Nga Sali Berisha
Këto ditë vizituan Tiranën dy përfaqësues të rëndësishëm të një vendi mik anëtar i BE. Njëri prej tyre kishte miqësi të kahershme me një deputet socialist. Ky i fundit kishte organizuar takimin me krye, krye, krye Edvinin. Në orën e caktuar ata u paraqiten të shoqëruar edhe nga deputeti socialist në zyrën e Piktorit dështak. Por atyre u ndodhi ajo që nuk e kishin imagjinuar. Sapo u ulën, pa ju uruar mirëseardhjen, Edvini me harbutllëk iu drejtohet:
“Përse keni ardhur? Më thoni mua...”
Të habitur nga pritja, miqtë e huaj panë njëri tjetrin dhe deputetin që i shoqëronte. “Mot i nxehtë në Shqiperi”, - i përgjigjet njëri prej tyre, i cili gjatë karrierës së tij politike prej tre dekadash kishte takuar dhjetëra e dhjetra kryeministra.
“Vapë e madhe në Tirane”, - ia ktheu edhe tjetri.
Vendi i tyre është njëri nga më të paktat vende të BE që mbështet hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. Të interesuar për rezultatet e lobimit pranë vendeve që janë kundër hapjes se negociatave pa kushte me Shqipërinë ata e pyeten Piktorin dështak nëse kishte bindur dot ndonjërin nga vendet skeptike për të ndryshuar mendim dhe konkretisht e pyesin për qëndrimin e Francës?
Ata u shtangën nga përgjigja e Ramës, i cili u tha se: “Franca më ka dhënë mua Urdhrin e Kavalierit të Legjionit të Nderit por Franca dhe Makroni janë stupid (të marrë, idiotë) me bllokojnë hapjen e negociatave”.
Bashkëbiseduesit e huaj panë njëri tjetrin të habitur dhe neveritur nga përgjigja e tij.
Pas kësaj, piktori dështak nuk foli më dhe filloj të shkarravinë, vizatojë me bojra mbi një letër që kishte para në prani të tyre pa folur me asnjë fjale për 10 minuta me radhë. Kjo situatë i detyroi të dy vizitorët e huaj të ngrihen pa i marre leje dhe të dalin nga zyra.
Në korridorin e kryeministrisë, njëri prej tyre i tha mikut të tij shqiptar se bosi i tij, pra Rama, qenka i sëmure rëndë dhe duhet të mjekohet. Kurse tjetri ia ktheu shkurt se ai ka nevojë për mjekim!
I zënë tepër ngushtë nga ndodhia, deputeti socialist u detyrua ti thotë i turpëruar mikut të tij se me sa duket bosi (Rama) kishte tërhequr ndonjë vizë (kokainë) më shumë nga mërzia se po vendosen kushte për hapjen e negociatave me BE dhe pas vitit 2016 kjo është hera e dytë që BE e bën këtë me Shqipërinë!
Të dy miqtë e nderuar, të habitur negativisht nga takimi dhe qëndrimi i dizekuilibruar i Ramës, nuk referuan asnjëherë në media se e kishin takuar atë por bënë sikur nuk e kanë takuar fare.
Këtë histori nuk do ta publikoja pavarësisht se deputeti socialist jo pa qëllim gjeti rastin ta rrëfente tek qytetari dixhital po të mos ishin disa arsye të rëndësishme. Së pari, kokainë apo sëmundje psikike apo të dyja së bashku kjo ngjarje tregon dhe njëherë se Edi Rama ka degraduar plotësisht!
Së dyti, të përpiqesh të bindësh Francën dhe presidentin e saj të nderuar me gjuhën enveriste të etërve të tij tregon se ai është një i sëmure psikik apo rrugaç politik si dhe njeri që shkelmon interesat kombëtare të vendit të tij.
Së treti, kjo histori është e përsëritur disa herë. Një vit më parë, Rama i sfazuar do të reagonte duke i rënë tavolinës më shumë se një herë me grusht gjatë bisedës me një përfaqësues të rëndësishëm të një vendi shume të rëndësishëm. Meqenëse Rama i sfazuar përsëriti mbi një herë xhestin e tij skizoid, bashkëbiseduesi e mori atë si kërcenim fizik dhe i përplasi Ramës në fytyrë me dy grushtat me sa fuqi kishte tavolinën e bisedimeve, saqë shtangu Rama dhe diplomati i vendit që shoqëronte delegacionin tek Edvini.
Se fundi, i kujtoj Ramës se gjuha që ke përdorur për Francën dhe presidentin e saj është gjuhë hoxhiste dhe se nuk duhet të harrosh se ekzakt të njëjtin urdhër që Presidenti Holandez të ka akorduar ty, dy dekada më parë një president tjetër francez i ka akorduar edhe Emanuel Noriegës, të cilin dy vite më parë Franca e mori me barelë nga burgjet e SHBA për të vuajtur në France dënimin që i kishte dhënë drejtësia franceze për vese dhe krime të ngjashme me të tuat!