte në diskutim me Austrinë, e cila së shpejti do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe me “vende të tjera” për krijimin e “një sistemi të ri europian të azilit”.
Pika qendrore e propozimit është krijimi i “qendrave të përbashkëta të pritjes dhe dëbimit në Europë”, por jashtë territorit të BE. Është e qartë se bëhet fjalë për kampe të paraburgimit, ku do të ketë emigrantë, të cilët nuk mund të kërkojnë azil ose nuk mund të kthehen shpejt. Z. Rasmussen nuk përmendi vendndodhjen e mundshme të këtyre kampeve. Sipas tij, ato nuk do të jenë “në listën e destinacioneve të preferuara për emigrantët dhe kontrabandistët”.
Bëhet fjalë, në fakt, sipas disa burimeve, për Shqipërinë dhe Kosovën, kandidate për anëtarësim në BE. Kryeministri përmendi kontaktet “me udhëheqësit e tjerë europianë” dhe tha se ishte “optimist” rreth ngritjes së një projekti pilot deri në fund të vitit. Ideja e hapjes së kampeve në vendet europiane, jashtë BE-së, gjithashtu mbështetet nga ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Herbert Kickl, pikë e fortë e FPÖ (ekstremi i djathtë) në koalicionin qeverisës në Vjenë. Bisedimet e para do të zhvilloheshin në fakt në Sofje, gjatë samitit midis 28 vendeve anëtare dhe 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 17 maj.
“SFIDAT PRAKTIKE DHE LIGJORE”
Socialdemokratët dhe populistët danezë të Partisë Popullore (Dansk Folkeparti, DF) – kjo e fundit mbështet z. Rasmussen në Parlament, pa marrë pjesë në qeveri, kanë thënë se ata mbështesin propozimin e Kryeministrit liberal. Formacioni populist kishte propozuar të transformonte një ishull të pabanuar të mbretërisë, që ndodhej jashtë territorit të Bashkimit, në një qendër paraburgimi për ata që ishin refuzuar. Ministrja liberale e Imigracionit, Inger Stojberg, u përgjigj se ishte “gjithmonë e gatshme të shikonte idetë e mira, edhe nëse ato paraqisnin sfida praktike dhe ligjore”. Duke vizituar Brukselin të mërkurën, Kancelari konservator austriak, Sebastian Kurz, paraqiti shtyllat kryesore të presidencës së tij të BE-së, e cila do të fillojë më 1 korrik.
Ai do t’i pëlqente të tërhiqte vëmendjen për dy prioritetet e tij: forcimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit dhe propozimet e tij për buxhetin pas Brexit. I pyetur se çfarë i tha z. Rasmusen, atij iu desh t’i konfirmonte ato, duke shtuar i kujdesshëm se nuk ishte një projekt i sjellë nga presidenca e tij e ardhshme, por “një iniciativë nga një rreth i vogël, ku bënte pjesë Danimarka”. Cilat shtete të tjera anëtare do të preken?
Duket se do të preket Holanda, por diplomacia holandeze tha të enjten se nuk donte të komentonte mbi konkretizimin e projektit. Belgjika nuk do të ishte konsultuar, edhe nëse, të hënën, gjatë një takimi të ministrave europianë të Brendshëm dhe të Migrimit, sekretari i tij i shtetit, nacionalisti Flamand Theo Francken, kishte përmendur nevojën për të parandaluar zbarkimin e anijeve në Europë – “kthim pas” – dhe shpalli “vdekjen” e Rregullores së Dublinit, e cila detyron vendet e mbërritjes së parë (veçanërisht në Itali dhe Greqi) të regjistrojnë një emigrant përpara se të transferohet në një shtet tjetër anëtar. Gjermania do t’i ishte “afruar”, por një mik i ngushtë i Kancelares Merkel nuk e fshehu skepticizmin e saj.
Sa për Francën, duket se ka dalë lakuriq. Parisi po punon për një tekst për të nxjerrë dosjen e migrimit jashtë rrugës, por nuk mund ta pranonte idenë e kampeve të paraburgimit. “E paimagjinueshme”, ka thënë gjithashtu një burim diplomatik, të shohim vendet e Ballkanit t’u rreshtohen iniciativave të tilla, madje, edhe në këmbim të një ndihme financiare ose të lehtësimit të shqyrtimit të dosjes së tyre të anëtarësimit.
BRUKSELI U SHQETËSOHET PASOJAVE
Komisioni Europian është i zënë ngushtë. Ai i konsideron projektet në fjalë si “iniciativa kombëtare”, duke nënvizuar se do të ishte më mirë të kemi një qasje europiane, bazuar në “vlerat” e Bashkimit. Projektet e mëparshme që synonin krijimin e qendrave “pritëse”, veçanërisht në territorin libian, ishin hedhur poshtë me kujdes.
Brukseli është i shqetësuar veçanërisht për pasojat e debatit dhe u frikësohet shtimit të incidenteve gjatë presidencës së ardhshme austriake, që mund të bashkohen me zërat e Hungarisë, Polonisë dhe shteteve të tjera anëtare, armiqësore për pritjen e azilkërkuesve. Herbert Kickl njoftoi se vendi i tij nuk do të merrte pjesë, si shumica e vendeve në grupin e Vishegradit, në programin e shpërndarjes për refugjatët, që vinin në Greqi dhe Itali. Ai dëshiron që asnjë kërkesë për azil të mos diskutohet më mbi qiellin europian.