Edmond Spaho, kryetari i Grupit parlamentar të PD i ka bërë thirrje artistëve, intelektualëve, qytetarëve shqiptarë në tërësi që të mblidhen të gjithë tek teatri për ta shpëtuar godinën historike pasi kryeministri, theksoi ai, nuk e gjen gjuhën institucionale, njeh vetëm “gjuhën e Kukësit”.
"Nëse qeveria ka ndërmend të ndërtojë një Teatër të ri, bujrum le ta bëjë, por këtë të mos e prishë, - tha Spaho. - Ne nuk duhet të biem në kurthin e çështjeve teknike, si do të ndërtohet etj etj. por Teatri me histori 90-vjeçare duhet të ruhet. Pse nuk prishet godina në krah të Teatrit, po u rikonstruktua?! Edhe Teatri mund të rikonstruktohet!
Ne do të jemi me ju kudo që t’ju mbështesim. Së dyti, ne do të sensibilizojmë qytetarët, sepse duke ndenjur indeferentë po na mbysin kullat. Janë bërë ngjitur me njëra tjetrën.
Ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mos rrinë indiferentë, të mos merren me debate në kafenera, por të shprehin mendimin e tyre dhe ta ngrenë zërin. Edi Rama nuk njeh rrugë institucionale. Po besuat se ne do ta pengojmë atë me letra, peticioneve, dëgjesa me ministren...këto vlejnë për të sensibilizuar por Edi Rama kupton vetëm "gjuhën e Kukësit". Atje ku rrezikohet pushteti i tij ai reagon. Ne duhet të mblidhemi të gjithë te Teatri dhe t’i bëhemi pengesë atij," tha Spaho.